Stafeta e shantazhit: “Letrat Panameze” rihapin çështjen “CEZ” bashkë me thagmat e një ministri që firmos për qindra milionë euro

Postuar në 06 Prill, 2016 14:12

Gazeta “shqiptarja.com” i kthehet sot skandalit të CEZ-it, duke mbajtur në fokus përgjegjësitë e ministrit aktual të Energjetikës, Damian Gjiknuri. Ky i fundit është personi që firmosi marrëveshjen e Mirëkuptimit nën autorizimin e Grupit Negociator që u ngrit për këtë çështje. Por raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit që auditoi atë që kishte ndodhur, erdhi në konkluzion se kompanisë çeke iu falën 479 milionë euro. Një shifër e humbur nga disa praktika negociimi që aktualisht po hetohen nga Prokuroria.

Sipas “shqiptarja.com” Damian Gjiknuri është aktulisht persona nën hetim me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe kjo gazetë në artikullin e sotshëm pretendon se ka lexuar dosjen e plotë të Prokurorisë. “Gjiknuri, ka negociuar dhe ka firmosur gjithçka që përfaqësuesit e kompanisë çeke “Cez a.s” i kanë vënë mbi tavolinë si kredi investimi etj, ndërkohë që vetë ministri si kryetari i grupit negociator prej 14 anëtarësh, nuk ka hedhur mbi tavolinë asnjë dokument me kërkesa ekonomike që Shteti Shqiptar duhet të bënte ndaj çekëve të “Cez a.s”. Ministri Gjiknuri ka negociuar me kompanitë energjitike “Cez a.s” si i dorëzuar pa kushte, dhe aq më tepër ka marrë kompetenca që nuk i takonin, duke firmosur së bashku me 4 anëtarë të tjerë(ndërkohë që ishin 14 anëtarë që duhet të firmosnin), marrëveshjen që solli paqen në gjykatën e Arbitrazhit mes “Cez a.s” dhe Shqipërisë, por kjo me një kosto shumë të lartë,duke pranuar t’i derdhinnë llogaritë bankare “Cez a.s” 95 milionë euro dhe shkaktuar njëherësh një dëm Shtetit Shqiptar që përllogaritet nga KLSH diku tek 479 milion euro”, shkruan gazeta që sjell edhe faksimile të dosjes.

Skandali është i jashtëzakonshëm nisur nga dëmi ekonomik, por mbrojtja që është bërë deri më tani është se marrëveshja synonte “shmangien e një Vaterloje në Arbitrazh”. Por dosja, ashtu si na serviret sot nga “shqiptarja.com” çon në konkluzione të tjera: “Por a është marrë mendimi i juristëve të grupit negociator në këtë pjesë dhe a kanë sugjeruar ata me shkrim nëse interesat e shtetit shqiptar do humbeshin apo do fitoheshin në gjykatën e Arbitrazhit? Në dokumentacionin që ka sekuestruar Prokuroria e Përgjithshme dhe më konkretisht Prokurori Arben Kraja, për të hetuar procedurën e negocimit, nuk ka asnjë dokument apo procesverbal që i ka dhënë mendim teknik dhe juridik ministrit Gjiknuri, nëse Shqipëria do humbte ose jo në Arbitrazh”, raporton gazeta për të ecur më tej kur referon Prokurorinë që të jetë shprehur se “nuk ka asnjë dokument që të provojë se Grupi Negociator është mbledhur ndonjëherë, përveçse më 19 qershor 2014, kur autorizoi Damian Gjiknurin që të shkonte në Pragë e të firmoste marrëveshjen”.

Interesante është se në këtë shqyrtim që organi i akuzës po i bën raportit të KLSH-së po del në dritë se dosja e marrëveshjes lë shumë dyshime dhe një nga të cilat është se në Grupin e Negociimit nuk u përfshi Avokati i Shtetit, i cili del subjekt me shkelje nga raporti i KLSH-së. Parë kështu ideja që të vjen ndërmend është se të gjithë kanë firmosur atë që u është urdhëruar dhe se nuk ka patur fare një grup pune që shqyrtonte dosjen në nivel teknik. Ky është një tjetër skandal që për nga procedura, nëse vërtet ka ndodhur kështu, barazohet vetëm me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.

