Skizofrenia e rendjes pas zbulimit të humorit mes Ramës dhe Metës

Postuar në 12 Gusht, 2015 15:42
Bujar M. Hoxha

Që prej fundit të zgjedhjeve lokale, ka një interes të shtuar për të kuptuar se ç’po ndodh mes Ramës dhe Metës, posaçërisht mes PS-së dhe LSI-së. Dy liderëve të patundshëm në katundet përkatëse u mbikëqyret çdo gjë, mimika, ritmi i ecjes, fjala, e gjithçka që ka të bëjë me qenien njerëzore. Aq të molepsur janë bërë njerëzit këtyre anëve nga një maniakëri e tillë, sa nuk lënë vend pa futur kokën, mjafton që aty të mund të gjendet një shenjë se këta të mësipërmit nuk i kanë punët mirë me njëri-tjetrin.

E për t’i shtënë benzinë zjarrit, seç kujtohen herë pas here ca figura të LSI-së për t’i pickuar aleatët e tyre, si për ta bërë më zhuritëse vapën që na ka ngërthyer. Së fundi na ka dalë lajmi se në shtator Meta do të tërheqë ministrat, e se Rama na paska pritur Fatos Nanon, në një bisedë kokë më kokë për t’i qarë hallin e për t’i kërkuar ndihmë.

Të gjitha këto mund të jenë të vërteta, po kujt i hyjnë në punë? Çfarë e mire i vjen publikut prej kësaj?

Në anën tjetër, te këta të opozitës, ndjenjat janë më të përziera. Ca shfaqen si fort të zemëruar me ish-aleatin që u la shëndenë pa pikë derti vite më parë, ca të tjerë fërkojnë duart, mbushur tërë shpresë se plasja e shamatës tek komshiu mund të nënkuptojë përgatitjen e dasmës tek ta, e një pjesë, trumpirë nga këto lëvizje shahu, e kanë kuptuar se heshtja është gjëja më e mirë që mund të bëjnë, në vend që t’i fryjnë kosit.

Më të lëvizshëm janë ata që kanë mbetur pa një punë në shtet, e që nuk rrinë dot pa të, jo se u ha meraku për të kontribuar për vendin, por prej një ndjenje zilie se dikush tjetër po i fut duart në thesin e madh ku mund të gjendeshin duart e tyre.

Kësaj pune dihet si do t’i vejë halli. Gjërat ka njëzet e pesë vite që riciklohen, të shtuar me elemente: blloku, ngjala, buzëqeshjet meskine, lamtumirat, sharjet e fyerjet gjer në taban, e më pas përqafimet e puthjet tërë jargë nga “dashuria”. Teatri vazhdon të japë të njëjtën shfaqje prej kur nuk mbahet mend, e ne dhe atëherë kur kemi mundësi ta nxjerrim inatin më së paku duke mos votuar, si një lloj rebelimi ndaj mospranimit për t’u marrë për budallenj, bëjmë krejt të kundërtën, shkojmë e hedhim votën që në mëngjes.

Në fund të fundit, a ndryshon gjë nëse Meta e lë Ramën, apo nesër na bashkohet me Bashën? Sigurisht që jo. Se djalli nuk është i bërë njësh me Metën; puna është se ai ka zënë vend te të gjithë!

Nuk lamë gjë pa thënë për qeverinë e Berishës. E në fund morëm frymë thellë kur shpëtuam prej tij. Po ç’ndodhi më pas, mos u zbukurua jeta jonë, mos begatia filloi të dukej anëve tona?

Jo, që jo! Prosperiteti është në anën tjetër, atje ku ne nuk shkelim dot.

Veç palmave të shfaqura ngado, si në një epidemi, asgjë e prekshme nuk ndryshoi në jetën tonë.

Ata që nuk paguanin drita u detyruan të paguanin, në mos provuan birucën. Por në asnjë rast qeveria nuk u kujdes ta niste punën nga koka, t’u përcaktonte dhe të drejtat qytetarëve, e jo vetëm detyrimet, që fatkeqët mos paguanin shifra marramendëse kur ca xhahilë t’u fusnin poshtë dyerve fatura milionëshe.

