Prokurori i mbetur gjallë nga gjyqi i Nurembergut: Nazistët që kryen mizori, njerëz të zgjuar dhe patriotë

Postuar në 11 Maj, 2017 12:33

Një mesazh dramatik se si lufta mund t'i shndërrojë njerëzit nga qytetarë të mirë në vrasës, ka përcjellë prokurori i fundit i mbetur gjallë nga gjyqi  Nurembergut, Ben Ferentz i cili përshkruan se si vendosi të propozojë gjykim për mizoritë e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sot 97 vjeç, ai luajti një rol të rëndësishëm për daljen para drejtësisë së 22 oficerë të SS, të cilët ishin përgjegjës për vrasjen e më shumë se një milion njerëzve në Luftën e dytë Botërore.
Ata ishin anëtarë të njësisë Einsatzgruppen, një "task force" që pasoi ushtrinë gjermane gjatë pushtimit të Bashkimit Sovjetik. 22 oficerët kishin "mision" të vrisnin të gjithë hebrenjtë, ciganët dhe komunistët që mund të gjenin. Është vlerësuar se ky grup vrau mbi një milion njerëz në qytete dhe fshatra të Europës Lindore.
Ferentz ishte nga të parët që hyri në kampet e përqendrimit pas rënies së Gjermanisë fashiste dhe ai që u ndesh me pamjet e frikshme të mizorive naziste. Grupi i hetuesve zbuloi shumë dokumente sekrete, ku raportohej se mizoritë e nazistëve nuk kufizoheshim vetëm në kampet e përqendrimit. Këto dokumente përshkruajnë në detaje mizoritë e Einsatzgruppen në Evropën Lindore, ku njerëz të panumërt u ekzekutuan.
"Ka pasur raporte ditore nga fronti lindor. Cilat qytete janë pushtuar dhe sa njerëz janë vrarë. Informacioni ishte i klasifikuar: Sa çifutë, ciganë dhe të tjerë" - kujton Ferentz, duke shtuar se "3,000 oficerë të SS ishim trajnuar posaçërisht për këtë qëllim dhe kanë pasur një direktivë të qartë për të vrarë çdo hebre, burra, gra, fëmijë, pleq". 
Raportet e tyre ishin shumë të sakta në lidhje me ekzekutimet, të shprehura dhe shkruara me fraza të tilla si "dhjetë javët e fundit pastruam rreth 55.000 hebrenj", ndërsa në një shënim nga skuadra e Kievit që daton në vitin 1941 thuhet: "Hebrenjtë e qytetit ishin urdhëruar të dorëzoheshin. Ata erdhën rreth 34 000, duke përfshirë gratë dhe fëmijët. Dorëzuan të gjitha rrobat e tyre dhe çfarëdo sendi me vlerë në zotërim të tyre dhe pastaj u vranë të gjithë, një proces që zgjati disa ditë".


Kur Ferentz vlerësoi shtimin e numrit të viktimave kuptoi madhësinë e mizorive që kishin ndodhur, ku më shumë se një milion njerëz kishin vdekur në këtë mënyrë. Ai vendosi të kërkojë gjykimin për krime lufte. "Hyra në aeroplanin e parë që shkonte për në Nuremberg dhe i thashë General Taylor të udhëheqte procesin në gjyq"
Në fund Ben Ferentz kërkon të ndajë një mesazh të rëndësishëm, bazuar në përvojat e hulumtimit të tij për krimet e nazistëve. Ai tha se ushtarët nazistë të cilët kanë kryer krime nuk ishin njerëz "të egër", por "njerëz të zgjuar dhe patriotë", por kjo tregon se lufta mund të bëjë një "njeri normal" të aftë për të bërë gjëra të tmerrshme.
"Mendoni se ai që hodhi bombën atomike në Hiroshima ishte qënie e egër? Dua ta them qartë...Lufta, të gjitha Luftërat mund të bëjnë vrasës edhe njerëzit më të mirë"-tha ai.

http://www.cnn.gr/news/kosmos/story/80262/diki-tis-nyremvergis-o-teleyta...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.