Spiralja e linçimit në rrjetet sociale

Postuar në 03 Mars, 2016 10:34
Gilman Bakalli

Para një viti e provova vetë në kurriz. Linçimin e individit nga turma e verbër virtuale që djeg këdo që guxon të shkruajë lirisht mendimin e tij. Kanë shpikur një emër për këtë fenomen: shitstorm. Për mua është një lloj fenomeni meteorologjik në internet i cili, përmes një stuhie jashtëqitjesh verbale, synon të rrafshojë çdokënd që guxon të mendojë ndryshe, në kundërshtim me pikëpamjen mbisunduese rreth një çështjeje. Goditjen e shitstorm-it e provoi para pak kohësh edhe gazetarja Rudina Xhunga pasi intervistoi të venë e diktatorit Hoxha. E provoi këtë të diel edhe gazetari i emisionit zbavitës “E diela shqiptare”, Ardit Gjebrea, pasi intervistoi një vrasës shqiptar që vuan tashmë dënimin e tij për një krim të dyfishtë. Edhe ndaj kantautorit Gjebrea u zbraz pa mëshirë vala inkuizitore e shitstorm-it. Në rastin tim edhe mund ta kuptoj tërbimin e turmës anonime virtuale, sepse kisha prekur temën më delikate të mundshme pas seksit: Fenë, konkretisht raportin e botëkuptimit islam me vlerat europiane. Por në rastin e Xhungës dhe Gjebresë nuk mund ta kuptoj zemëratën online. Varianti i dhënë nga analisti Andi Bushati në lidhje me arsyet e komenteve armiqësore në vijim të intervistës (Gjebrea, sipas Bushatit, nuk kishte respektuar raportin me të vërtetën tek ajo intervistë) nuk bind, sepse ngrihet mbi një premisë të gabuar: Premisën, sipas së cilës turmat para se të veprojnë gjykojnë me racionalitet të kthjellët e pastaj hidhen në sulm. Nuk besoj se është kështu! Nuk besoj se turmat rebelohen nga mungesa e së vërtetës së plotë e gjithëpërfshirëse. Sepse, intuitivisht ato e dinë se e vërteta e plotë dhe gjithëpërfshirëse nuk ekziston përveçse si interpretim. Sepse, në çdo rast, si do ta interpretosh të vërtetën, në të, mund të gjesh momente irracionale që mbartin mjaftueshëm barut për shpërthim. Sido që ta kishte intervistuar Rudina Xhunga të venë e diktatorit Hoxha, turma digjitale ishte gati për sulm. Bile sulmi ndaj saj, pati filluar para se të zhvillohej intervista. Çfarëdo ta kishte pyetur Gjebrea kriminelin, turma digjitale ishte gati për sulm.

Ligësia dhe brutaliteti i amplifikuar përmes distancës dhe anonimitetit që mundëson komunikimi digjital nuk të habisin. Interesante është të hetosh mënyrat se si dhe pse krijohet me aq shpejtësi ajo grigja virtuale që turret si e tërbuar pas keqbërësit digjital, ligjësitë e krijimit të grigjës përndjekëse. Mendoj se kemi të bëjmë me fenomenin e përmbysur të asaj që në teoritë e komunikimit, quhet “spiralja e heshtjes”. Teoria e spirales së heshtjes, sipas demografes gjermane Elisabeth Noell-Neumann, bazohet në dy premisa: Njerëzit kanë një frikë të lindur nga izolimi, prandaj ndiejnë nevojën e përkatësisë. Dhe, e dyta, kjo frikë nga izolimi krijon nevojën për ta kërkuar konsensusin social. Kur njerëzit – të nxitur nga aparati propagandistik mediatik – kanë përshtypjen se, me mendimet e tyre, i përkasin pakicës, ato tërhiqen dhe mbyllen në vetvete. Gatishmëria komunikative u tkurret dhe idetë preferojnë t’i mbajnë për vete. Në këtë mënyrë, në opinionin publik pakësohet prezenca e mendimit ndryshe dhe forcohet efekti. Spiralja e heshtjes fillon të rrotullohet.

