Një institut për historinë zyrtare dhe mashtrimi (gabimet?!) që në relacionin e projektligjit

Postuar në 01 Korrik, 2016 15:45

“Ky ligj ka për qëllim krijimin e Institutit të Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore (Instituti) për të studiuar në mënyrë të paanshme dhe profesionale rolin dhe kontributin e Shqipërisë në këtë luftë dhe në koalicionin fitues antifashist”. Kështu thuhet në hyrje të projektligjit të iniciuar nga Partia Socialiste që synon krijimin e një instituti për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka asnjë dyshim që ai është analogji “majtas” i institutit për krimet e komunizmit. Që këtej edhe rrjedhimet elektorale të nismës që legjitimojnë portretin e Enver Hoxhës në çdo dalje publike të Edi Ramës apo qoftë edhe të Ilir Metës.

Hyrja ka rëndësinë e vet pasi tradhëtohet nga “paanësia” e relacionit shoqërues, aty ku deputetët shqiptarë që deklarohen socialistë, shprehin “pikëpamjet” dhe motivet për projektligjin. “Shqipëria u rreshtua në krah të Kombeve të Bashkuara Antifashiste dhe u trajtua si një aleat i cili luftoi në Kualicionin e fitimtarëve të Luftës për kontributin real që dha në këtë Luftë kombi shqiptar”, thuhet në relacionin ku shkëlqen arkaizmi “Kualicion”, me siguri nga një dorë veterani. Në fakt pikëpamja se Shqipëria u rreshtua në një krah është absolutiste dhe e pasaktë në planin historik, sa kohë në luftë pati një shumësi organizatash. Kur e kryqëzon këtë përcaktim me dispozitat e projektligjit kuptohet më mirë se pas qëllimit për paanësi nxjerr kokë synimi politik për riglorifikimin e luftës. Ja se çfarë thuhet në nenin 6 që flet për përgjegjësitë e Institutit:

Pika a

"...garanton objektivitet dhe paanësi në studimin e vlerësimin e trajtimit të ngjarjeve, të të dhënave, të fakteve historike dhe të dokumenteve që dëshmojnë për rolin dhe kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore". 

Kurse Pika b thotë: "...dokumenton, analizon dhe studion periudhën e Luftës së Dytë Botërore nëpërmjet grumbullimit të të dhënave, dokumenteve dhe dëshmive për nxjerrjen në pah të rolit të Shqipërisë dhe strukturave të kohës në koalicionin antifashist".

Është e qartë se këtu do të rikonfirmohet një rol i PKSH-së dhe Enver Hoxhës, që “ngatërrohen” ndonjëherë nën termin “rol i Shqipërisë”. Nuk ka pse të mohohet roli i askujt, por nuk ka sesi një institucion buxhetor të instrumentalizohet në këtë mënyrë. Pasi pamë lojërat me ligjin e dosjeve, ekzibicionet me Bunk’Art dhe me Shtëpinë e Gjethit, vjen së fundmi kjo nismë që nuk gjen asnjë arsye të vërtetë. Anëtarësia e bordit caktohet nga Kuvendi i Shqipërisë, me votim të shumicës, çka do të thotë se do të paguajmë para për një histori zyrtare që i shërben një axhende partiake.

Nëse ecim më tej në relacion hasen edhe dy momente që meritojnë vëmendje. Pika e parë, vështrimi mbi pushtimin italian dhe gabimet me shifrat: “Italia instaloi brenda pak kohësh në Shqipëri rreth 650 mijë kolonë për italianizimin njerëzor e kulturor të shqiptarëve si edhe 100 mijë ushtarë”, thuhet në të. Mirëpo nga shumë vlerësime nuk rezulton që në Shqipëri të jenë vendosur 650 mijë kolonë italianë. Në burime të ndryshme të hapura flitet për 33 mijë ndërkohë që një nga njohësit dhe panegjiristët e Luftës Nacionalçlirimtare, Shyqyri Bllavora, deklaron një shifër prej 55-60 për vitin 1939-1940(Zhvillimet politike në periudhën e LANÇL; 7 prill 1939 – 29 nëntor 1944). Ballvora thotë se pas rëagimeve të para italianët hoqën dorë përkohësisht nga sjellja e kolonëve që në asnjë rast nuk arriti as 100 mijë.

Së fundmi relacioni kujton vetëm Konferencën e Pezës si akt historik, mban heshtje për Mukjen dhe ia njeh si atribut “popullit” ruajtjen e hebrejve, kur dihet se as qeveria e Mehdi Frashërit nuk dorëzoi asnjë hebre. Është një përpjekje, për aq sa na jep të dhëna ky relacion, që nuk udhëhiqet nga ndonjë synim për të vërtetën, sadoqë e shpall atë. Që priret të përjetësojë një periudhë ku hodhi rrënjët e majta e sotme zyrtare, që kërkon të ndajë leximin e luftës nga produkti i saj kryesor, regjimi i Enver Hoxhës, të cilit ia "dënon" me harresë anët më të errëta. Padashur ndoshta, kjo është mënyra më e mirë që të mbash lidhur pas vetes edhe atë pjesë të kontribuesve në luftë që nuk pajtohen me aktet e regjimit, duke krijuar një realitet të përputhshëm dhe organik, kur ato janë Dy realitete. Gjithnjë dhe vetëm në funksion të votës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.