Një letër drejtorit të ALUIZNI-t; me shpresën se do gjejë kohë për një përgjigje

Një zonjë më shkruante dje në Facebook, dhe më kërkonte të ftoja në programin tim ‘Jamais Vu’ Artan Lamen, dhe ta bëja atë të shpjegohej qartë, dhe njëherë e mirë, lidhur me apartamentet e pahipotekuara. Kish ndjekur konferencën për shtyp të drejtorit të ALUIZNI-t, por do donte nga ky të ish më konkret në mënyrë që njerëzit që kishin hallin e saj, apo halle të ngjashme, të kuptonin më në fund se ç’do ndodhë me ta.
Ja situata e saj (po i bëj një résumé letrës së saj):
“Unë apartamentin e kam blerë me një kontratë të rregullt e të noterizuar, dhe ndërtuesi, në momentin e nënshkrimit të kësaj kontate, më ka premtuar se do t’më jepte hipotekën në dorë në harkun e tetë muajve të ardhshëm; 70% të vlerës së apartamentit e kam paguar në sajë të një kredie bankare, dhe si kolateral, deri në momentin që do të më jepej në dorë hipoteka e premtuar nga ndërtuesi, kam vendosur një pronë të njerëzve të afërm; kam shkuar në Bashki, te ALUIZNI, e ku nuk kam shkuar, por askush nuk merret me mua, pasi – kështu më thonë – ti nuk je palë në këtë muhabet; madje, ka pasur edhe që më kanë thënë që ‘ty nuk të njohim fare, pasi ke blerë një pronë të pahipotekuar; prandaj, zgjidhe këtë punë më atë që ta ka shitur apartamentin’; ndërkohë, kompania ndërtuese më thotë se e ka plotësuar të gjithë dokumentacionin në rregull, dhe po prêt hipotekimin; ndjekim lajmet mbi këtë çështje, por ato janë shkel e shko, me informacion të pjesshëm e të copëtuar, dhe unë nuk kam mundësi të marr vesh se ç’do të bëhet me këtë hall”. Dhe mesazhin e mbyllte me ca fjalë, që mua më duken se nuk kanë të sharë: “Sikur të kisha uzurpuar tokën e dikujt tjetër, dhe të kisha ndërtuar pa leje, do të isha trajtuar me më shumë merak, dhe ndoshta do ta kisha futur me kohë dokumentin e legalizimit në xhep. Faleminderit nga V.”
I premtova autores së letrës online, se do të bëj një gjë më të kollajtë e më të shpejtë se sa një program TV. Do të informoj lexuesit e ‘Ditës’ lidhur me këtë situatë. Do ta bëj këtë me bindjen se drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame e lexon rubrikën time ‘Zululand’, dhe me shpresën se ai, me t’u njohur me këtë situatë, do të gjejë pak kohë, do të marrë penën në dorë (si i penës që është), dhe do t’i japë një përgjigje të plotë, të hollësishme e konkrete Zonjës ‘sime’ V., dhe mijra të tjerëve që kanë të njëjtën hall.
Dita
Add new comment