“Më vjen keq!” Përse?

Postuar në 28 Nëntor, 2016 17:20
Dorina Hoxha

Nëse  historia do të ishte e shkruar vetëm nga të drejtët, me siguri as kjo nuk do ishte e drejtë. Historia është një e shkuar që  flet  për mungesën e saj, por që  është domosdoshmërisht e nevojshme për të na hedhur tek e ardhmja. Kur përmendim fjalën histori, në të kuptohen shumë aktorë, që na krijojnë një teatër virtual të së shkuarës për të dhënë mësime për të ardhmen.  Historia, si një kujtesë kombëtare, përfshinë  një mori përpjekjesh e dështimesh që sigurisht, në kohë paqje, sipas Niçes, njeriu i luftës i vërsulet vetvetes.

“Njih veten o popull” nuk do të thotë të dhunosh, plaçkisësh, mashtrosh, braktisësh, përdhunosh vetveten me akte që edhe historia nuk mund t’i mbajë. Mjaft na e përdhosën prej shekujsh historinë grekët, serbët, malazezët e na lanë si pa këmb , si pa duar , si pa veshë, si pa sy, ashtu një trung, si për t’u riprodhuar e për t’i paraqitur një histori botës ashtu siç duan ata, ashtu siç mund ta modifikojnë ata, por kurrsesi siç ishim realisht, si jemi dhe cfarë na pret të bëhemi.

Shqipëria, një  vend i nënshtruar prej shekujsh,  ku ‘i fuqishmi’  ka bërë ligjin  dhe e ka detyruar të flasë turqizma, greqizma dhe serbizma,  ka arritur t’ia shkatërrojë kultet autoktone të besimit. E detyruar si një kameleon, historia jonë është një dhimbje që klith kudo ku flamuri ynë valvitet, kudo ku flitet ende shqipja e pastër, kudo ku yjet pavarsisht sfondit klithin njëlloj si shqiponja kuqezi, sepse janë shqiptarë, sepse flasin shqip, sepse  kufinjtë e Ilirisë ishin tejet të zgjeruar dhe se historinë na e ngatërruan osmanët, na e tjetërsuan grekët, na e prenë në mbesë dështakët dhe mbetëm këto që jemi sot nga Vermoshi e në Konispol.

Shqipëria, ky vullkan i Ballkanit, i lakmuar nga të jashtmit dhe i përdhunuar nga të brendshmit, po mbijeton sot e lire, por jo e pasur.  A bën hair një shtëpi, ku pjestarët e saj  e vjedhin atë?! Deti nuk është yni, toka  dhe ajri po. Historinë na e bëjnë të tjetër, sepse ajo që shkruajmë ne është një përpjekje e dështuar, dukje që i  del boja dhe era shpejt. Në këtë vend vritesh për një fjalë “ik pirdhu”; në këtë vend shitesh për një palë letra amerikane, në këtë vend numëron qindarkat e fundit për t’i ndarë për pagesën e shkollimit të fëmijës dhe për të paguar kamatën e dritave, kurse për të ngrënë një listë më shumë e borxheve. Në këtë vend skizofrenët  trajtohen si garipa dhe depresivët si të mërzitshëm. Modelet si eskorta vipash dhe farashitësit si “turp shoqërorë”. Në këtë vend, paratë qarkullojnë nëpër tabaka banketesh për qerasje qokash, kurse barkthari që disponon një revolver për të vrarë veten dënohet me burgim të përjetshëm si i inkriminuar. Në këtë vend ku bakshishi i jepet kamarierit dhe lypsi pështyhet dhe, në rastin më të keq, keqtrajtohet njëlloj si një krimb që del pas shiut dhe rrezellitet për pak ajër. Në këtë vend ku, ai që ka më shumë followers, është VIP dhe ai që shkruan në heshtje libra vlerësohet si hiç. Në këtë vend duhet të lindësh një këmbëngulës i pavdekshëm sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i mbijetosh historisë. Naimi ku është, Sami Frashëri ç’na tha? Konica ku vajti … ? Vdiqën, ashtu siç vdesin njerëzorët. Martirizuam veprat e tyre, mesazhet e tyre ua ngjeshëm adoleshentëve për t’i mësuar, i trullosim me dhimbje mesjetare dhe, kur jeta i përplas në realitetin e kohës krijohet një antagonizëm peceptimesh, saqë të interpretosh poezinë e  Vaso Pashës është njësoj si t’i dënosh ato një javë pa rrjete sociale, pa internet. Jetojmë në një vend ku dashuria klith prej interesit, prej pozitës sociale, prej dëshirës për t’i ikur kësaj historie të dhunshme që e kemi të mbartur si një thes premtimesh që as nuk i duam as nuk i hedhim dot.

Më vjen keq që, më duhet të ndërroj rrugë nga pamundësia sepse nuk dua të përballem me lypsin e rradhës, që është një grua e vobektë dhe një foshnje që zgjatë një dorë për shpresë.

Më vjen keq që, ndërkohë që unë ha një peshk, një fëmijë ushqehet vetëm me qurravitjen e tij dhe fle me kërcitje zorësh në sfond.

Më vjen keq që Kosova nuk është në hartën e Shqipërisë dhe që, pavarsisht nacionalizmit të tyre të theksuar e dashurisë  për ne, zhvaten paturpësisht në sezonin veror.  Shqipëria është vendi i yni, por përtej asaj që duhet të dukemi është mirë të pranojmë si jemi e ç’ishim. Ky shekull do të jetë apoteoza e dronit, misri prej dekadash importohet, sepse Migjeni e dinte fort mirë se : “at’ botë frynte veri” !

 

Comments

Submitted by Eri (not verified) on

Ne kete vend?……… E para t'i shko puno token ,mbille korre, shperndaje dhe pastaj fol dhe mos fillozofo se po thua nje gje te madhe.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.