Trump rrezik për qytetërimin perëndimor? Jo më shumë se frikacakët...

Postuar në 22 Nëntor, 2016 18:43

Një lajm “pa rëndësi” qarkulloi sot edhe në disa media shqip. Donald Trump anulloi një intervistë me gazetën e njohur “New York Times”. Arsyet i dha vetë presidenti i zgjedhur i SHBA-së, i cili përmes dy postimeve në twitter ka sqaruar ndjekësit se: “Kushtet dhe termat [e takimit] u ndryshuan në minutën e fundit.  Aspak mirë”.

Në një postim të dytë ai shton: “Mbase një takim i ri do të caktohet me New York Times. Në ndërkohë, ata vazhdojnë t’i mbulojnë ngjarjet e mia në mënyrë jo korrekte dhe me një ton të ndyrë”.

Pra, Donald Trump, president i SHBA-së, i akuzuar se përbën kërcënim për qytetërimin perëndimor, sqaron ndjekësit, dhe për rrjedhojë opinionin për marrëdhëniet e tij me një media. U thotë njerëzve se pse nuk jep intervistë, shpreh konsideratën e tij për mbulimin që media në fjalë po i bën aktivitetit të tij.

Të dalim nga qyteti i madh amerikan dhe të hyjmë në kasollen Shqipëri. Çfarë ndodh? Ajo që tashmë është aq normale saqë nuk bie më në sy. Një kryeministër që falënderon votuesit e që sillet si diktator i iluminuar. Sot jepet një intervistë e Edi Ramës në një media greke, por askush nuk di se çfarë përmban intervista, çfarë temash janë dakordësuar etj.. Po flasim për një standard jo për një tekë.

Bie në sy po ashtu se kryeministri shqiptar ka dhënë intervistë  edhe për një panel gazetarësh nga Kosova, ndërkohë që ka shëtitur mirë edhe mediat e Beogradit, qoftë edhe me konferencën për shtyp që dha me Vuçiç.

Pse vallë ky njeri nuk pranon të ulet me një panel gazetarësh në Shqipëri?

Është një pyetje mëse normale. Edi Rama ka shfaqur hapur urrejtjen dhe përçmimin e tij për mediat e Shqipërisë - një pjesë të tyre - përçmimin edhe profesional. Por nëse ai këmbëngul te një narrativë suksesesh të qeverisjes së tij, mediat këmbëngulin për një narrativë dështimesh. Përballja mes të dyja palëve teorikisht nuk krijon vështirësi sa kohë që suksesi është relativ dhe dështimi ka arsye objektive. Pse atëherë kryeministri i shmanget me çdo mjet kësaj përballjeje dhe preferon intervistat me gazetarë të preferuar?

Një shpjegim ka: E para ka humbur qetësinë dhe e dyta, Shqipëria është vend i vogël. Kudo del një i njohur, një kushëri, një thashethem, një dokument, vjen një sms nga kundërshtarët apo nga aleatët. Dhe këto pastaj e zbrazin kollaj atë enën e zbukuruar të sukseseve. Dhe së treti në çështjet e politikës së jashtme, është e kollajtë të bësh sikur po përballesh.  

Frika është standardi i komunikimi të këtij kryeministri që s’ka asgjë të përbashkët me Donald Trump, të cilin po t’u referohesh deklaratave në fushatë mund ta kryqëzosh për shumë tema. Por ja që Trump del e flet, madje edhe sqaron me rrjetet sociale, kurse kryeministri shqiptar thjesht ka vendosur që me mediat e vendit të tij të mos përballet. Një problem i ngjashëm ky me ato që u thanë në zgjedhjet amerikane, me pyetje të konsultuara për Hillary Clinton, me pyetje të paracaktuara, si e si që vazoja e porcelanit të mos thyhet. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.