Nuk është vetëm Lef Nosi...

Postuar në 04 Nëntor, 2015 12:01
Prof. Rami Memushaj

Pas botimit të romanit më të fundit të Ben Blushit, në mediet e shkruara e elektronike ka shpërthyer një polemikë e ashpër pro e kundra lidhur me figurën e Lef Nosit, në të cilën janë përfshirë historianë, letrarë, politikanë e njerëz të thjeshtë, me bindje të djathta e të majta. Blushi dhe ata që mbajnë anën e tij, e quajnë Lef Nosin tradhtar dhe vendosjen e shtatores së tij në sheshin qendror të Elbasanit një turp. Pala tjetër e quan Lef Nosin hero, njeriun që nënshkroi aktin e shpalljes së Pavarësisë dhe pushkatimin e tij një vepër barbare të Enver Hoxhës.

Në të vërtetë, nuk është vetëm emri i Lef Nosit që vlen të diskutohet. Ngritje bustesh e shtatoresh dhe dekorime nga bashkitë e deri te Presidenca këta 23 vjet ka pasur shumë. Kështu, qytetarë nderi në Peshkopi janë shpallur kapitenët e fashizmit Halil Alia e Selim Kaloshi, që dogjën e grabitën Tragjasin e Gjormin dhe terrorizuan qytetin e Vlorës, duke vrarë edhe prefektin dhe kryetarin e bashkisë së Vlorës, Qazim Koculin, kryekomandantin e Luftës së Vlorës; qytetar nderi është shpallur edhe bajraktari i Malësisë së Madhe Preng (Prekë) Cali, bashkëpunëtor i fashistëve, i cili vrau në Tamarë 72 partizanë të Brigadës së Parë Sulmuese, që hynë në atë krahinë jo për të terrorizuar popullsinë, së cilës edhe pas masakrës që u bë ndaj tyre, as ia dogjën shtëpitë dhe as ia prekën pasurinë, po për të shkelur vendin, si çdo ushtri që çliron vendin e vet nga pushtuesi. Po kështu edhe sa e sa të tjerë kolaboracionistë që janë shpallur martirë të demokracisë e janë dekoruar.

Dekorime e nderime të pamerituara ka plot edhe për njerëz të ditëve tona. Jo shumë kohë më parë, Presidenti i Republikës nderoi me medaljen “Për merita të veçanta civile” një gjuhëtar që prej më shumë se dy dhjetëvjetëshash po punon për përçarjen gjuhësore të shqiptarëve. Një gjë tjetër që të bie në sy, është se në gjithë këto vlerësime e dekorime personash të vdekur a të gjallë nuk përdoret një kut i njëjtë. Ta nisim me bashkëkohësit e Lef Nosit. Dokumentin e shpalljes së Pavarësisë e nënshkruan edhe Iliaz bej Vrioni, Mithat Frashëri e Rexhep Mitrovica; në atë Kuvend historik pjesëmarrës dhe aktor aktiv qe edhe Ahmet Zogu; anëtarë të regjencës si Lef Nosi qenë edhe Mehdi Frashëri, Anton Harapi e Omer pashë Vrioni; antikomunistë kanë qenë edhe Mustafa Kruja, Ali bej Këlcyra e sa e sa të tjerë figura të periudhës së Pavarësisë, që më pas u bënë bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit, por, me sa kemi dijeni, asnjë prej këtyre nuk është dekoruar apo shpallur qytetar nderi.

Pyetja e natyrshme që të lind është: në bazë të ç’kritereve bëhen këto dekorime e vlerësime zyrtare dhe kush ka të drejtë t’i propozojë ato? Sepse ta do mendja që duhet të ketë patjetër disa parametra, si p.sh. a i ka shërbyer veprimtaria e dikujt kombit a shtetit apo ka qenë në dëm të tij, shkalla e kontributit etj. Kështu edhe kur është fjala për figura politike të periudhës së Luftës së Dytë Botërore që, duke bashkëpunuar me pushtuesit, u kthyen në kuislingë, por që gjatë periudhës së tranzicionit po rivlerësohen . Kjo kërkon më parë, nga njëra anë, të përcaktohen mirë termat “tradhti”, “kolaboracionist” e “kuisling” dhe, nga ana tjetër, të shihet a është ky rivlerësim në përputhje me mënyrën se si i kanë trajtuar popujt europianë kolaboracionistët e kuislingët? Në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (2006) tradhtia përkufizohet si “veprimtari kundër atdheut, popullit etj., duke u bashkuar me armikun ose duke bërë punën e tij; shkelje e betimit”. Kurse “kuisling”, sipas përkufizimeve që japin fjalorët e huaj, është një “person që tradhton vendin e tij duke ndihmuar pushtuesin, shpesh duke shërbyer më vonë në një qeveri kukull”.

