Shënimi i Ngjelës: Mesa duket, as ky kryeministër nuk e do drejtësinë...

Postuar në 18 Gusht, 2015 20:47

Në një shënim të vetin, Spartak Ngjela pyet se “ku kanë shkuar të gjithë njerëzit e mirë”, perifrazim i një kënge të famshme angleze. Dhe shtron pyetjet: Pse nuk vendoset drejtësia në këtë vend? Pse bëhet sikur e duan drejtësinë shoqërore, kur tani, 25 vjet pas diktaturës, ende askush nuk ka më besim se mund të ketë drejtësi në vendin e tij? “Ai pushtetar që nuk e do drejtësinë, urren pa dyshim popullin e vet; ai pushtetar ose politikan që nuk e do drejtësinë është i korruptuar, vjedhës dhe hajdut vlerash materiale të popullit te tij; ai pushtetar ose politikan që nuk e do drejtësinë është i kapur ligsht nga marrëzia e pushtetit, dhe është kundër historisë. Këta kanë qenë të gjithë ata që kanë shpërbërë drejtësinë në Shqipëri; dhe i kanë lënë shqiptarët në endjen e tyre epike jashtë atdheut të tyre, ose që i kanë bërë që të mendojnë me trishtim mbijetesën e familjes së tyre, jashtë…diku gjetkë, se këtu nuk ka as drejtësi, as punë…por ka vjedhje, abuzim dhe poshtërim të individit.

Punëtori është i poshtëruar, sepse nuk ka drejtësi; zgjedhjet manipulohen, se nuk ka drejtësi; pushtetari vjedh gjithë ditën, se nuk ka drejtësi; intelektuali përbuzet se nuk ka drejtësi të vendosë arsimin cilësor dhe të mos shiten diplomat ku mbështetet korrupsioni shtetëror”, shkruan Ngjela. Dhe konkludon:

“Kështu si duken punët, edhe ky kryeministër, që njerëzit e votuan për drejtësi, nuk ka shenja se e do vendosjen e drejtësisë në Shqipëri… Drejtësia shqiptare sot është leniniste, e korruptuar si ajo që e ka lindur; dhe përsëri leninistët duan të reformojnë drejtësinë me frymë leniniste”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.