Basha i qëndron marrëveshjes kushtetuese Rama-Berisha të vitit 2008

Postuar në 15 Tetor, 2015 23:24

Partia Demokratike duket se nuk do të kërkojë ndryshim të sistemit zgjedhor, duke lënë në fuqi atë aktual, ku listat e kandidatëve hartohen nga kryetarët e partive sipas marrëveshjes kushtetuese Rama-Berisha të vitit 2008. I pyetur në emisionin “Top Story” për mundësinë e ndryshimit të sistemit sipas ligjit grek ku partia fituese merr një bonus deputetësh që i sigurojnë mazhorancën e thjeshtë, Basha tha se opozita i mëshon një vullneti të ri politik dhe jo përmirësimeve teknike në ligj.

“Zgjedhjet e lira janë çështje vullneti politik, nuk është çështje ligji, s’është çështje teknike. A bën apo nuk bën ky sistem varet nga mënyra si përdoret pushteti. Kemi qenë sistem mazhoritar dhe i kemi ikur për t’i ikur sistemit të të fortëve. Degjenerimi nuk ka ardhur prej sistemit, por prej vullnetit politik. Para se të bëjmë diagnozën e sistemit të shohim se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. A zgjidhet blerja e votave? Kandidimi i personave me të shkuar kriminale? Jo! Duhet të merremi me këto probleme dhe pastaj të merremi me të tjerat”-deklaroi Basha duke shtuar se ishte për një reduktim të numrit të deputetëve në parlament.

I pyetur për kritikat nga eksponentë të vjetër të Partisë Demokratike, Basha tha se debati brendshëm është meritë e lidershipit të tij.

“Në Partinë Demokratike ka debat më shumë se kurrë më parë në historië e saj dhe kjo nuk është aksidentale, por është produkt i lidershipit tim. Sfida kryesore tek e cila besoj, është liria. Dëshira ime është që kjo të tingëllojë si vlerë kudo ku ka demokratë. Hapja, liria e debatit, mendimit ndryshe, rrahjes së mendimeve, liria për të patur mendimet edhe të kundërta, por brenda kornizës së qëndrimëve të PD.

Aty ku shoh vlera të kritikës mësoj dhe marr më të mirën nga kritika, por qëndroj në një taban të fortë vendimesh dhe vizioni se ku do të shkojë PD. Nuk jemi kuturu, unë e di se ku do shkojmë dhe jam i vendosur ta çojmë PD atje”-theksoi Basha.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.