Pasi e mbyllën, socialistët(jo të gjithë) ndërrojnë mendje për Bursën

Postuar në 07 Korrik, 2016 19:21

Në mesin e muajit dhjetor të vitit 2014, Ministria e Financave e qeverisë aktuale, firmosi mbylljen e Bursës së Tiranës. Asokohe ky vendim u argumentua me dështimin e projektit të nisur në vitin 2002. Ministria përjashtoi bursën nga financimi buxhetor duke kërkuar që të ishte vetë ajo që të gjente financimin për aktivitetin. Siç edhe pritej kjo nuk ndodhi. Qeveria mbylli bursën, ndërkohë që para disa javësh, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko, do të deklaronte se Bursa është diçka e vështirë në një vend me informalitet të lartë si Shqipëria. Mbeten kështu kapitale të pashfrytëzuar, gropa dhe parazitizëm ekonomik në një treg ku mungojnë idetë.

Por duket se një dukuri e re po ndodh me deputetët dhe përfaqësuesit e PS-së. Sot deputeti Ervin Bushati, gjatë një interviste për Tema Tv deklaroi se “Shqipëria vuan mungesën e një burse”. Mendimet po ndryshojnë me shpejtësi, ndoshta sepse socialistët po mësojnë gjatë kohës që po qëndrojnë në pushtet. I njëjti ndryshim vihet re edhe në nismën për importin e mbetjeve, të cilën Eduard Shalësi, kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese e mbrojti si iniciativë te vetën.

Kur vjen puna te ideja e bursës, që z. Bushati e lëshon ndoshta si ide të lezetshme që “mund të ngjisë si lajm në korrik”, ajo vjen disi ndesh me praktikat konçesionare të kësaj qeverie. Pasi me një treg kapitalesh, titujsh, etj., vjen edhe një model tjetër financimi, një model tjetër kontrolli dhe transparence, nga ato që kryeministri i tanishëm nuk i ka shumë qejf.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.