Kali dhe njeriu

Postuar në 16 Gusht, 2015 20:27

Kali. Kafsha fisnike, bashkëudhëtare e njeriut, pjesë e pandarë edhe e historisë së qytetërimit. Marrëdhënia mes kalit dhe njeriut zë fill që në kohërat prehistorike, diku te 900 mijë vjet më parë, pas mbërritjes së eohippus – kali i parë – në Europë nga Amerika e Veriut. “Rreth 50 milionë vjet më parë, në pyjet e Amerikës së Veriut, një barngrënës i druajtur, më pak se dy këmbë i gjatë, ushqehej me gjethe dhe fruta. Paraardhësit e kësaj krijese të vogël që tani quhet, eohippus – kali i parë – rreth 1.5 milionë vjet më parë evoluan në atë që sot e njohim si kali. Rreth 900 mijë vjet më parë, kali u përhap nga kullotat e Amerikës së Veriut në Botën e Vjetër, ku me gjasë pati takimin e parë me njeriun”, shkruan revista “Archaeology”.

Në fillim njeriu e pa kalin si burim për ushqim dhe kjo verifikohet nga mbetjet e kockave të kuajve të therur. Bëhet fjalë për periudhën e Paleolitit, në disa site në Eurazi, kohë kur edhe filloi vështrimi i tij ndryshe. “Një kafshë që ndezi imagjinatën e njeriut në një mënyrë që asnjë kafshë nuk e bëri”, shkruan revista, e cila shton se për këtë ka dëshmi, siç janë pikturat në shpellat paleolitike, “ku kali shfaqet më shpesh se çdo kafshë tjetër”. Periudha akullnajore çoi në zhdukjen e tij në Amerikën e Veriut – 9000 vjet më parë . Edhe në Botën e Vjetër, zëvendësimi i stepës me pyje, çoi në zhdukjen e kalit. “Por në stepat ku sot shtrihen Ukraina, Rusia, Kazakistani, Equus caballus, specia së cilës i përket kali i sotshëm, vijoi të shtohej në numër. Diku pas viteve 5000 p.e.s, njerëzit në këtë rajon...mund të kenë provuar zbutjen e tij”, shkruan “Archaeology”.

Pas këtij hapi u kalua te përdorimi për transport të njerëzve. “Mendoj se personi i parë që ka hipur në një kalë ishte një adoleshent ose fëmijë”, thotë arkeologu David Anthony i Hartwick College. “Ndonjë fëmijë do të jetë hipur mbi ndonjë pelë, si për të lozur, dhe të tjerët e kanë parë të mahnitur”, thotë Anthony. Ky akt i parë sipas tij është kuptuar menjëherë në vlerën e vet dhe zbutja e kalit, bashkë me përdorimin e tij për transport, do të sillnin jo vetëm përmirësim të jetës, por edhe një ndryshim më radikal në kulturën njerëzore. “Kuptimi i tyre për largësitë dhe për çfarë ishte e mundur në jetë, do të ketë ndryshuar në mënyrë dramatike”, thotë më tej arkeologu. Që nga ky moment mitet e popujve e vendosin kalin në qendër të besimeve të tyre. I përfshin të gjithë: zotët udhëtojnë me kalë, duke dëshmuar kështu rëndësinë e madje që njeriu i vjetër i jepte kafshës që revolucionarizoi jetën e tij.

Kapërcimi tjetër me shumë rëndësi është përdorimi i kalit për qëllime ushtarake. Kjo zuri fill nga mesi i mijëvjeçarit të dytë para Krishtit, në Lindjen e Afërme dhe në Egjipt, mundësuar nga përmirësimet në konstruktimin e karrocës. Në epokën e Bronzit, karrocat shërbyen kryesisht si platformë të lëvizshme për harkëtart, përveç asaj me katër rrota që transportonte mbretin. Teksti i Kikkulit, një tabelë e zbuliar në vitet 1907-1907 në arkivën mbretërore, në sitin e hititëve, në Hattusa në Anadoll. Teksti kuneiform i përket viteve 1400 p.e.s dhe është dëshmia e një personi nga Siria e sotme që flet për stërvitjen me kalë, e cila zgjat 180 ditë. Karroca e humbet rëndësinë pas vitit 850 p.e.s, por kali jo. Vijmë në epokën e kalorësisë e cila zëvendësoi karrocat, që nisën të përdoren për ceremoni. Në përdorimin e tij si armë lufte, mund të shihet edhe arritja më e madhe e njeriut në përdorimin e një kafshe.

Historia e njeriut me kalin e ruan edhe një paradoks të vetin. Kali e ka origjinën në Amerikë, por 9000 vjet më parë ai u zhduk aty. Për t’u rikthyer shumë vonë, vetëm në vitin 1519, kur Hernan Cortes zbarkoi në Meksikë me 500 njerëz dhe me 15 kuaj. Kundër aztekëve dhe popujve të tjerë, kuajt e Cortesit luajtën një rol kritik. Ky riprezantim transforomoi edhe jetën e indigjenëve në Amerikë, aq sa edhe prezantimi i lokomotivës u kushtëzua në emërtim nga përdorimi i kalit. Ajo u quajt fillimisht “kali i hekurt”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.