Qyqi Basha! Edhe në Dublin do ta ketë ferrë pas vetes …

Postuar në 05 Mars, 2014 15:56

Disa agjenci lajmesh kanë dhënë lajmin se në Dublin, në forumin e partive popullore europiane që do të mbahet këto ditë (në datën 6 e 7 mars), do të shkojë tok me Bashën dhe ish kryeministri Berisha, dhe kështu strategjia e lënies në hije të kreut de jure të PD-së po shtrihet dhe përtej Shqipërisë. Bën vaki që të jetë Basha ai që do flasë (nëse do t’i jepet fjala delegacionit shqiptar), por ky fakt nuk e nxjerr dot atë nga zona e eklipsit. Për një arsye shumë të thjeshtë. Basha do të thotë atje ato që Berisha ka qejf të dëgjojë. Dhe nuk është se në këtë mes ndikon fakti që Berishën do ta ketë pullë poste pas vetes, dmth do ta ketë dhe redaktorin e fjalës së tij. Jo, hiç fare. Edhe pa redaktorin e tij në krah, ai i ka mësuar përmendësh tanimë tezat që duhet të belbëzojë në çdo rast. Sidomos tezën kryesore, sipas së cilës në Shqipëri po bëhet nami, po dhunohen ligjet, kushtetuta, institucionet, po dhunohen qytetarët, po largohen të gjithë nga puna, etj, etj.

Berisha e ka pasur zakon gjithë kohën që të shfryhet kundër kundërshtarëve në çdo kryeqytet të Europës e të botës (kam qenë i pranishëm në një rast, në Bruksel, para vitit 2005, kur i thosh një salle të mbushur dingas me europarlamentarë, se Fatos Nano ish i përfshirë në trafikun e fëmijëve!!!), dhe nuk duhet të kemi pikën e dyshimit se ai do të këndojë të njëjtin avaz, do të flasë, me gojën e Bashës pra, për dyshen Rama e Meta si për një dyshe mafiozësh e vrasësish. Do ia vënë veshin? Nuk duket se konservatorët e Europës kanë kohë të dëgjojnë çaprashitje të tilla, por mesazhet e dhëna, edhe me ndihmën e Grossruck-ëve, Pack-ëve e Daul-ëve, mund të bjenë “ashtu si duhet dhe ashtu si pa dashje” në veshët e do njerëzve që kanë në dorë fatin e kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Për më tepër, është e logjikshme që fati i këtij statusi të varet shumë edhe nga ajo që thotë opozita. Kështu ka qenë deri më sot.

Sidoqoftë, kur të kthehen në Tiranë, B&B-ja do të rimarrin poza patriotike, e do të bërtasin në favor të marrjes së statusit. Në mos, do të marrin poza nacionaliste, e do të padisin armiqtë e Shqipërisë që, në bashkëpunim me Ramën, duan ta lënë Shqipërinë pa status.

 

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.