Në formë të përmbysur, ky mekanizëm funksionon sidomos në rrjetet sociale. Në nevojën e tij për përkatësi sociale, kafsha e turmës digjitale shpejton ta paraqesë në rrjet mendimin dominant. Prezenca e tij në rrjet dhe gatishmëria e tij komunikative rritet ndjeshëm dhe, bashkë me të, edhe prezenca e pikëpamjes që konsiderohet si më e përshtatshmja. Numri i ndjekësve të idesë dominante rritet, dhe bashkë me të edhe ashpërsia e gjuhës dhe presioni për konformizëm. Dhe ja, ku vihet në lëvizje edhe spiralja e turmës linçuese, e cila vepron verbazi sapo pikas një mendim ndryshe që rrezikon t’i kundërvihet pikëpamjes dominante. Cila është pikëpamja dominante në këtë rast? Ideja se diktatori, gruaja e tij, një kriminel apo një prostitutë nuk duhen intervistuar.

Një antidot i shitstorm-it mund të ishte vetëdisiplinimi i gjithsecilit, pra përdorimi i disiplinuar i porcionit vetjak të lirisë. Mirëpo përvoja na mëson se njeriu, që të dëshmojë pak dinjitet dhe civilizim, ka nevojë për Autoritetin. Kjo më bën të mendoj se, herët a vonë, interneti mund të kthehet në një zonë të civilizuar vetëm përmes monitorimit nga ndonjë korporatë mediatike. E trishtueshme të mendosh, se do të jemi të gëzuar, kur kjo të ndodhë.

 

"Mapo"

Comments

Submitted by Lira (not verified) on

Perfundimi I shkelqyer. Sa per turmen, per aq kohe sa nuk investohet ne shkollimin public, turma do te jete pjese e pandare e jetes sone te perditshme. Dhe ka dhe do te kete ndikimin e vet ne zhvillimin e shoqerise: mban nivelin minimal (dyshemene) te diskutimit ne pike shume te ulet...dhe politika e shfrytezon ....dhe fiton... Kjo quhet spiralja e funksionimit te shoqerise moderne.

Submitted by Ndoc Dudasi (not verified) on

Repektoj mendimet e autorit, por do t'i thosha qe, shyqyr qe nuk te ka ndodhur ty, ne familien tende te ngushte kjo gje, sikunder i ka ndodhur njerezve te vajzes 16 vjece te vrare bashke me nenen e vet, a do te kishe kete mendim ?
Pse,pak te denuar me denim te perjetshem ka tek ne, por u "gjet rastesisht" mmonstra e Ardit Gjebrese ?
Kjo e Arditit, bie ere e keqe qe se largu, dhe eshte nje "matje pulsi" e opinionit publik, me qellim riHapjen e gjygjit per ridenim dhe ndryshimin e mases se denimit te ketije krimineli qe ka vrare me paramendim dy femra. Po te ishte e rastesishme dhe e castit, krimineli Rroku, nuk do te ishte larguar nga Shqiperia, nuk donte shkonte ne USA dhe te nderronte identitet, gje qe automatikisht te con ne mendimin e sakte qe ky kriminel cdo gje e ka pase planifikuar per te realizuar vrasjen e ketyre dy viktimave.
I tere opinioni publik, ne kohen kur ndodhi kjo gje, e ka denuar krimin dhe kriminelin, dhe sot, kur pame e degjuam tek E DIELA, monstren e Arditit, kriminelin Marjan Rroku, te realizonte nje AKTRIM te persosur skenik, ngelem te befasuar, te indinjuar, te revoltuar dhe ne vetvehte nje makth urrejtie, pe kriminelin po se oo, por qe nga ai moment, na u zvjerdh, na u ndy ky emision, ndofta per mos t'a pare kurre me, duke menduar qe ne c'nivel ka rene Ardit Gjebrea, qe i shtyre nga pagesa qe me siguri i eshte bere, arriti deri ketu sa te bente kete provokim kaq banal ndaj opinionit publik.
Uroj qe as juve zoti Bakalli dhe as Ardit Gjebrese, mos t'i ndodhe kjo qe i ka ndodhur dy viktimave.
Krimineli eshte kriminel. Te ishte para 25 vjeteve, Marjan Rroku, sot do te kishte ngrene plumbin.
Edhe me KANUNIN E LEKES, qe krimineli Rroku e njeh mire, se nga ato ane eshte, e ndalon kategorikisht te shtiesh pushke nder femra. Bile, bile, kush shtjen pushke mbi femra, detyrohet te pergjigjet me gjak, dhe ne rastin konkret, fisi i tije do te pergjigjej me dy te vrare, mbasi edhe Marjan Rroku dy femra kishte vrare.
Gjebrea, ka ngacmuar nje plage, qe me kete rast, ka ofenduar nje popull te tere, dhe u bej thirrje, mbare popullit shqiptar qe te bojkotojme emisionin e Arditit te dielen, pavarasisht parave qe ofron per shperndarje.
Zoti Bakalli, ju uroj shendet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.