Progresi i brishtë i Greqisë, vuajta nuk ka mbaruar

Postuar në 15 Janar, 2016 10:17

Ministrat e financave të eurozonës kanë deklaruar se Greqia po shënon progres në përmbushjen e angazhimeve. Por ministrat kanë kërkuar më shumë sqarime nga Athina lidhur me reformën e sigurimeve shoqërore, që do të gjendet në qendër të negociatave me kreditorët, javët e ardhshme.
“Këto sqarime duhen dhënë sa më shpejt”, me qëllim që të avancojë mbërritja e përfaqësuesve të kreditorëve në Athinë, tha presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.
“Pala greke ka shënuar progres, sidomos nga vera e kaluar deri më sot”, shtoi Dijsselbloem, duke theksuar se reforma e sistemit të pensioneve është shumë e rëndësishme. Sipas tij, reforma do të mundësojë një pamje të qartë të financave publike, çka nga ana e vet do të lejojë të diskutohet për qëndrueshmërinë e borxhit grek.
Korrespondenti i Abc News thotë se në Athinë ka shkaktuar shqetësim deklarata e kreut të mekanizmit europian të stabilitetit -ESM, Klaus Regling, se Greqia do të ketë probleme me likuiditetet muajt e ardhshëm.
“Vlerësimi i programit grek duhet të përfundojë sa më shpejt, sepse çështja e likuiditetit do të intensifikohet muajt e ardhshëm, kur Athina ka detyrime me vlerë 4 miliardë euro”, deklaroi kreu i ESM, që është financuesi kryesor i programit aktual grek.
Sipas analistëve, kjo deklaratë interpretohet si një përpjekje për presion ndaj qeverisë greke, me qëllim që të përshpejtojë reformat dhe marrjen e vendimeve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.