Çaprashitja e Barroso-s dhe Skocia që nuk është as Shqipëri e as Kosovë

Qeveria skoceze ka vendosur që më 18 shtator të këtij viti të mbahet një referendum, në të cilin zgjedhësit do duhet t’i përgjigjen me një ‘po’ ose me një ‘jo’ pyetjes: Doni që Skocia të jetë një shtet i pavarur? Kjo lëvizje ka provokuar një shqetësim në Londër, por asgjë më shumë se sa kaq, pasi një referendum të tillë askush nuk mund ta pengojë dhe rezultatit që do të dalë prej këtij referendumi askush nuk mund t’i japë munxët. Jemi në Britaninë e Madhe, jo në Jugosllavinë e Millosheviçit. Nëse shumica e skocezëve do duan të shkëputen prej Britanisë, atëherë do të kemi një shtet të ri në Europë.
Por duhet thënë se kjo lëvizje, më shumë se sa në Londër, ka sjellë shqetësim në BE, pasi krijimi i një shteti të ri nga këto anë – kështu besohet nga ca e ca në Bruksel – shkon në drejtim të kundërt me një tendencë e projekt unifikimi në Europë. E përveç kësaj, me këtë ngjarje hapet dhe një lojë e rrezikshme, pasi në disa vende të Europës së Bashkuar, si Spanja, Belgjika, etj, ka forca e faktorë që synojnë shkëputjen dhe pavarësinë nga shtetet e mëdha ku bëjnë pjesë. Këto dy arsye (ndoshta edhe ndonjë dëshirë a taktikë e komisionerit të BE-së për të trembur votuesit skocezë disa muaj përpara votes) e kanë bërë Barroso-n që të shpikë idenë e refuzimit të kërkesës për anëtarësim që mund të bëjë Skocia e pavarur nesër. “Do të jetë e vështirë, në mos e pamundur, që BE-ja të bjerë dakord me idenë e një anëtari të ri që del nga gjiri i një anëtari të vjetër”, u shpreh ai për BBC-në. Pas kësaj bëri një krahasim kuturú të Skocisë së nesërme me Kosovën e sotme. Dhe tha gjithashtu kuturú: “Spanja që nuk ka njohur Kosovën si shtet, nuk do të njohë as Skocinë”.
Tani, shqetësimi i Barroso-s, së pari si President i Komisionit Europian, dhe së dyti si një europeist i bindur, edhe mund të ketë kuptim e logjikë në këto rrethana, por ndërhyrja e tij është brutale, dhe mund të shkaktojë fare kollaj atë që ai dëshiron ta evitojë. Shumica e skocezëve janë me idenë për të mos u ndarë nga Britania e Madhe (sondazhet tregojnë se afro 30% janë në favor të pavarësisë; mbi 40% janë kundër; 30% të tjerë janë të lëkundur), dhe nuk është çudi që kjo futje hundësh aspak elegante mund të mobilizojë e motivojë votuesit të bëjnë të kundërtën e asaj që dëshiron Barroso. Njerëzit e popujt që kanë respekt për veten nuk janë të prirur të pranojnë sjellje të tilla paternaliste e kërcënuese; e aq më pak janë të prirur të pranojnë çaprashitje si të Barroso-s, kur thotë se Skocia nuk mund të pranohet në BE. Se me ç’logjikë do t’i thuhet ‘jo’ Skocisë së pavarur në BE, e cila i plotëson të gjitha kriteret për të qenë atje brenda, këtë veç Barroso e di.
Dita
Add new comment