Po ju keni ndonjë përgjegjësi z. Kryeministër?

Postuar në 28 Shkurt, 2017 16:05

Kryeministri i vendit Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me sipërmarrës në Shqipëri me të cilët ka ndarë qëndrimin e tij për nevojën e reformës në drejtësi e sidomos miratimin e vettingut. Rama ka sjellë disa shembuj të vendimeve të gjykatave për kthimin e pronave, të bëra tanimë të njohura edhe më parë, duke sugjeruar se vendimmarrjet skandaloze të gjykatave, në tejkalim madje edhe të pretendimeve të kërkuesve provojnë nevojën e pastrimit të sistemit. Më tej akoma ai ka mbrojtur edhe aksionin kundër informalitetit, duke nënvizuar se edhe dosjet e evazionit për biznesin e madh janë shtuar në numër, por ato siç tha ai “nuk kanë vizibilitet”.

Kryeministri ka bërë më tej edhe avokatin e bankave që sipas tij janë cenuar nga vendimet e gjykatave në trajtimin e kolateralit ndaj debitorëve që nuk kanë paguar rregullisht. Mirëpo këtu debitorë shqetësues janë po pjesëtarë të biznesit, pasi për qytetarët që kanë këste shtëpish kemi të bëjmë me problem social më shumë sesa bankar. Po kështu kryeministri injoron faktin e bërë publik tashmë se bankat në Shqipëri kanë 200 milionë euro kolateral në prona të fituara nga debitorët dhe nuk po janë në gjendje të mobilizojnë në treg këtë pasuri kaq të madhe.

Gjykatat prekin edhe turizmin sipas Edi Ramës pasi sipas tij investitorët ikin sapo shohin se çfarë batërdie bëhet me pronat këtu. Diçka e pangjashme, pasi nuk ka asnjë të dhënë për ndonjë projekt të madh që të jetë cenuar në këtë drejtim. Kryeministri thjesht anashkalon përgjegjësitë e veta pasi në një projekt si Karpeni, nëse kemi të bëjmë me diçka reale, i cenuari kryesor është Behgjet Pacolli dhe kompleksi i tij turisitik në Divjakë. Me një akt të vetin Kryeministri ia shumëzoi me zero iniciativën zotit Pacolli duke prodhuar një projekt fantazëm, miratuar posaçërisht nga një ministre që e pagoi çmimin e karrierës duke firmosur mbi atë projekt. Po kështu këto gjykata nuk janë në gjendje të zhbëjnë vendime komitetesh qeveritarë që miratojnë fshatra turistikë mbi prona ku ende diskutohet pronësia, e ç'është më shqetësuese, me gjasë edhe pa leje mjedisore 

Në vargun e gjatë të pretencës së tij për gjykatat, kryeministri ka sjellë në vëmendje vendimin për Haki Çakon, drejtorin e Policisë së Shtetit, shkarkuar nga detyra për shkak të implikimit për pajisjen përgjuese. “Drejtori i policisë nëse ka bërë shkelje, arrestohet, por jo largohet nga detyra”, tha ai. Më vonë Çako u rikthye me vendim gjykate në detyrë dhe në këtë kuadër, Edi Rama bën mirë t’i japë vetes një minimum serioziteti për t’u thënë qytetarëve si ndodhi që Gjykata e Lartë, apo “kasapëve të mëdhenj” siç i quajti ai, e riktheu në detyrë këtë polic të zotin e me shumë aftësi? Si ta gjykojmë vendimin e gjykatës për Çakon, i cili sikur e humbi pak çehren kur I erdhi mandata me sms? Po kështu sit ë mendojmë kur ministri i Drejtësisë i shkarkuar, deklaron se Policia e Shtetit nuk ka zbatuar urdhrin ndërkombëtar për Klement Balilin?

Një tjetër çështje për të cilën Edi Rama sheh problemin e gjykatave, e jo të ligjit, është ai që u jep të drejtë të larguarve nga puna në administraë që të paguhen me rroga nëse fitojnë gjyqet. Mirëpo njeriu nuk di çfarë të mendojë veçse të shqetësohet kur sheh se cilin ka kryeministër, pasi për çështjet në fjalë, institucionet i ndjekin deri në shkallën më të lartë dhe përgjithësisht humbasin. Ka qenë vetë PS-ja në opozitë dhe ministri saj aktual, Blendi Klosi që dikur numëronte të ikurit nga puna dhe premtonte mbrojtje ligjore falas. Sot është ndryshe. Sot njerëzit largohen se nuk i përgjigjen standardeve dhe kur fitojnë procesin gjyqësor, gjykata është e korruptuar!!!

Një lajm i mirë: Kryeministri pranoi që ka edhe gjykatës me dije dhe të ndershëm. Vetëm për median nuk e ka thënë këtë gjë, ndonëse ai miqtë i ka jo të paktë në media. Në çdo rast, ai po luan në mbrojtje për vettingun dhe në këtë rast sipërmarrja i shërbeu si dekor, pasi e tillë është një sipërmarrje që varet nga paratë e prokurimeve publike. E cila nuk di të bëjë një propozim konkret për reformën, por vetëm të marrë mikrofonin e të kërkojë që me “reformën të mos bëhen lojna politike”.

Sa për interesin publik, cilësia e fjalës së kryeministri, argumentet e tij, shembujt që sjell, por edhe mënyra si kërkon të shterojë një debat që se njeh dhe se përballon dot, e për të cilin dikur pati deklaruar se “pranoj çdo gjë që thonë ambasadat”, janë shqetësues. Janë me të vërtetë lënda e parë që e bën atë protestë kaotike të opozitës të domosdoshme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.