Obama, një President jo realist

Postuar në 16 Prill, 2016 17:49
Stephen M. Walt/Foreign Policy

Barack Obama është në fund të presidencës së tij, dhe është thjesht njerëzore për të, të shqetësohet se si do të gjykohet pasi ta lërë detyrën. Ky impuls ndoshta shpjegon vendimet e tij për të marrë pjesë në një varg intervistash te Atlantic, në të cilat ai ka mbrojtur qasjen e tij në politikën e jashtme dhe shpjegon pse ka refuzuar që ta përdorë fuqinë amerikane në mënyrë aq të gjerë sa do të kishin dashur kritikët e tij.

Në mënyrë jo të çuditshme, kjo histori ka rikthyer pyetjen nëse Obama ka udhëhequr apo jo një politikë të jashtme “realiste” gjatë shtatë viteve e kusur të fundit.Unë e kuptoj përse shumë njerëz e shohin Obamën si njëfarë realisti, por nga pozicioni im, përmasat jorealiste të presidencës së tij janë më të rëndësishme dhe domethënëse se sa ndonjë element realist. Dhe janë të gjitha këto tipare jorealiste që kanë më tepër ndikim në dështimet e tij më të qarta në politikën e jashtme.

Por së pari, cila do të jetë trashëgimia që do të na lërë Obama? Sipas meje, ç’është më e keqja, historianët e së ardhmes do ta ngrenë lart Obamën. Ai do të mbahet mend si presidenti i parë jo i bardhë amerikan, sigurisht, dhe që e kreu detyrën e tij me dinjitet, elegancë dhe me përkushtim. Administrata e tij fatmirësisht nuk u shoqërua nga ndonjë skandal, dhe nuk ka marrë vendime të nxituara që t’i ktheheshin kundër. Ai është treguar mëshirëmadh dhe tepër i duruar me shumicën e kritikëve të tij, pavarësisht abuzimeve dhe racizmit të fshehur nga ana e disa prej tyre. Dhe pavarësisht se kush do të fitojë në nëntor, ai ka gjasa që të duket më mirë në krahasim me të.

Duke hedhur një vështrim pas, Obama do të vlerësohet për reformën në sistemin shëndetësor, për faktin që e shpëtoi vendin nga përsëritja e një Depresioni të Madh, dhe që mbështeti një tolerancë më të madhe ndërmjet minoriteteve përmes legalizimit të martesave gay. Kur mendon se sa të frikshme dukeshin këto gjëra kur ai e mori detyrën në vitin 2009, këto nuk janë arritje të vogla. Dhe Obama i bëri këto gjëra teksa përballej me një opozitë republikane aq toksike dhe ekstreme, sa që po vazhdon të sulmojë edhe udhëheqësit e saj dhe kërcënon vazhdimisht se do ta mbyllë të gjithë qeverinë federale. Ky është lloji i “patriotizmit” republikan.

Por këto elemente të trashëgimisë së tij janë të gjitha arritje të brendshme, ndërsa arritjet e tij në çështjet e jashtme janë më të koklavitura. Megjithatë, Obama mund të pretendojë se ka arritur disa suksese: Imazhi i SHBA-ve në pjesën më të madhe të botës është më i mirë se sa ishte në momentin kur ai mori detyrën; marrëdhëniet me Kinën kanë qenë kryesisht të qeta pavarësisht “fokusimit” të SHBA-ve tek Azia; dhe marrëveshja bërthamore me Iranin është një sukses i certifikuar deri më tash. Unë do ta mbështesja Obamën që i dha fund përpjekjes së gjatë dhe kundërprodhuese për ta izoluar Kubën dhe progresit e bëra në sigurinë bërthamore dhe në ndryshimet e klimës (edhe pse duhet bërë shumë më tepër në të dyja frontet).

