Greqi, hetime për 6.3 miliardë euro të depozituara në Zvicër

Postuar në 26 Nëntor, 2015 10:35

Autoritetet greke do të hetojnë mbi një listë me emrat e më shumë se 10 mijë qytetarëve që kanë depozita bankare në Zvicër. Lista, që iu dorëzua qeverisë greke nga administrata tatimore e Rinit verior – Vestfalisë, përmban llogari bankare të hapura në bankat Zviceriane në periudhën 2006-2008, me vlerë të përgjithshme 6,3 miliardë euro.
Sipas ministrit alternat të financave, Trifon Aleksiadis, hetimet mund të nxjerrin në dritë shuma më të mëdha, por edhe më tepër emra, nga 10.588 që përmban lista e dorëzuar nga autoritetet gjermane.
“Shërbimet kompetente do t’i hapin ato llogari dhe do të shohim se çfarë fshihet mbrapa tyre”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se poseduesve të llogarive bankare në Zvicër do t’u jepet mundësia t’i deklarojnë ato, në zbatim të një ligji që do të kalohet së shpejti nga parlamenti. Ndërsa në rastet që do të konstatohet evazion fiskal do të duhet të paguajnë gjoba të rënda.
Ministri shprehu një optimizëm të përmbajtur mbi përfitimet që do të mund të ketë arka e shtetit nga tatimi i atyre llogarive. Ndërkaq, duke folur për raste te tjera listash me depozita të qytetarëve jashtë Greqisë, ai tha se ministria e financave disponon më shumë se pesë lista të tilla dhe se shteti ka inkasuar qindra miliona euro nga tatimi i tyre.
Korreespondenti i Abc News në Athinë raporton se përveç dimensionit fiskal, listat e depozitave greke kanë edhe një përmasë të rëndësishme politike. Në Greqi ende po vazhdon hetimi mbi atë që është quajtur lista Lagarde, dhe që i ishte dorëzuar qeverisë greke në 2010, nga shefja e tanishme e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në listën me më shumë se 2000 emra, përfshiheshin edhe ish ministra të Demokracisë së Re dhe PASOK-ut, ndërsa u penalizua Jorgos Papakonstandinu, ministër i financave në qeverinë socialiste të Jorgos Papandreut.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.