Vakia e një Republike për të qeshur

Postuar në 04 Maj, 2017 21:31

Në Shqipëri është e vështirë të ndash seriozitetin nga komedia, mund të rrëshqasësh kollaj nga njëra te tjetra. Është si  puna e atij të papërmbajtshmit gaz në raste vakish, ku edhe pse është momenti për të respektuar zinë e tjetrit, ata që kanë shkuar per ngushëllim meken nga e qeshura pa e ditur as vetë arsyen.  

Të gjendesh në një kundërthënie të tillë, ndonjëherë ka të bëjë me tipologjinë e ngjarjeve dhe personazheve që bashkëjetojnë me tragjikomedinë si individë dhe si popull. E tillë po shnderrohet edhe "kriza politike"në Shqipëri që na ka ekspozuar sërish para të huajve, ashtu si 100 vjet më parë, kur dikush donte Princin, dikush Dovletin, një kryeqytet e kishim në Durrës, një tjetër e kishim në Kavajë. 

Para 6 vjetësh ai që sot është kryeministër donte të merrte pushtetin me hunj, e padëgjuar kjo në historinë e civilizimit modern. Çmimi, 4 të vrarë me duar në xhepa. Solemniteti qe shoqëroi paratragjedinë dhe posttragjedinë ishte akoma më qesharak. Edi Rama, "djali i Popullit", Sali Berisha "burrë shteti" dhe Lulzim Basha "yll në ngjitje" me tendencë zbritjeje. 

Vakia që zuri Partinë Socialiste e detyroi kryeministrin të vishet me të zeza dhe të kuptojë se me Republikën e Saliut nuk bëhet shaka. Zullumi u bë dhe zullumqarët nuk kaloi shumë për t'u rënë daulleve të fushatës për Shqipërinë që duam dhe atë që s'duam. Sot është Saliu që thotë nga bulevardi  se do të shpallë Kavajën kryeqytetin e Demokracisë, për ta çliruar nga "Noriega" (Edi Rama).

Ky i fundit raportin me pushtetin e trajton me parametrat e bulevardit të viteve '80 ku kishte femra që mohonin gjithçka pavarësisht se e vërteta dukej sheshit. Kjo nuk ka të bëjë me me periudhën në veçanti, por me një tipologji  që shfaqet me personalitetin në varësi të rrethanave dhe pavarësisht gjinisë. 

Paradite shfaqet prepotent dhe i palëkundur, ndërsa pasdite me dosjen në sqetull shkon për të gjetur zgjidhje në zyrën e Bujar Nishanit. Para këtij momenti që ngjason me miklimin e një femre të zhytur në dilemën "ta jap, s'ta jap" kryeministri që i ka rënë për detyrë të zgjidhë krizën bën një xhiro nga facebook si për t'u konfirmuar se është "kryepjeshka" e lagjes. Polemizon me kritikët, replikon me ironikët, tregohet indiferent me të shumtët dhe më pas luan shah politik me Lulzim Bashën. 
Këtu jep edhe një shpjegim prej shahisti për krizën politike që nuk i shërben askujt dhe është tërësisht i pavend sado i seleksionuat të jetë si parashtrim. Nga ana tjetër kryetari i PD-së  jep porosi për të shpuar goma e thyer xhama, duket sikur është gati ta kthejë përmbys gjithçka me ngjirrjen se nuk pranon dialog fasadë, por më pas anullon fjalimet në çadër për Republikën e Re se i doli një takim në Presidencë për të zgjidhur krizën. 

Ka dy mundesi, nese Edi Rama do të vendosë sipas tipologjisë se femrës që parakalon ne bulevard atëherë me shumë gjasë ne fund ai do ta pranojë propozimin e Bashes. Nese do te ecê me arsye partiake dhe llogari elektorale Rama nuk do te tërhiqet dhe do te futet i vetem ne zgjedhje. Në dyja rastet bilanci shkon kundër tij.

E pakta që mund të thuhet për këtë shfaqje që nga "tragjedia" kthehet kollaj në "komedi" dhe anasjelltas është mungesa e seriozitetit që fatkeqësisht në këtë vend afekton edhe ndërkombëtarët, të cilët më e pakta vihen në lojë, ndërsa më e shumta u ngrihen këngë. Nëse do të shkojë kështu nuk është çudi që edhe Kavaja të kthehet në tragjikomedi, ekskluzivitet i këtij populli që e konsumon historinë si shaka më vete. 

leonard mitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.