Kotzias mbetet ministër i Jashtëm, s'ka ndryshim në politikën greke për Shqipërinë

Postuar në 23 Shtator, 2015 09:47

Rikonfirmimi i Aleksis Tsipras si kryeministër fitues i zgjedhjeve mban të pandryshuar kursin e Greqisë edhe sa i përket politkës së jashtme dhe asaj të mbrojtjes. Dy nga emrat që nuk do të lëvizin nga postet janë pikërisht ministri i Jashtëm Nikos Kotzias dhe ai i mbrojtjes Panos Kamenos.
Riformatimi i qeverisë greke nuk ka prekur në veçanti këto dy ministri që lidhen me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë.
Nikos Kotzias, do të jetë në krye të diplomacisë greke të paktën edhe në 4 vitet e ardhshme për të çuar përpara një politikë të Greqisë për Balllkanin.
Ndryshime pritet të ketë në postet e zv/ministrave me mospërfshirjen në kabinet të ish-zv/ministrit Nikolaos Huntis, i cili ka shprehur mbështjen për grupin që u shkëput nga Syriza. Gjithsesi kjo nuk ndryshon gjë në dokumentin strategjik të Greqisë për Ballkanin. Një vëmendje më e madhe për Kosovën, siç e shprehu edhe në Prishtinë ish-ministri Kotzias, si dhe marrëdhënie reciprociteti me vendet e tjera përfshi edhe Shqipërinë. Githsesi raportet mes dy vendeve nuk janë në nivelin më të mirë të mundshëm për shkak të divergjencave lidhur me kufirin detar, ligjin e luftës, varrezat e ushtarëve grekë, çështjen çame apo njohjen e Kosovës.
Turi ballkanik i ministrit Kotzias në pranverë u përcoll me nota pozitive nga palët, por realisht marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë duket se janë në vend numëro. Kjo për shkak edhe të qasjes së qeverisë shqiptare dhe në veçanti të kryeministrit për të majtën radikale në Greqi dhe kreun e saj, Aleksis Tsipras, i cili ka anulluar dy herë vizitën e programuar në Shqipëri.
Me rizgjedhjen e Kotzias në postin e Ministrit të Jashtëm, Athina dhe Tirana duket se do ecin sërish në një litar të tendosur, për shkak edhe të çështjeve të shtuara të së fundmi të Kishës së Dhërmiut dhe prishjes së koalicionit mes Partisë Socialiste dhe Partisë Bashkimi për Të Drejtat e Njeriut.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.