Berisha ka nevojë për serum; të gjithë ne po ia japim

Ka vetëm pak ditë që shkruajta se “Berisha ka marrë fund, e prandaj duhet ta lëmë të gjithë në idiotësinë e marrëzinë e vet”. Nuk është se nuk e kam parë që ai s’ka as dëshirën e gatishmërinë më të vogël për t’u tërhequr. Nuk është se më ka ikur nga sytë, gjithashtu, fakti që PD-në, pasi e ka kriminalizuar, e ka të tërën nën hyqëm. Nuk është se nuk e di që shumë struktura e institucione publike e të shtetit janë ende në dorë të tij (me ndihmën e Visho Ajazëve). Nuk është se më ka gënjyer mendja në ndonjë rast se dikush nga brenda PD-së mund ta rivalizojë. Thjesht kam qenë gjithë këto muaj me idenë se koha e tij ka ikur, dhe se loja e tij ka marrë fund.
Mirëpo, sikur po duken ca shenja se nuk është tamam kështu. Mass-media po tërhiqet zvarrë prej protagonizmit të tij. Nuk ka patur ditë që të mos ia kenë raportuar çdo çaprashitje në facebook si lajm. Nuk ia kanë nxjerrë gjithnjë si lajmin kryesor, por kjo s’i prish asnjë punë atij, pasi ai ka mbetur personazh i kronikës politike, dhe është pikërisht kjo që ai do. Do gazeta (Dita, Tema, e ndonjë tjetër) po vijojnë pa u lodhur me denoncimin e zullumeve e të krimeve të tij, dhe kam frikë se kjo sjellje është medalje me dy anë. Afërmendsh, denoncimi i krimeve të Berishës është gjëja e parë që duhet bërë nga media, por nga ana tjetër është po kjo fushatë denoncuese që shërben si karburant për makinën e protagonizmit të tij që, duhet thënë kjo, mbahet e ndezur prej ca leshkosh që Berishën e shohin thjesht e vetëm si të korruptuar. Mirëpo, nëse Berishën e shohim thjesht si të korruptuar, ai automatikisht relativizohet si problem, dhe në këto rrethana leshkot tanë s’e kanë për gjë, dhe s’e kanë gabim xhanëm, të arrijnë në përfundimin, se “të gjithë njësoj janë”.
Ndërkohë, Berishës i bëhen krah dhe lidhjet ndërkombëtare. Doris Pack shfaqej e shqetësuar nja dy javë më parë për tentativën e kësaj qeverie “për të marrë nën kontroll TVSH-në”. Wolfgang Grossruck, sillet nga sillet, e kujtohet për t’i bërë ndonjë vizitë në Tiranë. Jonathan Moore ish në Tiranë gjatë dhjetorit, dhe nuk harroi të bënte një takim të përzemërt me të. Alexander Arvizu, që Berishës nuk do donte t’ia shihte më surratin, u pa këto ditë, kush e di se me urdhër të kujt, t’i shkonte Berishës në zyrë për një bisedë. Më në fund, flitet se vetë Berisha po pret një ftesë nga dikush në Departamentin e Shtetit (nuk është çudi që sekserët e Podesta-s të paguar me paratë tona të vijojnë të bëjnë të vetën). Nëse kjo e fundit është e vërtetë, atëherë s’na mbetet gjë tjetër, veçse të vijojmë t’i bëjmë hesapet me Berishën në krye të opozitës. E nëse drejtësia nuk do (do të vonojë) të veprojë mbi të, na duhet neve të jemi vigjilentë. Si zgjedhës.
Dita
Add new comment