Shtrenjtimi i tarifës së rilicencimit pengon uljen e çmimit të naftës

Postuar në 22 Dhjetor, 2015 10:07

Në renditjen e Global Petrol Price, Shqipëria është ngjitur në 20 vendet me çmimin më të shtrenjtë të naftës në botë, nga e 47-a më që ishte një vit më parë, si rrjedhojë e rënies së çmimeve me ritme shumë më të ulëta se në bursa dhe në shtetet e tjera…
Teksa nafta në bursat ndërkombëtarë ka arritur gjatë ditës së sotme në nivelet më të ulëta të 11 viteve, duke u këmbyer me rreth 34.3 dollarë për treguesin referencë europian (Brent), në Shqipëri një litër naftë vijon të shitet me pakicë nga 160-168 lekë për litër.
Burime nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve u treguan skeptikë nëse do të reflektonin këtë ulje në çmimet e pakicës për shkak të rritjes së tarifës së rilicencimit.
Në fillim të dhjetorit, Këshilli i Ministrave vendosi të shumëfishojë pagesën për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, dhe vajrave lubrifikantë, duke e bërë atë 5 milionë lekë, për Bashkinë e Tiranës, dhe 2 milionë lekë, për bashkitë e tjera. Më parë, tarifat ishin përkatësisht 30 mijë lekë dhe 20 mijë lekë. Sipas operatorëve të tregut, të paktën në vitin e parë, kjo tarifë do të ndikojë në 5-10 lekë në çmimin e naftës, pasi tregtuesit do e kalojnë këtë kosto te çmimet finale, që paguhen nga konsumatori.
Sot rreth 67% e çmimit të naftës e përbëjnë taksat, sipas operatorëve. Rritja me 10 lekë për litër e taksës së qarkullimit në janar të këtij viti ka bërë që çmimet aktualisht të luhaten me 160-168 lekë për litër, 10 lekë për litër më shumë në krahasim me periudhën kur nafta ishte në të njëjtat nivele në bursat ndërkombëtare, rreth një vit më parë.
Edhe uljen e fundit në tregjet globale, operatorët e tregut pritet ta shfrytëzojnë për të amortizuar pikërisht rritjen e kostos së rilicencimit.
Sipas Global Price Petrol, një faqe interneti që rendit të gjitha vendet sipas çmimit të naftës, Shqipëria renditet aktualisht në 20 vendet në botë me karburant më të shtrenjtë, duke u përkeqësuar në renditje muajt e fundit, si rrjedhojë e rënies së çmimeve me ritme shumë më të ulëta se në bursa dhe në shtetet e tjera. Në të njëjtën renditje një vit më parë, Shqipëria ishte e 47-a më e shtrenjtë në botë.
Një litër naftë në Shqipëri, sipas Global price Petroleum kushton aktualisht 1.31 USD, duke qenë më e shtrenjta në rajon dhe e 13-a më e shtrenjtë në Europë. Nafta më e shtrenjtë është në Britaninë e Madhe, ku një litër kushton 1.61 USD.

Monitor

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.