Tradhtia si figurë krimi haset edhe në kanunet tona, të Veriut e të Jugut, dhe është dënuar me leçi/lëçitje, një mallkim i tradhtarit dhe i familjes së tij, që në Kanunin e Lekë Dukagjinit përkufizohet kështu: “me dà, me lânë mbas dore e me shkepë njij shpi, tuj i a hiekun çdo tager, hir e nderë, si kah katundi, si kah Flamuri” (neni 1179). Për këtë figurë krimi, neni 1183 i Kanunit thotë: “Rasët per me leçitë kend jânë: a) Kur mos të duei kush me u lidhë me besë me katund a flamur, b) kùr të shes kush katundin e vet me hieksi e tradhti…”. Edhe në Kanunin e Labërisë ky dënim jepej ndaj atyre që thyenin besëlidhjen e krahinës për luftë kundër armikut etj., siç u bë me Muharrem Toton, i cili tradhtoi Besëlidhjen e krahinës për kryengritje më 1847. Për të ardhur në periudhën kur shqiptarët nuk qeveriseshin më me kanun, se u bënë me shtet, edhe Kodi Penal i Mbretërisë Shqiptare (1928) për tradhtinë thotë: “Neni 113. – Kushdo që tradhëtisht, në kohë lufte,… ndihmon pushtimin prej animikut ose hyrjen e atij n’Atdhe, ose për këto si dhe për të tjera vepra ksodore hyn në marëveshtje me anmikun ose me agjentat e tij, ose favorizon operacionet ushtrijake të një shteti anmik, ose ban spionazh, ose pranon, ose mshef spiuna, ose lehtëson veprimet, ose i ndihmon këta, ose ban të tjera vepra që shkakëtojnë anmiqësina, ose luftë prej ndonjë tjatër shteti kundra Shtetit Shqiptar, në të gjitha këto raste, dhe si kur vepra e fajtorit të jetë delikt i mangët (nisiativë e plotë) ndëshkohet më vdekje; por në rast që asht vetëm nisiativë e mebetë (?), ndëshkohet me burgim të përjetëshmë. Në qoftë se gjithë kto vepra bahen në favor të një shteti të huej, por jo në kohe lufte, fajtori ndeshkohet me ndeshkim të randë jo ma pak se dhjet vjet.” Pra, edhe me Kodin Penal të kohës së Mbretërisë këta persona do të kishin marrë dënime kapitale.

Tradhtinë dhe bashkëpunimin me pushtuesin e dënojnë njëlloj edhe në Europë. Kështu, u dënuan me vdekje si bashkëpunëtorë të nazistëve mareshali Peten, hero kombëtar dhe president i Francës në intervalin midis dy luftërave; Vidkun Kuislingu, kryeministër i Norvegjisë; Anton Muserti, kryeministër i Holandës; Milan Nediçi, kryeministër i Jugosllavisë etj. Dhe nëse në gjithë Europën e pasluftës kuislingët dhe bashkëpunëtorët e nazifashzimit kanë marrë dënime kapitale si tradhtarë, atëherë pse duhet të trajtoheshin ndryshe shërbëtorët e pushtuesve dhe kuislingët? Dhe, për më tepër, pse kërkohet një trajtim ndryshe vetëm i disave? Atyre që janë hedhur kundër Blushit me argumentet se Lef Nosi ka pasur këto e ato merita do t’u bënim pyetjen: po Mithat Frashëri e Mehdi Frashëri më pak merita kanë pasur? Kodi penal të dënon për një akt penal të kryer, pa marrë parasysh meritat e mëparshme. Ndryshe, nuk duhet të ishin dënuar as atëherë kolaboracionistë e kuislingë dhe as sot kryeministra e presidentë të vendeve të ndryshme për veprat penale të kryera gjatë qeverisjes së tyre. Nuk mund të mos vëmë në dukje se në këto vlerësime me dy standarde kanë ndikuar jo pak historianët, po sidomos politika.

Partia Demokratike gjatë gjithë kohës ka mbajtur qëndrime të dyzuara lidhur me periudhën e Luftës Antifashiste, herë duke e pranuar e herë duke rënë në pozitat e pinjollëve të kolaboracionistëve, për të cilët vlen ky vlerësim i studiuesit gjerman Armin Hetzer: “Shumica (?) e shqiptarëve veriorë nuk u ndien të pushtuar nga Gjermania naziste; për ata pushtimi erdhi vetëm në vitin 1944 prej komunistëve?” (Hylli i Dritës, 2010, nr. 3, f. 89). Pra, Partia Demokratike, si forcë politike me peshë në jetën e vendit, nuk i ka dhënë një përgjigje të prerë pyetjes: ishte Shqipëria vend i pushtuar? Qëndrimi i njësuar i politikës në vlerësimin e ngjarjeve të mëdha të historisë së popullit tonë, siç është Lufta Antifashiste, do t’u kishte prerë rrugën spekulimeve që bëhen herë pas here.

