Helmet e shtatorit dhe Ilir Meta

Postuar në 09 Shtator, 2015 11:25
Artur Zheji

Jemi vetëm në fillim të muajit që bashkon dhe ndan verën e vjeshtën dhe befas na bënë të harrojmë edhe detin, edhe malin, edhe pushimet.

Si një telenovelë e lënë përgjysmë, mbas “Çështjes Doshi”, ku Ilir Meta akuzohej për një histori hollivudiane me plane të stërholluara vrasjesh dhe pusirash, që më pas, pas zhurmës së tmerrshme, ku dhe mbeti në fund vetëm një pluhur i tmerrshëm, tani seriali rifillon sërish.

Rifillon me shumë zhurmë mediatike, gjithaq, me shumë zhurmë parlamentare dhe nuk mungojnë as edhe vringëllima shpatash ndër konferenca shtypi. Një si ethe, apo një si virozë akute për të sulmuar dhe demonizuar Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila, duhet përsëritur shpesh, si na “mëson” edhe Arian Çani, nga zgjedhjet në zgjedhje, rritet, bymehet, shahet, zgjerohet, mallkohet, shumohet, dhe qëndron aty, e vetme me rezultate preferenciale në rritje.

Numra të bezdisshëm padyshim, që ndajnë tortën e influencave politike dhe jo vetëm në tresh, një ekuacion ky, si edhe e kam shkruar, tejet i sikletshëm, sepse Meta, me sa duket me një kokëfortësi të pandryshuar nga vitet dhe humbja në peshë, nuk hap rrugë. Kërkon ndoshta në fshehtësi dhe në mënyrë “quasi konspirative” ta rrisë partinë e tij pa kufij dhe me çdo mjet dhe çdo mënyrë. Sigurisht në këtë ambicie politike, legjitime dhe të “rrezikshme”, që hedh në çdo palë zgjedhje hapa inatçorë përpara, ka shkaktuar në mënyrë të vetëdijshme një tërmet politik të mirëfilltë.

Kjo ndjehet jashtëzakonisht shumë në bazën e Partisë Socialiste dhe në bazën e Partisë Demokratike, nga dhe ku vijnë “akuza” këmbëngulëse se Meta e ka me “të hedhur”, se përkujdesi i tij, tani më i famshëm për “të Tijët”, kudo qofshin ata, në kasolle, banesë pallati, apo në vilë, është një “sekret strategjik” që funksionon, edhe më mirë sesa fjalimet më frymëzuese apo platformat. Duke krijuar kësisoj një disbalancë votash në favor të LSI, që po ta gjykosh simbas progresionit të tanishëm, edhe në zgjedhjet e ardhshme të 2017-s do të ketë një rritje akoma më të madhe, jo vetëm duke gllabëruar pothuajse të gjitha partitë më të vogla, që nga parti kanë mbetur thjesht sigla, por duke shkelur thellë “Vijën e Kuqe” të oborrit elektoral të partive të “mëdha”.

Tani çështja shtrohet: akuzat ndaj Metës, janë një tërësi rastësish, apo ka pas tyre një regji politike?

Apo janë oferta vullnetare nga grupe të caktuara interesi, për të ngritur një gijotinë të tërthortë morale ndaj Ilir Metës, që është në të vërtetë një gijotinë politike ndaj LSI?!

Kjo nuk është një pistë për t’u nënvleftësuar, duke pasur parasysh “regjimin partitokratik” në të cilin ne sot jetojmë, dhe mbi të gjitha gërshetimin e interesave të mëdha, të grupeve të mëdha të interesit, që qëndrojnë de facto, mbas partive politike shqiptare.

I gjithë ky realitet interesash të grupeve ekonomike lihet mjeshtërisht në harresë dhe “zjarri i akuzave” përqendrohet drejt politikanit, në këtë rast drejt Metës.

Deklarata më e fundit e djeshme e Ramës, që nuk sheh asnjë implikim real të Metës në çështjen e CEZ-it, është në të vërtetë një refuzim që kryeministri bën, në dijenitë që disponojmë deri më sot, i ofertës më të fundit për të demonizuar kryetarin e Kuvendit.

Për më tepër, renditja e fakteve më të fundit, përgënjeshtrimi dhe dalja në skenë e emrave të tjerë, si avokati Tim Schreiber i studios ‘Clifford Chance’, apo z. Nepravishta i ERE-s dhe z. Dollapi i KESH-it, të cilët u thirrën në lojën e kësaj çështjeje nga mediat dhe nga vetë Meta në mbrojtjen e tij publike në Kuvendin e Shqipërisë, demontuan sakaq skemën e thurur me art.

Nëse ka pasur vërtet korrupsion me CEZ-in, aktorët përbërës janë të shumtë dhe jo vetëm një, ashtu si edhe u servir në fillim disa ditë më parë, për të trashur helmin mbi një politikan të vetëm, Ilir Metën, Kryetarin e Lëvizjes për Integrim. Për të dëmtuar dhe dobësuar pra politikisht LSI-në dhe askënd tjetër.

Nëse një akuzë për korrupsion ngrihet me prapavijë politike dhe në mënyrë të korruptuar, ajo bie. Bie pikërisht në sytë e atyre, për të cilët ky “kek” i helmuar është mbrujtur, është hedhur në kallëpe, e më pas është nxjerrë nga furra, capakditë më parë.

Ajo bie pra, në sytë e Opinionit publik. Dhe mbi të gjitha, nuk prek dot zgjedhësit e Ilir Metës.

Edhe kësaj radhe.

"mapo"

Comments

Submitted by Tom Collins (not verified) on

Vera iku, vapa po ashtu, por mesa duket Zheji vazhdon ti kete breket e ulura

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.