Robert Budina: Shqipëria nuk ka treg për filma të animuar

Postuar në 27 Shtator, 2015 13:17
Deada Hyka

Si arriti të sfumohej “suksesi” i viteve të regjimit ku numri i filmave vizatimorë ishte i konsiderueshëm?

Shumë e thjeshtë, “suksesi” i prodhimit në masë të filmave vizatimorë i viteve të regjimit, i dedikohet investimit që bënte shteti komunist në përgjithësi për kulturën, të cilën e përdorte për propagandë, ndërsa sot filmi vizatimor i ka mjetet financiare shumë herë më të vogla për të mos thënë të papërfillshme, krahasuar me atë që kushton realisht. Por unë do të thosha që edhe ai “sukses” ishte shumë lokal dhe jo ndërkombëtar, ndërkohë që sot, filmi vizatimor është i detyruar të konkurrojë në fushën ndërkombëtare me vende që e kanë shumë herë më të zhvilluar se ne, në të gjitha kuptimet, formimit, teknikës dhe investimeve. Në atë kohë, krijuesit e filmit vizatimor merreshin vetëm me atë punë dhe e kishin vendin e punës të sigurt, ndërsa sot janë të detyruar të merren me punë të tjera për të mbijetuar dhe vetëm nëse munden, merren edhe me film vizatimor.

Aktualisht, në çfarë stadi qëndron industria e filmave vizatimorë shqiptarë?

Me këto shifra që janë në prodhimin e filmave vizatimorë dhe kostot e prodhimit të tij, nuk mund të flitet për industri të këtij zhanri, ajo tashmë është kthyer si një ndërmarrje artizanale, e cila e ka shumë të vështirë të konkurrojë me teknikat shumë të zhvilluara ndërkombëtare. Sigurisht që filmi vizatimor nuk është vetëm shifër, por mbi të gjitha ide. Duke qenë se unë e kam ndjekur shumë pak këto vite ecurinë e tij, nuk mund të shprehem mbi vlerat artistike të filmave vizatimorë shqiptarë.

Çfarë problematikash ka kjo kategori filmash?

Problematikat janë të shumta, që nga ideja fillestare, gjetja artistike e deri te teknika e realizimit e cila shpeshherë është çelësi i suksesit të një filmi vizatimor, sepse varet tërësisht prej saj veçantia e një vepre.

Duke qenë se edhe filmi vizatimor është i detyruar të mos ngelet brenda kufijve lokalë, pasi si i tillë do të ishte shumë e vështirë të ndiqej, sidomos kur bëhet fjalë për shfaqjen e tij në sallat e kinemave, ai përballet me një konkurrencë shumë të fortë për t’u veçuar dhe për t’u pasur sukses, e për pasojë të gjejë fonde ndërkombëtare për realizimin e tij.

Një tjetër problematikë thelbësore është që filmi vizatimor jashtë ka zhvilluar shumë teknikat e realizimit të tij, ndërsa tek ne si rezultat i investimeve të pakta, ka ngelur ende mbrapa në këtë drejtim, mundësia për të konkurruar në botë është zvogëluar shumë. Tashmë nuk mjafton që animatori të ketë vetëm idetë, por edhe një formim teknik, i cili zhvillohet vazhdimisht dhe ndjek të rejat e teknologjisë i aftë për t’i zbatuar ato. Por natyrisht që kjo kërkon një investim të madh profesional të animatorëve dhe duke mos pasur këtu treg për këtë lloj filmi, kjo bëhet shumë e vështirë të realizohet. Jashtë kostot e filmave vizatimorë, mund të shkojnë në disafish më shtrenjtë se sa një film që xhirohet me aktorë dhe mund të zgjasë shumë gjatë në kohë. Por, nga ana tjetër, filmi vizatimor ka avantazhin që nëse realizohet mirë, mund të ketë një treg më të gjerë se një film i zakonshëm.

Mungesa e tregut është një problematikë tjetër që e kanë të gjitha vendet e vogla për këtë lloj filmi, sepse nuk lejon hapjen e studiove të mesme dhe të mëdha që realizojnë filma vizatimorë me metrazh të gjatë dhe komercialë, të cilët i kërkon tregu. Ndaj vende si Japonia, apo Amerika janë liderë në këtë fushë.

Si qëndrojmë ne, në krahasim me rajonin, për nga prodhimi i tyre?

Nuk kam parë shumë filma as nga rajoni kështu që nuk mund ta di për sa i përket anës artistike, por di që nga ana teknike, në Maqedoni për shembull, ka studio animacioni ku punojnë shumë animatorë maqedonas, të cilët realizojnë filma amerikanë apo edhe japonezë, të cilat u vijnë atyre nga këto vende, sepse u janë përshtatur teknikave të reja të punës me filmin vizatimor, si dhe kanë makineritë dhe personelin e kualifikuar për të përballuar këto kërkesa. Mbase një gjë e tillë duhet të fillojë edhe në Shqipëri, në këtë mënyrë filmi nuk do të ngelet thjesht krijim por edhe industri, e cila për pasojë do të zhvillojë shumë edhe anën artistike.

Çfarë shikoni si zgjidhje për këtë çështje (në syrin e regjisorit)?

Zgjidhja, për mendimin tim, do të ishte në origjinalitetin e idesë dhe të veçantën e teknikës së realizimit të filmit. Mbase duhet rrëmuar në përrallat dhe legjendat tona të moçme, apo dhe ajo pjesë origjinale e realitetit tonë që nuk ndodhet në vende të tjera dhe në të njëjtën kohë është edhe globale. Ideja për një film vizatimor shpesh lind nga gjëra shumë më të thjeshta se sa kur bën një film me aktorë, mund të jetë një ndjesi, një gjë konkrete, një përrallë, apo qoftë edhe një kapriçio të cilën ta lejon ta bësh vetëm filmi vizatimor.

A mund të jenë filmat vizatimorë një biznes i mirë në Shqipëri?

Nëse hapen studio animacioni, të cilat bashkëpunojnë në realizimin e filmave të huaj, si shembulli i Maqedonisë, por edhe në vende të tjera europiane, sigurisht që mund të jetë një biznes i mirë, por gjithmonë kur bëhet fjalë që këta filma do të kapin një treg shumë më të madh se tregu shqiptar, sepse te ne ai nuk ekziston.

"Monitor"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.