Shënim: Ministrat e baltës

Postuar në 14 Tetor, 2015 22:23

Dy ministra të qeverisë dolën këtë të mërkurë në konferencë për shtyp për të sqaruar pozicionin e tyre mbi akuza që i implikojnë për favorizime në tendera dhe shpërdorim të detyrës. Të dy ministra të paralelit rozë të koalicionit, thënë ndryshe të emëruar nga Partia Socialiste dhe kryetari Edi Rama.

Të dy dhanë publikisht shpjegime duke e distancuar veten nga ato për të cilat akuzohen. I pari ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj jo pak i përfolur për abuzime me tenderat, por që zyrtarisht ndaj tij nuk ka ende një procedim penal. Raportet flasin për 11 milionë dollarë të fituara në 28 tendera nga kompania e krijuar prej tij “Intech+” në harkun kohor të disa javëve.

I gjithë thelbi I reagimit të tij përmblidhet në një paragraf mbi të cilin ndërtohet retorika e kat'harsisit: sulmi politik nga kundërshtarët, nisur nga suksesi i reformave të drejtuara prej tij. “Dua t’i siguroj të gjithë sot, se balta që vjen drejt meje prej kohësh, tanimë, si reagim për interesat e shkelura që citova më lart, nuk do ta ndryshojë dot drejtimin e duhur të reformës në shëndetësi, e cila do të vazhdojë”-tha Beqaj në deklaratën e tij.

Edhe ministri i dytë, Damian Gjiknuri, firmosës i marrëveshjes së mirëkuptimit me CEZ, dha të njëjtin argument, ndonëse është i kallëzuar penalisht nga Kontrolli i lartë i Shtetit për një dëm ekonomik 479 milionë euro. Sipas tij raporti i KLSH-së që e akuzon atë për shpërdorim detyre përbën veçse një riprodhim të shëmtuar të akuzave të Partisë Demokratike ndaj qeverisë shqiptare.

Rëndësia politike që dy ministrat i japin vetes është një mbrojtje që çalon deri diku, pasi asnjëri prej të dyve nuk ka prodhuar produkt që të nxjerrë zbuluar ose të çojë para përgjegjësisë penale paraardhës të tyre në qeverinë e kaluar. Nëse do ishte kështu, deklaratat e opozitës edhe mund të konsideroheshin si hakmarrje politike. 

Po ashtu nuk është e vërtetuar që prania e Beqajt dhe Gjiknurit në kabinetin e zotit Rama të mbajë në kuota të larta qeverinë dhe Partinë Socialiste dhe kësisoj të shndërrohet në barrikadë për ngritjen politike të opozitës. Po pse ata ndihen të baltosur nga opozita edhe kur akuzat nuk vijnë drejtëpërdrejtë prej saj. A nuk është e njëjta kulturë politike që ata kanë përcjellë nga foltoret e Partisë Socialiste kur ishin në opozitë?

Në rastin e ministrit Beqaj dyshimet u ngritën nga mediat dhe u artikuluan më pas nga opozita, ndërsa për ministrin Gjiknuri kallëzimi penal për shpërdorim të detyrës u bë nga një institucion zyrtar si Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Për akuza që lidhen me zyrtarë të lartë koalicioni ka provuar se vepron me dy standarde, kjo edhe për shkak të konfigurimit me LSI-në. Zyrtarë të saj të gjetur me shkejle nga KLSH i kanë paraprirë shpjegimeve me dorëheqje deri në sqarim të akuzave, ndërsa Partia Socialiste është kokëforte në luftën e saj për të pastruar baltën që po i hidhet padrejtësisht nga PD. Baltë që kushton vetëm për këta të dy, vetëm këtë raund: 490 milionë euro. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.