Berisha krijon grupimin “Idealet e Demokratit Dixhital”. Në lojë skenari i transferimit të votës te LSI

Postuar në 18 Maj, 2017 22:09

Sapo është firmosur marrëveshja Basha – Rama, ish –kryeministri Sali Berisha ka urdhëruar krjimin e grupimit “Idealet e Demokratëve Dixhitalë”. Burime nga stafi i Doktorit i bëjnë me dije rubrikës “Të kripura” se ky është akti më i fundit i mbetur për të përballur një dyshe të blinduar pushteti që e vendos demokratin qëndrestar në sfidën e ekzistencës si lloj politik.

Marrëveshja erdhi me skonto të rënda nga të dyja palët dhe Big Mac që trumbetoi kryeministri lëvizi nga McAllister si një Menu nga ato që gatuhen në SHBA dhe që sepse të pëlqejnë shumë kur i ha. Doktori dhe partneri i tij Meta janë fare të pastërvitur në kapërdimin e Big Mac-ut, pasi ata marrëveshje të tilla nuk i kanë pranuar. Edhe pse nuk u është dashur.

Thuhet se lëvizja për takim kokë më kokë ka qenë e sinkronizuar mes Bashës dhe Ramës si e vetmja mënyrë që Basha të justifikohej për mbajtjen mbyllur ose në silencioz – mute, telefonin. Çdo mesazh, çdo telefonatë, ai thjesht “nuk e ka dëgjuar”. Kjo është e padurueshme për Doktorin që sheh sot të shkrijë në dorë kripa e PD-së, opozita e fortë, goditja, shantazhi. Merita i duhet njohur: demokratët u squllën, ai jo.

Ka zëra se Doktori nuk kapërdin dot jo Marrëveshjen si të tillë, por faktin se nuk pikasi dot dredhinë e Bashës. Që në momentin kur Basha foli për qeveri teknike, kur vinte kushte absurde, u skicua dyshimi se kjo lëvizje kishte brenda dakordësinë e Ramës. Shahu i vërtetë u luajt pra nga Rama dhe Basha nga njëra anë, me amerikanët si ai kujdestari te filmi “Lulëkuqe mbi Mure” dhe Meta me Berishën nga ana tjetër. Kuptohet këta të dy e dinin rolin e tyre që në fillim, edhe të tjerët e dinin rolin e këtyre, ndërkohë që roli i Bashës dhe Ramës u kuptua vonë. Karakteri absurd i kërkesës për qeveri teknike erdhi dhe u marketua bukur nga “kokfortësia” dhe kapadaillëku i Ramës si proces që po rrëshqiste drejt destabilizimi; me ndryshimet e njëanshme të ministrave Rama i dha një vaskë oksigjeni Bashës në Çadrën inkubuese, por edhe provokoi inteligjencën e demokratëve që nuk mund të dilnnin jashtë me një Sajmir Tahir.

Zgjedhjet në Kavajë pastaj ishin pika e dytë e tërheqjes, ndërkohë që amerikani Yee ishte ora zvicerane që kurdisi finalen. Kështu një “krizë nervore” u konvertua në Marrëveshjen për Republikën e Re, sepse reforma kushtetuese pagëzon një republikë të re.

Këtë vuan Doktori kur lejoi kërkesa maksimaliste, angazhimi te të cilat çon detyrimisht në zgjidhje të befta dhe radikale. A nuk ndodhi kështu në Maqedoni?

Ndaj Demokrati Dixhital është formacioni që mundet të koagulojë në një betejë të fundit atë që mund të shpëtohet nga investimi 27 vjeçar. Në lojë thuhet se hyn skenari i transferimit të votës drejt LSI-së për të goditur në zemër këtë skemë që u orkestrua nga amerikanët me dy ushtarë të bindur që kanë shitur çdo parim për të blerë të ardhmen e tyre politike dhe për të rrëfyer nesër pallavrën se “tranzicionit i dhamë fund ne”.

Por çi do llafet, Doktori e ftohu kokën dhe pranoi: Lojë e hollë.

Përpiloi me nuhatje dixhitale: Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.