Letra të vajzave shqiptare të vitit 1909

Postuar në 29 Gusht, 2015 14:05

“Tesheshi” publikon sot një letër shumë interesante të një vajze shqiptare, e cila daton në vitin 1909. Letra e cila publikohet nga z. Vepror Hasani, i është drejtuar gazetës “Korça” nga “Belkis, E bij’ e Mahmud Pash’ Elbasanit” nga “Stamboll, 21 vjesht II-të 1909”. Belkis përcjell shqetësimin për gjendjen e Shqipërisë; “më tundet mendja e ime në këtë cast, dyke kujtumun shkretësin’ dhe varfënin’ e kombit t’onë”.
Në fund “tesheshi” publikon edhe përgjigjen e gazetës “Korça” e cila i gëzohet kësaj letre të një zonje në Shqipërinë e atyre kohëve. “I lutemi Zotit që zonja të tilla t’ia falë atdheut tonë që të mundnjë të shohë pikën e dritës!”, thuhet ndër të tjera në përgjigje. Më poshtë letra bashkë me përgjigjen:

Zot’ i nderçmi Direqtor
Një yll, një shkëlqezë e zjarrtë që del prej artikulave të flakta plot me fjalë të nxehta e të ambla që ka gazeta e Juej, e cila shtypet në një qytet të zgjuar të mëmëdheut tonë javë për javë, po na nderon, po na freskon, edhe tregon detyrat e udhët tona kombëtare, si çashtjen e shqiptarizmit, randësinë e kombit, – për shkurt, – gjithë gjendësinë tonë e nevojat që ka kombi jonë, i mësojmë me anë të kësaj gazete.
T’u-njatë jeta o moj fletë Korçe, o engjëll i bukur i gjuhës sonë. Jetoftë edhe punoftë gjithmonë!

Sa më dridhet zemra e ime, qysh më tundet mendja e ime në këtë cast, dyke kujtumun shkretësin’ dhe varfënin’ e kombit t’onë! Gjer kur vallë o Perëndi, gjer kur na shqiptarët do të mbesim në këtë errësinë të tmerrueshme? Ky fat i keq e ky mallkim i randë gjer kur do të zgjatet? Vrasja e kombeve të tjera që janë shtye në vend t’onë edhe fikja e padijës.
Këqyr o Zot sa keq po na dëmtojnë! Një komb kaq i vjetër e kaq i urtë të jetë sot kaq poshtë!… Të shkelet, të vritet e të copëtohet pa shkak!… Bota të lulëzohet e na të mbesim shkretë… Ah, o Zot, mjaft! Mjaft se shqiptarët si kanë vue (vuajtur) gjer tash për njerëzinë e shumë vendeve edhe mbas tashit (pas kësaj) kanë për të vumun (vuajtur).
(Pas këtyre fjalëve, gazeta është e dëmtuar dhe nuk lexohet. Vijojmë më poshtë):
Ah, të mjerët na, që ende jemi në gjumë, që edhe ma s’i kemi kuptumun nevojat t’ona kombëtare! Më një anë padija, më tjetër anë vorfnia edhe shkretnija, këto tri sende që s’mund ta lanë kurrë një komb të punojë e të jetë i lirë, qysh mund një komb të përparojë?
E dimë mirë të gjithë na, se sot të tanë kombet janë në një luftë të madhe e të pasosme; po hutat (pushkët) e kësaj lufte s’janë arma, plumbi edhe hekuri, po asht penda, mendja edhe puna, apo kroni i këtyre veglave asht mësonjëtorja.
Po prapë them se për fat të keq shumë shqiptarë s’e kanë kuptumun kët’nevojë kaq të madhe!
Mësonjëtore pas shekullit të njëzetë nuk kemi kërkund. Udha të hekurta i shkojnë afër vendit t’onë, por për së largut. Kur këto dy vegla të qytetërimit na mungojnë, kur do të shofim përparim e mirësi në vend t’onë, kur do t’i shofim geg e tosk janë bashkumun në një mendje e zemër e të punojnë, vrapojnë e mundohen për mëmëdhe? Kur do t’i shofim katundarët me buzë të qeshur dhe me ballë të pakujdesun?
Kombi shqiptar këtë mirësi për tashti e pret prej zotnive që janë të zgjumun, që kanë ndjenja kombëtare; edhe padyshim mbasi e kanë hap këtë udhë të shenjtë, kemi për të vajtur përpara, se bashkë me ata do të jenë ndihmëtare edhe femnat, me një fjalë gjithë shqiptarët, i kini mbarë jush.

Belkis
E bij’ e Mahmud Pash’ Elbasanit
Stamboll, 21 vjesht II-të 1909
Botuar te gazeta “Korça”, e enjte, 29 vjesht e II-të, 1909.

Përgjigjja e gazetës “Korça”:
Korça – Këtë letër të vjejtur (të vlerë) shtyllat e gazetës sonë e pritnë me gaz të madh sepse kjo zonjë kurdoherë ka hequr psherëtimet për të mjerin, kombin e saj. Kjo zonjë është (ajo) që protestoi ca kohë, përpara kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme… për shkrimet e ashpra që kish botuar fleta “Tanin” për shqiptarët.
I lutemi Zotit që zonja të tilla t’ia falë atdheut tonë që të mundnjë të shohë pikën e dritës!
Gazeta “Korça” 29, vjesht’ e II-të, 1909
http://tesheshi.com/si-i-mendojme-vajzat-shqiptare-te-para-njeqind-vitev...

***
Kjo letër bëri një farë jehone pasi më 3 dhjetor, e njëjta gazetë publikon letrën “Nga një goc’e Tiranës”, që shprehet e mallëngjyer nga letra e “Belkis”. Kjo letër e dytë është publikuar më herët nga z. Hasani në gazetën "Standard"(http://www.standard.al/belkizja-bija-e-mahmud-pashe-elbasanit-dhe-shkelq...).
PS: Korrigjuar informacioni me sugjerimin e z. Hasani

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.