Një zë nga Shqipëria e gjeneratorëve për “aferën CEZ”

Postuar në 16 Shkurt, 2017 11:24

Një shpjegim i detajuar mbi zanafillën e aferës CEZ”. Ky është titulli i një artikulli që mban firmën e ish-zv.ministrit të Energjetikës, Pajtim Bello. Ky titull të tërheq në leximin e shkrimit, pasi njeriu shpreson se do të marrë më në fund vesh se për çfarë bëhet fjalë në këtë zallamahi të madhe shkeljesh dhe akuzash. Janë ngritur dy komisione hetimore, ka një përplasje me Avokaturën e Shtetit që është kapur në flagrancën e konfliktit të interesit dhe në këtë kontekst shfaqet shumë premtues Pajtim Bello.

Mirëpo ish-zv.ministri i kohës së gjeneratorëve në mbarë Shqipërinë zhgënjen duke e luçiduar vetëm polin e majtë të energjisë, teksa privatizimin e OSHEE-së e trajton si vendim që solli gjëmën, kurse shtetëzimin e e saj nga qeveria Rama, si një akt reforme të vërtetë.

Në fakt të dyja janë reforma: privatizimi dhe shtetëzimi. I pari dështoi dhe këtë e pranoi vetë qeveri Berisha që e largoi kompaninë çeke nga Shqipëria. I dyti u krye dhe menjehërë u njoftua riprivatizimi I shërbimit, por në një kohë të dytë. Kjo do të thotë se në parim edhe qeveria aktuale beson se ky asset më mirë funksionon i privatizuar.

Bello rrëfen kronikën e akteve politike për OSHEE-në, ai noton gati me not qeni në sipërfaqen e problemit, duke mos prekur as akuzat e mëdha të bëra ndaj Sali Berishës dhe djalit të tij, por as xhevahiret që po dalin nga komisioni i PD-së me avokaten e Shtetit. Ai merr si tregues për matjen e sistemit arkëtimet dhe humbjet e energjisë, ndërkohë që të vihet re titulli: afera CEZ, jo Menaxhimi i OSHEE. 

Në fund pyetja e zv.ministrit që duket se po kërkon të japë një çikë kontribut për begatinë e Shqipërisë, të bën vërtet të ndjesh kompleksin e inferioritetit përballë inteligjencës së Pajtimit:

Ndërsa Qeveria Berisha dështoi, Qeveria Rama arriti suksesin. Përse deputetët në komisione hetimor apo analistët nuk e shikojnë problemin nën këtë prizëm, ku realisht kanë këndvështrimet e analizave politike?! Përse panele, deputetë dhe analistë të ndryshëm mundohen që në këtë çështje të peshkojnë ku, kur dhe si duan; madje mund të themi se peshkun e futin në grep dhe bëjnë sikur peshkojnë!.. Është e pa pranueshme të shikosh analistë gjoja të pavarur, apo deputetë të fabrikojnë lloj-lloj historish apo të tjerrin arsyetime boshe që bashkojnë në një tufë të dështuarit edhe të suksesshmit. Është po kaq e dhimbshme dhe e padurueshme të shohësh në ekranet e televizorëve dështakët dhe fajtorët që të shesin parime, të hiqen si shenjtorë dhe të kërcënojnë…, kur duhet të japin llogari. Në fund të fundit për çdo vendimmarrje politike gjykohet suksesi apo mos suksesi dhe pasojat që ka sjellë vendimmarrja për qytetarët dhe për zhvillimin e vendit”.

http://www.gazetatema.net/web/2017/02/16/ish-zv-ministri-i-energjetikes-...

Në të vërtetë AFERA CEZ nuk ka të bëjë me vendimet politike të qeverive shqiptare, pasi siç thotë vetë zoti Bello, “ato nuk mund të gjykohen”. Por me procedurat e ndjekura në njërin rast dhe në tjetrin dhe për dëmin financiar kolosal që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga vjedhja për të cilën sot të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën. Natyrisht për këto Pajtim Bello nuk flet, sepse ato nuk hyjnë tek optika e hollësive të aferës ku zv.ministri i Shqipërisë së gjeneratorëve kërkon të bëhet pjesë e korit: Gjithë fajin e ka Saliu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.