Aksioni për disiplinimin e furgonëve dhe të shërbimit të transportit në përgjithësi u mek pa nxjerrë gjë në dritë. Ne jemi prapë aty ku ishim, duke duruar autobuzë të pistë, furgona këllirë, shoferë të palarë, e muzikë … Kjo e fundit është tortura më e tmerrshme … Kush ka fare pak shije muzikore, e kupton se ka ardhur fundi!

E njëjta gjë me pikat e lojërave të fatit, kazinotë, e me gjithçka tjetër të këtij lloji. Nisma qe zhurmëmadhe, po përfundimi? Ato i gjen ngado, në çdo rrugicë, trotuar, në çdo kthinë, po aq shpesh sa dhe shitësit e domateve dhe specave.

Merr po deshe rregullimin e qendrave të qyteteve, të trumbetuar me aq hare para zgjedhjeve të fundit. Qendra e Kavajës nuk mund të bëhej më keq nga ç’është bërë. Veç gurë të sheh syri, e pluhur ngado. Pa shije, pa pikë estetike, fund e krye pasqyrë e boshësisë në të cilën jetojmë. Në Durrës, në sheshin e sapoinauguruar, pjesët kufizuese të rrugës filluan të shkulen që prej ditës së parë, si të ishin prej kartoni. Papërgjegjshmërinë e gjen aty ngado, që te stolat prej betoni, që në të rrëshqittë këmba, e thyen kokën pa një pa dy.

Aq i mbarë ka qenë pushteti për ca, sa tani, po kalove ylberin, nga vajzë nuk bëhesh më djalë, por të ndodh që në vend që të shohësh Sopotin në futboll, e gjen veten në “Santiago Bernabeu”, duke iu gëzuar talentit të Ronaldos! Jo se nuk ka ndodhur më parë, por thjesht dua të tregoj se asgjë nuk ka ndryshuar.

Kryetari i ri i bashkisë së Tiranës vijon t’i bjerë të njëjtit fyell. Le që i bie me shqelm gjithçkaje që ka lënë paraardhësi, por ndjek të njëjtin zanat, e merr me vete ngado një tufë kameramanësh e gazetarësh, tamam si ai që shkoi. Nuk e kupton, a nuk do ta kuptojë se po bën detyrën, e asgjë tjetër të jashtëzakonshme. E kësisoj nuk ka nevojë të na kapërdiset majë ekranit, se vetë e kërkoi atë post, bile duke lypur vota, e nuk po bën sakrificë, por thjesht po përmbush atë për të cilën na u krenua se e bënte si nuk ka më mirë. E di si është puna e tij? Njëlloj do të ishte sikur një murator të kërkonte kamera rreth tij që ta regjistronin kur të vinte tullat një mbi një! Po a ka kuptim kjo? Përgjigjen mund ta kurseni, se është lehtësisht e nënkuptuar.

E në fund, si të ma kishte ndjerë shpirti, bashkë me gushtin nisi dhe zallahia e pushimeve kryeministrore. Zahoja ku do pushojë? Po ky dreq helikopter ç’dreqin do mbi kokën e kryeministrit e na i bën zhurmë? Mbase asgjë prej këtyre nuk është e vërtetë, por hajde merre vesh pse kjo paria jonë nuk na i kursen asnjëherë as këto ditë gushti, kur edhe vetëm me brekë plazhi kërkon të na e zaptojë ditën!

I parashtrova këto të gjitha, jo për qëllime analize, por për t’u thënë o njerëz se nuk ndryshon gjë nëse Rama e Meta i kanë ftohur marrëdhëniet, nëse e prishin marrëveshjen, nëse ky i fundit kthehet nga Basha, a nëse asnjëra nga këto nuk ndodh. Mos u merrni me ta, me humorin e tyre, se për sa kohë nuk nxjerrim një Cipras mes nesh, do vazhdojmë të jetojmë në këtë hapësirën tonë të ngushtuar dita-ditës, e ata, me soj e sorollop, do vijojnë të kapardisen si gjeli majë plehut!

"tesheshi.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.