"Dita"

Comments

Submitted by Turpi i Njeriut... (not verified) on

Kur degjon profka te tilla, interpretime boshe dhe mungese logjike krejt elementare,
nga nje individ qe formalisht ka sunduar katedren e gjuhes shqipe pasi kjo u standardizua...te merr te qaret...

bindesh se ai vend eshte i pa shprese...
Do duhet te veproj seleksioni natyral, deri ne qenien e fundit te lindur e shkolluar me keto tekste, do duhet te ike nga jeta edhe me i fundit prej asaj fushe te helmuar...

qe dikur te mendohet se jemi kthyer ne situate normale,
si kombet e tjere...

Submitted by lexues (not verified) on

Per shqiptaret deri ne fillim te luftes se dyte boterore, shume pak ishte i njohur fashizmi apo nazizmi.
Me sulmin fashist te Musolinit u perballem ne vitin 1939 deri ne 1943, me kalimin e nje divizioni nazist gjerman, u perballem vetem dy vitet e fundit te kesaj lufte. Si italianet, edhe gjermanet, mbeshteten idene e shtetit te bashkuar shqiptar ne kufijte e tij natyrore.
Emrat e patrioteve te shquar shqiptare qe i permend zoteria Memishaj si kolaboracioniste te "pushtuesve" te huaj, do te ngelen perjetesisht ne altarin historise se shtetit shqiptare, si firmetare te pamvaresise por endra e tyre nuk ishte qe gjysmen e trojeve shqiptare, me nderhyrjen e ruseve ta mernin jugosllavet.
Qeveri me regjenca kuislinge u formuan ne te gjitha shtetet e pushtuara nga fashistet e nazistet, por ndryshojne kushtet historike te vendeve te ndryshme.
Elita shqiptare patriotike, qe "kolaboroi" me gjermanet, nuk vrau shqiptaret patriote qe kishin dekada e dekada qe perballeshin ne lufte me pushtuesit fqinje serbe, por pati iluzionin se pushtimi kalimtar i gjermaneve, ashtu sic paten premtuar keta, do ti kthente te drejtat e mohuara si komb shqqiptareve, per te ndertuar nje shtet ne kufijte natyrore. E per kete ide, ato kishin punuar gjate gjithe jetes se tyre, edhe kur djaloshi i hazdisur gjirokastrit, bridhte e bente qejf neper kafenete e Parisit e pasi kthehej ne Shqiperi, jugosllavet e perzgjidhnin si lider vasal te komunizmit te tyre.
Pra pati nje kategori lumpenesh te shoqerise shqiptare, qe ishin shume larg te qenit elite shqiptare, patriotike, qe bene nje veper shume me te ndyre kolaboracioni me pushtues me te vjeter te shqiptareve, nacional-shovinisteve komuniste jugosllave.
Zoteria permend disa vrasje te shpifura te ndonje bajraktari te Dibres apo te veriut, duke haruar se partia komuniste e Enver Hoxhes, ndihmoi jugosllavet ne masakrimin e rreth 5 mije te rijve shqiptare te Kosoves. dhe haron se deri ne 49-nten, Enveri ja kishte lene Titos frenat e qeverisjes se Shqiperise e vete nuk ishte vecse nje kuisling i Jugosllavise.
Abuzimet me te ashtuquajturen aleance me anglo-amerikanet gjate luftes se dyte boterore, eshte e turpeshme ta permendim, per faktin e provuar se u masakruan e u denuan me mijra shqiptare thjeshte si "agjente te imperializmit anglo-amerikan"

Submitted by shqiptari (not verified) on

KOLABORACIONISTET e fashizmit jane felliqesira historike dhe per kete nuk ka asnje dyshim. Ata jane damkosur perfundimisht ne gjithe Evropen dhe nuk ka asnje shanc qe ne Shqiperi te ndodhe ndryshe. Disa halabake te sotem te shoqerise shqiptare,ca pinjolle te mutosur te kolaboracionisteve perpiqen me llogjike idioteske dhe argumente te neveritshme qe te rehabilitojne kolaboracionistet.Eshte perpjekje e kote dhe qesharake,thjesht kjo ndodh sepse realieti shqiptar eshte ende i trazuar. Nuk ka asnje shanc,cdo gje do shkoje se shpejti ne vend! KURVA MBETET KURVE SADO TE LAHET DHE TE PARFUMOSET! Kolaboracionistet jane KURVA te neveritshme historike dhe keshtu do mbeten ne jete te jeteve . ;)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.