Avazi i legalizimit - politikë e Kuturusë dhe urrejtje për pronën legjitime

Postuar në 21 Nëntor, 2015 15:54

Kryeministri i Shqipërisë ka qenë sot në Roskovec të Fierit ku ka nisur avazin e dashur të shpërndarjes së tapive të shtëpive që legalizohen. Para disa ditësh gjatë një interviste televizive Edi Rama e konsideroi gabim faktin se legalizimin e përdori për fushatë zgjedhore. Sot nuk jemi në fushatë, por një distancim real nga ky instrumentalizim do të ishte që kryeministri t’u shmangej shfaqejeve të tilla sërish. Por larg televizionit nuk jetohet. Pak më poshtë po sjellim një pasazh nga materiali që Zyra e Shtypit e kryeministrit ka shpërndarë për këtë aktivitet, ku ka qenë i pranishëm edhe Artan Lame, drejtues i ALUIZNI-t, një institucion që mund të quhet edhe havaleja e legalitetit:   

“Zotërues i një godine banimi dykatëshe edhe pse e kishte ndërtuar prej 30 vitesh, vetëm sot u bë pronar i saj. “Sot ndjehem pronar në shtëpinë time,” – tha ia. 

 “Fjalën që ke dhënë gjatë fushatës po e bën realitet. Kështu duam të punosh me ne” – iu drejtua një tjetër banor Kryeministrit.

“Je i pari që i jep shtëpinë njerëzve”, - iu drejtua një nga banorët e sapobërë ligjërisht me shtëpi, ndërsa i takoi ta merrte certifikatën e legalizimit nga Kryeministri.

Një nga përfituesit e lejet së legalizimit tregon se kishte aplikuar për të që në vitin 2005, kishte shpresuar fort, por kjo ëndërr nuk i ishte realizuar. “Para dy vjet e gjysmë, ju premtuat. Nuk ju besuan vetëm socialistët, por edhe demokratët dhe një nga demokratët që ju besova jam unë dhe ja ku është e vërteta,” – falenderoi ai.

Ndërsa rrëfen përpjekjet dhe zhgënjimet e dy dekadave për të legalizuar shtëpinë ku banon me familjen, një tjetër banor tha: “Po bëjmë 20 vjet që na kanë gënjyer. Ja e vërteta këtu, sot u bëmë shtëpitë tonat. Faleminderit!”

Skematizmi dhe falsiteti i të gjithë kësaj masakrade do të kuptohej në vitin 2009, por sot ai është krejtësisht antiproduktiv. Sot Shqipëria, realiteti i saj nuk mund të ndërmjetësohet nga zëri i qeverisë, që është përgjegjëse për katastrofën ku po zhytemi. Gjithsesi, materiali i mësipërm u nënvizua për të kujtuar se konkurencën këto zyra shtypi e kanë vetëm me “Bashkimin” e viteve të aksioneve të rinisë.

Po të vijmë në një kontekst tjetër, që e plotëson duke e kontrastuar këtë proces të promovuar nga qeveria, vëmë re se në mënyrë paradoksale, kjo mazhorancë, ky kryeministër, po diskriminojnë disa kategori sociale për t’i hapur gropën sistemit që pretendojnë se ndërtojnë. Tapitë e legalizimeve janë në fakt njohja e praktikës së uzurpimit të paligjshëm që njerëz të ndryshëm kanë bërë ndaj pronës së tjetrit. Pa mohuar se problemi kërkon zgjidhjen e vet, që do të ishte ndoshta urbanizimi dhe përfshirja e pronarëve legjitimë në përfitimin ekonomik nga procesi, duhet të vëmë re se kryeministri dhe qeveria ka gati një projektligj për pronat që është kundër të drejtave bazike. Teksa sot u jep në dorë tapi njerëzve që gëzojnë prona me vlerë që rritet dhe i përgjigjet tregut të zhbalancuar shqiptar, pronarëve u premton kompensim sipas zërit kadastral të vitit të shpronësimit. Këto hile, apo dobiçllëqe të politikës nuk ecin më: Shqipëria përballet me vendimet e Gjykatës së Strasburgut e cila po gjobit pa ndalim çmendurinë tonë; me shkeljen e të drejtave bazë, marrjen nëpër këmbë të legalitetit të vërtetë, atij që buron dhe rregullohet nga praktikat ndërkombëtare të pronës, siç është blerja dhe trashëgimia. Jo. Sot kryeministri kalëron politikën e absurdit dhe kuturusë, preferon të shpërndajë tapi legalizimi, ndërkohë që e nisi qeverisjen me prishje të ndërtimeve pa leje. Legalizon pa asnjë çmim marrëzinë e tranzicionit, pa arritur të dalë dikur në ekran me pronarët që kërkojnë atë që u takon. Nuk do të ishte as anti-ideologjike(kjo sa për sy e faqe) pasi sot zotëria drejton një parti pronarësh, biznesmenësh, dikush është edhe kapobandë, një tjetër akuzohet si trafikant. Gjithë pra të majtë me qostek floriri që ndjekin politikën e “dorës në zemër” deri sa ky vend të shkojë aty ku është nisur.                                                                                                                                                                                                                                                                                  s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.