Strategu i vrimës në ujë

Postuar në 22 Prill, 2026 16:51

Edi Rama ka tashmë 14 vjet në pushtetin qendror në Shqipëri. Dhe sikurse ndodh rëndom me modelet e një suksesi të vazhduar, ai nis e ndikon psikologjinë e njerëzisë që e ka për instinkt të akomodohet në realitetet e reja. Në këtë kuptim, por edhe në kontekstin e një shpërndarjeje privilegjesh, ne duhet ta shohim sajdisjen ndaj z. Rama jo thjesht si akt servilosjeje, por si psikologji analize që merr objektivitetin e vet pikërisht nga referimi te pushteti i tij.

Aq e vërtetë është kjo, saqë është e vështirë të gjesh në analizat apo komentet për z. Rama ndonjë gjë që ta bëjë atë si të gabueshëm. Lexoni p.sh se çfarë shkruan një gazetar që quhet Skënder Minxhozi për z. Rama:

Në këtë shah me shumë lëvizje Edi Rama është një lojtar që pëlqehet vetëm formalisht nga pala greke. Ai shihet madje si problemi kryesor. Teksa ai i përulet ne gjunjë Melonit dhe e fton atë të kalojë pushimet në Shqipëri (pasuar nga hapja e portave për një qendër refugjatësh), Micotakis nuk e viziton Tiranën në një vizitë dypalëshe që nga viti 2022. Periudhë e gjatë po të merren parasysh ecejaket e Ramës në Romë, apo afërsia me Erdogan e liderët evropianë, çka duhet të ketë rrudhur shumë buzë në kryeqytetin helen.

Mos harroni, Rama është kreu i forcës politike që paditi marrëveshjen detare në Gjykatën Kushtetuese, e cila e rrëzoi me votë unanime. Mos harroni gjithashtu që ai është i pari kryeministër i Shqipërisë që ka futur zyrtarisht në programin e qeverisë së parë në vitin 2013 “çeshtjen çame”. Një krisëm në mes të një koncerti! Më tej akoma, Edi Rama është ndër politikanët e rrallë të Tiranës zyrtare që ka akuzuar Greqinë se po bën “një politikë të vjetëruar në Ballkan”, duke e detyruar homologun e tij grek të evitojë një krizë të re, duke gjetur një formulë justifikuese për mediat greke…

Deformimi me të cilën interpretohet këtu historiku I ngjarjeve është evident. Sepse në të vërtetë që nga marrëveshja e vitit 2009 – e cila nuk u ratifikua në Parlamentin e Greqisë – e deri më sot, pala greke nuk ka dëshmuar ndonjë obstruksionizëm të posaçëm. Në vitin 2018, ishte z. Rama që braktisi negociatat me Greqinë, duke lëshuar rrugën në një proces që rishikoi shumëçka nga marrëveshja e vitit 2009.

Mënyra sesi z. Rama menaxhoi çështjen “Kacifas” dhe mandej incidenti I stisur me një kishë në Dhërmi, apo edhe prrallisjet e tij për lagjet e Athinës, sikurse edhe ulërimat nga stadiumet e Athinës në fushatë, ilustrojnë dy gjëra: së pari se ky njeri nuk ka një politikë për marrëdhëniet me Greqinë. Një politikë reale synimesh dhe objektivash, por ka vetëm kompleksin e përgënjeshtrimit të asocimit me helenizmin qoftë në origjinë, qoftë në preferencë. Kjo dëshmohet nga incidentet që sjellin nervozizëm, por asgjë më shumë.

Së dyti, heshtja me të cilën pala greke kaloi qëndrimet e z. Rama pas rastit “Beleri” flet së paku për një gjë: njohjen e tij si një klloun që nuk duhet marrë për atë që shitet. Ai është kryeministri i Shqipërisë, ai është një palaço në skenën politike ndërkombëtare, ai ka pushtetin politik në vend dhe pushtetin e shumëpërdorimit e për pasojë do trajtuar si i tillë. Le të vëmë në dukje se togfjalëshi “marrëdhëniet shqiptaro-greke janë të ftohta” nuk preku kurrë qytetarët. Në asnjë marrëdhënie. Dhe kjo na tregon se në Athinë dinë të ndajnë shqiptarët nga qeveritarët e Tiranës që kolliten përherë gjetiu.

Asksush nuk do t’i shohë këto si shfaqje të një njeriu të frustruar, pikërisht për shkak të atij kompleksit ndaj “grekut” që dominon një pjesë të mediave dhe politikës në Tiranë. A ka një bilanc ky njeri? A ka një arritje që të debatohet, apo vlerësohet? Ku na shkoi kjo çështja “çame” që u fut në program? A beson kush se z. Rama ka një program?!

Nëse do të evidentohej në këtë mënyrë analiza, do të shmangeshin venerimet në ajër që janë për të ardhur keq. Shikoni se çfarë shkruan në gazetën “Tema” autori me emrin Vilant Xhori në të cilin ai krahason Edi Ramën me Josip Broz Titon.

…krahasimi me Titon mund të funksionojë thjesht si metaforë, por jo si ekuivalencë. Kjo sepse Tito ishte arkitekt i një rruge të tretë në një botë të ndarë. Rama është navigues në një botë ku rrugët janë të shumta, por ai mbetet i qartë në destinacionin pro Evropian. Pra, ndërsa Tito ndërtoi një lëvizje globale, Rama menaxhon dhe prezanton një profil kombëtar brenda një sistemi ndërkombëtar tashmë të konsoliduar

Vetë ideja që dikush të sjellë në rend krahasimi këto dy figura, tregon subjektivitetin që sjell si pasojë pushteti. Jo vetëm për shkak të përmasave, apo edhe tipologjisë arkitekt- navigues, por edhe për shkak të faktit se Edi Rama nuk ka një politikë reale. Ai është diplomat i vetes së vet, pajton në dispozicion i salloneve të diplomacisë për të cilin destinacioni europian është një hipotekë e lënë nga të tjerë, jo ndonjë objektiv i vendosur prej tij.

Nën cilat presione navigon z. Rama? Le të kujtojmë se edhe një kërkesë direkte dhe e vështirë që iu bë për armët kimike siriane nga SHBA, ai e refuzoi nga frika e protestave brenda. Ai artikuloi një Jo që ishte shpallur si vullnet në shesh.

Nuk kemi të bëjmë me një navigues, por me një manifestues të vanitetit të vet, një personazh që reciton lavdi frazash dhe deklamimesh nga Beogradi në Bruksel, një provokator fshati dhe asgjë më shumë. Një sharlatan si vetë Shqipëria e sotme e një kulture të bazuar mbi imitime, dukje, servilizëm dhe kaos. Janë kultura si këto tonat që ndërtojnë obeliskun e vetes për arsyen e thjeshtë se kjo është edhe narrativa që ka mbetur.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.