Fatkeqësisht, në fushën e politikës së jashtme, Obama ka gjithashtu një numër të lartë dështimesh, duke nisur me Afganistanin. Obama qëndroi në agoni për këtë çështje gjatë vitit të tij të parë në detyrë dhe më pas dërgoi 60,000 trupa shtesë. Ai premtoi se kjo “dallgë” e përkohshme do t’i përmbyste Talebanët dhe do t’i mundësonte Shteteve të Bashkuara që të largoheshin me nder. Tani jemi në vitin 2016, dhe Shtetet e Bashkuara janë ende duke luftuar atje dhe fundi as që duket në horizont. Sikurse disa prej nesh paralajmëruan asokohe, kjo politikë kishte gjasa që të dështonte dhe dështoi.
Në mënyrë të ngjashme, përpjekjet me qëllime të mira të Obamës për të arritur paqen ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve njohën një seri poshtërimesh: kolonitë izraelite vazhdojnë të zgjerohen, Gaza vazhdon të grushtohet, palestinezët e moderuar u diskredituan, Hamasi është bërë më i fortë dhe zgjidhja e dy shteteve që u përkrah nga Bill Clinton, George W. Bush dhe Obama ka vdekur (për të mos thënë se është varrosur). Obama dhe Sekretari i Shtetit John Kerry shpenzoi shumë kohë dhe energji me këtë problem dhe nuk arriti asgjë.

Përgjigja e Obamës ndaj “Pranverës Arabe” nuk qe më e suksesshme. Shtetet e Bashkuara ndihmuan për ta rrëzuar Hosni Mubarakun në Egjipt dhe mbështetën qeverinë e porsazgjedhur të Mohamed Morsit, për të ndryshuar më pas kurs dhe të bënin një sy qorr ndaj grushtit ushtarak të shtetit që e rrëzoi Morsin dhe vendosi një tjetër diktaturë gangsterësh. Fuqia ajrore amerikane ndihmoi në dobësimin e Muammar al-Qaddafit në Libi (një vendim për të cilin Obama tani është penduar) dhe rezultati ka qenë një shtet i dështuar ku Shteti Islamik është aktiv. Obama deklaroi se “Assadi duhet të largohet” në Siri, pavarësisht se nuk kishte rrugë të mira për të garantuar largimin e tij dhe nuk kishte kandidatë të mirë për ta zëvendësuar atë, dhe Shtetet e Bashkuara ndikuan në bllokimin e përpjekjeve fillestare të OKB-së për të arritur një armëpushim të luftimeve. Sot, Siria është shndërruar në rrënoja dhe Assadi vazhdon të udhëheqë zonat kyçe të vendit. Obama dhe stafi i tij u treguan gjithashtu të verbër përballë emergjencës së Shtetit Islamik dhe ndaj rebelimit Houthi në Jemen. Më vjen keq ta them, por Lindja e Mesme do të jetë në gjendje edhe më të keqe kur ai të largohet nga detyra se sa ishte kur ai e mori atë. Shtetet e Bashkuara nuk janë përgjegjësit e vetëm për këtë prirje të pafat, por ndërhyrja jonë e përsëritur solli kaos të mëtejshëm dhe i armiqësuan si kurrë më parë miq e armiq.

Për të qenë të sinqertë, përballja me disa kryengritje të njëkohësishme në shtete të ndryshme, do të kishte qenë e vështirë për çdo president dhe është e lehtë të imagjinohen përgjigje që mund të kishin qenë edhe më të këqija se ato që kanë dhënë Shtetet e Bashkuara deri tani. Megjithatë, Obama dhe stafi i tij nuk u dukën asnjëherë që ta kishin të qartë se çfarë donin të arrinin në rajon (përveçse të ndalnin progresin e mëtejshëm të Iranit drejt bombës bërthamore), dhe në fund rezultati qe një seri improvizimesh jokoherente.

Së fundi, Obama meriton notë të ulët për qasjen e tij ndaj Rusisë. Unë nuk jam adhurues i Vladimir Putinit, por zyrtarët amerikanë bënë një gabim që u vendosën hapur krah protestuesve që kërkonin të rrëzonin ish-Presidentin e Ukrainës Viktor Yanukovych dhe duke dështuar që ta paraprinin se si kishte gjasa që të përgjigjej Rusia. Rezultati i kësaj qe një tragjedi për popullin ukrainas. Një siklet për Shtetet e Bashkuara dhe një situatë më e pasigurt në Evropë, e cila zor se kishte nevojë për një tjetër problem në axhendën e saj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.