Nëse heqim gurët e protestës, a mbetet varfëria dhe korrupsioni?

Postuar në 10 Dhjetor, 2015 14:15
Arion Sulo

Ato pesë xhama të thyer në protestën e opozitës po tentojnë të kthehen në mënyrë të qëllimtë dhe cinike në fytyrën dhe mesazhin e vetëm të mijëra njerëzve që dolën të martën në shesh. E gjithë fryma e protestës po përmblidhet tek tymueset, vezët dhe gurët e hedhur, duke na përshfaqur asgjë më shumë sesa “budallain që tregonte gishtin, kur gishti tregon hënën”.

“Incidentet” e 8 dhjetorit në Bulevard janë pjesë e kronikave të lajmeve, por jo vetë lajmi. Këtë bënë mediat ndërkombëtare vetëm pak orë më pas; titujt e tyre flisnin për protestën e opozitës dhe mbështetësve të saj, përshkruanin besnikërisht kërkesat e tyre kundër korrupsionit e varfërisë dhe përmendnin në vendin periferik, që i takon edhe gurët e vezët.

Tek ne, të njëjtat mjete simbolike që përdoren kudo në botë për të theksuar mesazhe dhe shfryrë zemërim po quhen dhunë, me qëllim delegjitimimin e protestës.

Protesta dënohet si e dhunshme, së pari për flakët e zjarrit të bunkerit, që prej 6 muajsh nuk i del njeri për zot. Si argumenti më i fortë i “pacifistëve” që nuk thyejnë një xham, po bëjnë në anën tjetër tym taksat dhe pasurinë e atyre që protestonin, bunkeri i dhunuar në fakt demaskon denoncuesit e dhunës.

Projekti i tij u nis vërtet nga qeveria si përkujtim artistik ndaj idiotësisë dhe paranojës komuniste, por u braktis po nga vetë qeveria, kur u pa se ideja nuk ngjiti dhe u kundërshtua nga ish-të përndjekurit dhe opinioni publik.

Ai ndërtim nuk u mor asnjëherë zyrtarisht përsipër nga asnjë institucion, edhe pse është në mes të ministrive, gjë që e bën pjesë të projektit të godinave qeveritare. Askush nuk e kalon në mendje që të djegë a pshurrë bunkerin e Fatos Lubonjës pranë kryesisë së Kuvendit, që ka të njëjtën domethënie.

Dhe e fundit, djegia e bunkerit është simbolikë dhe jo skenar dhune, pasi asnjë nga protestuesit nuk tentoi të hynte në ministritë që e rrethojnë atë. Nëse dhuna ishte qëllim apo skenar, atëherë pse nuk u kaluan portat e hapura e pa policë të ministrive?

Asgjë më relative s’mund të thuhet, nëse gurët dhe vezët quhen dhunë. Kështu ka ndodhur dhe duhet të ndodhë, jo vetëm në Perëndim, ku përballjet me theks politik këto mjete i kanë pjesë të gjuhës së tyre të komunikimit me palën që kundërshtojnë, por i ka pasur të tilla dhe vetë demonstrata e 21 janarit, deri në momentet e konfrontimeve fatale me policinë.

Në të njëjtën lojë ra edhe Basha dje, kur i kompleksuar bëri gabimin që e distancoi PD-në jo nga dhuna, por nga gjuha e fortë me të cilën u përçua mesazhi i tubimit.

Pas dy vitesh e gjysmë, shqiptarët kanë të drejtë të prekin rezultatet e qeverisjes; ato ekonomike në radhë të parë. I duan tani dhe jo në një kohë të pacaktuar. Mesazhi i protestës ishte kundër varfërisë që po shtohet, kundër korrupsionit dhe mosmbajtjes së premtimeve nga kjo mazhorancë. Në mungesë të jetës më të mirë apo përkeqësimit të asaj që kishin, shqiptarët kanë të drejtë të dalin në rrugë edhe duke thyer ca xhama e djegur ndonjë simbol, që u kujton atyre kohën më të keqe.

Është një diskutim krejt tjetër, nëse opozita është e gatshme ta përfaqësojë apo mbledhë indinjatën e popullit. A ka ajo moralin, besueshmërinë dhe aftësitë për t’i përfaqësuar jo vetëm mbështetësit e saj, por edhe të zhgënjyerit dhe të pamundurit? Kjo mbetet për t’u parë, por s’ka të bëjë fare me çështjen nëse ishte apo jo e dhunshme protesta e së martës.

Për më tepër, të arrestosh njerëzit se hodhën ca gurë drejt zyrave ku duhej të punonin ata që paguhen për t’ua bërë jetën më të lehtë dhe që momentalisht janë nën akuzë për shpërdorimin e parave publike, apo të vësh gjoba qesharake për opozitën, do të thotë se nuk ke marrë asnjë mesazh. As për varfërinë apo për korrupsionin, të cilët edhe nëse heqim gurët, do të mbeten sërish aty.

"Mapo"

Comments

Submitted by Ndoc Dudasi (not verified) on

A e di zoteria ne fjale se kush eshte SaliRameBerisha ? Po qe se e di, atehere' sikur te ishe ti, a do te punoje ne ato zyra, ne momentet kur digjej ajo qe digjej dhe ne zyre te te vinin gure, te thyheshin xhama, te te vinte guri mbi nje kg ne tavoline ? Po ato qe u thyen, a i paguan ti ? Keto qe shkruani, jane PORDHE ME RIGON, per te treguar se edhe une po jap nje mendim ndryshe. , Ke krijuar reagim te kundert, nga ajo c'ka ke fashur te shkruash. Tung.

Submitted by Caj Mali (not verified) on

Akoma shkruan ky handikap nga mendja. I kam te fresketa shkrimet plot urrejtje qe ky shkruante ne fillim te viteve 90-te te RD-ja duke justifikuar revanshin Berishist.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.