Ja edhe një tjetër moment që i jep forcë argumentit se Gjiknuri është personi i firmës në Marrëveshjen e Mirëkuptimit, por asnjëherë një person që është lodhur me negociata. “Zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme kanë marrë në dorë hetimet kundër ministrit Damian Gjiknuri. Fillesa e kësaj dosje hetimore ka qenë një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) dhe dy kompanive kontabiliste dhe menaxhimi financiar të huaja si “BDO LLP” dhe “BBH”, të cilat janë kontraktuar nga Shteti Shqiptar për të bërë bilancet financiare të “Cez Shpërndarje”, që në atë kohë ishte braktisur nga privatizuesët Çekë. Nga burime pranë prokurorisë mësohet se për këto dy raporte të përpiluar nga ekspertë të huaj shteti shqiptar ka paguar një faturë prej 633 milion lekëve. Dhe në fakt të dyja raportet si ai i “BDO LLP” dhe ai i “BBH”, ky i fundit ka mbëritur pak muaj me vonesë, pra pas firmosjes së marrëveshjes me çekët, nuk janë marrë në konsideratë nga kreu i grupit të negocimit Damian Gjiknuri, i cili ka firmosur së bashku me 4 anëtarë të tjerë, duke mos marë në konsideratë konkluzionet e këtyre raporteve”, raporton gazeta.

Dikur, ministri në fjalë, i trembur në kulm nga ajo që po i vinte vërdallë kur u hap çështja CEZ, deklaroi se “Marrëveshja është miratuar nga Parlamenti shqiptar”, një varkë shpëtimi prej juristi kjo për ta deklaruar përgjegjësinë si kolektive. Mirëpo nëse Parlamenti ynë, mbushur me lloj lloj adn-je e ka vërtet këtë përgjegjësi, ai nuk mund të jetë përgjegjës për një ministër që mund të ketë bërë manovra të tilla. Për zbulimin e tyre është prokuroria, KLSH-ja dhe organe të tjera, të cilat në dritën e këtyre provave dhe të një hetimi serioz, kanë tagrin që të bëjnë dhuratë një palë byzylykë.

Deri sa kjo të ndodhë, është i padëmshëm një spekullim politik: dosja del në dritë, pra riciklohet, ndërkohë që ka plasur skandali i “Letrave Panameze”, por edhe ndërkohë që Adriatik Llalla është nën kontrollin e ILDKPI-së për pasurinë e vet. Ka një garë pritjeje se cilët janë politikanët e përfshirë në to, nga cili krah; dje ministri i Financave u mburr se të dhënat çojnë tek qeveria e djeshme, por sot gazeta e PD-së deklaronte të kundërtën. Me një fjalë të dyja palët po pranojnë se kanë ngjyer në gjellën panameze dhe me këtë rast rihapet loja e shantazhit. Ku ka shantazh më efektiv se “479 milionë euro dëm”, ndërkohë që ka një vit që ngjirja për drejtësi po na shurdhon? Dosja është ende në prokurori dhe ajo “po hetohet me stilin e Lllallës që është: “Bëjmë ça të na thonë”, por si e tillë ajo na vë përpara një qeverie që di shumë mirë të bashkëjetojë me skandale të tilla. Të presësh reformë në drejtësi dhe vullnet për shtetbërje nga organizata të tilla është joserioze, pasi qoftë me këtë rast, qoftë me letrat nga Panamaja, thjesht po formalizohet ajo që dihet: hajdutët kanë kohë në krye të Shqipërisë.

PS: Sot PD-ja ka depozituar një kërkesë për hetim parlamentar të aferës CEZ, duke konfirmuar kështu se turinjtë në "Panama" janë ngjyer keq. Më poshtë kërkesa:

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.