"Reforma me vota të trafikuara bie ndesh me shpirtin dhe ndërgjegjen e popullit. PD-ja dhe “Sulltan Mehmeti” të japin konsensuin”

Postuar në 18 Qershor, 2016 12:20

Trafikimi i votave për të arritur kuorimin për miratimin e reformës në drejtësi është akt jomoral. Kështu mendon edhe sot Fehmi Abdiu, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i cili përmes një interviste për gazetën “Shekulli” flet për draftin dhe nevojën për konsensus. “Ideja e trafikimit të votave është në kundërshtim me ndërgjegjen dhe shpirtin e popullit shqiptar, është një ide hibride dhe e turpshme. Të jeni të bindur se shumica e popullit shqiptar e kritikojnë madje e shajnë këtë ide, e cila për hir të së vërtetës është aplikuar disa herë në Shqipëri për ngjarje dhe të rëndësishme. Unë nuk do të preferoja që deputetët e opozitës të mbështesin fshehurazi qëndrimin e shumicës. Por do të doja që kryetari i saj dhe Sulltan Mehmeti, ish-kryetari i PD-së, të reflektojnë botërisht dhe të thonë që do ta mbështesim reformën”, thotë Abdiu, njohës i vjetër i “Sulltan Mehmetit”.

Gjithsesi juristi i dikurshëm i Partisë Socialiste thotë se propozimi për vende të rezervuar është i gabuar dhe shkon ndesh me frymën e reformës. Sipas tij ky variant është hedhur nga Komisioni i Venecias si një opsion maksimal përfundimtar në funksion të një konsensusi. “Vendet e rezervuara, tashmë të kthyera në kërkesë të PD-së, dolën si propozim shumë vonë, por që në fakt kanë ekzistuar si pika në draftin e Komisionit të Venecias. Pse ky propozim absurd është lënë si mundësi zgjedhjeje nga Komisioni i Venecias? Propozimi për vendet e rezervuara që unë do t’i cilësoja si parcela të rezervuara, është një ide tërësisht e gabuar. Së pari, Komisioni i Venecias jam i bindur 100 për qind që nuk e ka hedhur idenë e vendeve të rezervuara në paragrafin 88 nga qejfi, por e ka hedhur si një variant maksimalisht përfundimtar. Pra duke e ditur se në Shqipëri nuk mund të gjendet konsensusi që reforma të arrihet të miratohet me 2/3, që për fat të mirë shumica e pranoi, ka hedhur idenë e vendeve të rezervuara...Projekti i vendeve të rezervuar është jashtë kohe dhe është një pikëpamje që Sali Berisha e ka shfaqur para 10 vitesh, kur donte ta ndante gjykatën Kushtetuese në 3+3+3”, thotë Abdiu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.