Titaniku amerikan dhe ajzbergu i qytetërimit modern

Kur puritanët anglezë kaluan Atlantikun në shekullin XVII, ata nuk kërkonin thjesht një tokë të re, por mundësinë për të ndërtuar një shoqëri mbi themele morale e shpirtërore. Ata përfaqësonin diçka më shumë se sa një bashkësi besimtarësh në kërkim të lirisë fetare.
Nga pikëpamja antropologjike, mishëronin një koncept të veçantë të njeriut: qenie që duhej ta formësonte vetveten përmes punës, disiplinës, përgjegjësisë morale dhe shqyrtimit të pandërprerë të ndërgjegjes.
Ata sollën në Botën e Re jo vetëm një besim, por edhe një mënyrë të të qenit njeri, ku liria nuk kuptohej si çlirim nga çdo detyrim, por si aftësi për t'iu nënshtruar një ligji të brendshëm moral. Megjithatë, këtu shfaqej edhe kontradikta e tyre. Sepse ndërsa kërkonin lirinë e ndërgjegjes së vet, jo gjithnjë ishin të gatshëm t'ua njihnin të tjerëve.
Historia amerikane nisi kështu me një tension midis idealit universal dhe kufizimeve të njeriut që pretendon ta mishërojë atë. Pikërisht ky tension përmban një nga paradokset më të mëdha të qytetërimit modern. Liria, kur shkëputet nga përgjegjësia, fillon të hajë vetveten.
Në fillim, njeriu kërkon të çlirohet nga autoritetet që ia kufizojnë mendimin. Por, më pas, i bindur se çdo kufizim është një cenim i lirisë së tij, nis të dyshojë edhe te normat që e bëjnë të mundur bashkëjetesën. Ai kërkon të drejta, por gjithnjë e më pak detyrime. Kërkon të dëgjohet, por humbet durimin për të dëgjuar tjetrin. Kërkon të zgjedhë gjithçka, por nuk e ndien më nevojën të shqyrtojë vlerën e zgjedhjeve të veta. Kështu, liria e jashtme mund të zgjerohet ndërsa liria e brendshme tkurret.
Njeriu bëhet sovran i dëshirave të tij, por jo domosdoshmërisht zot i vetvetes. Dhe një shoqëri individësh që nuk dinë të kufizojnë veten, herët a vonë, fillon të kërkojë një pushtet që t'i kufizojë nga jashtë.
Alexis de Tocqueville, duke studiuar demokracinë amerikane, dalloi në të prirje që i përkisnin së ardhmes së Evropës: barazia e kushteve mund ta çlironte individin nga hierarkitë e vjetra, por njëkohësisht mund ta izolonte dhe ta bënte të varur nga një pushtet kujdestar. Amerika ishte për të një vend ku mund të vëzhgonte më qartë fatin e mundshëm të shoqërive demokratike.
Sot, shqetësimi i tij mund të shtrihet edhe më tej. Në një botë ku teknologjia shumëfishon mundësitë e zgjedhjes, njeriu rrezikon të humbasë aftësinë për të dalluar atë që dëshiron nga ajo që ia vlen të dëshirohet. Liria e shprehjes, pa kulturën e arsyetimit, mund të shndërrohet në zhurmë.
Pluralizmi, pa respektin për të vërtetën, kthehet në një treg bindjesh të papajtueshme. Demokracia ruan mekanizmin e saj, por dobëson shpirtin që duhet ta vërë në lëvizje.
Amerika e sotme e bën këtë kundërthënie mjaft të dukshme. Është një shoqëri me fuqi gjigande ekonomike, shkencore e teknologjike që përballet me polarizim, mosbesim e vështirësi për të ruajtur gjuhë të përbashkët qytetare. Por do të ishte gabim ta shihnim këtë vetëm si krizë amerikane.
Nëse tensione të tilla shfaqen në një vend me traditë të gjatë të vetëorganizimit dhe kontrolli të pushtetit, çfarë ndodh në shoqëritë ku institucionet janë të brishta dhe ku individi ka qenë historikisht shumë i varur nga autoriteti, fisi apo klientela? Shoqëria shqiptare e, më gjerë, ajo ballkanike, nuk mund ta vështrojnë këtë dramë nga largësia e një spektatori. Qytetarët kanë mësuar të kërkojnë të drejta, por jo gjithmonë të ndërtojnë një marrëdhënie morale me to.
Në këtë aspekt, metafora e Titanikut fiton një kuptim më të gjerë. Anija gjigande u mbyt sepse fuqia ushqeu besimin e tepruar në sigurinë e saj. Edhe qytetërimi modern mund të ngatërrojë shpejtësinë me drejtimin, përparimin teknik me përparimin njerëzor dhe shumëfishimin e lirive me pjekurinë për t'i ushtruar ato.
Ajsbergu i tij nuk është domosdoshmërisht një armik i jashtëm, por zbrazëtia morale që krijohet kur individi kërkon liri pa vetëpërmbajtje, barazi pa përgjegjësi dhe mirëqenie pa një kuptim më të lartë të ekzistencës. Në këtë gjendje, liria nuk shkatërrohet vetëm nga ata që e kundërshtojnë.
Ajo gërryhet edhe nga ata që e përdorin pa e kuptuar se mbijetesa e saj kërkon virtyte që asnjë ligj nuk mund t'i prodhojë me detyrim.
Prandaj pyetja nuk është nëse Titaniku amerikan do të fundoset. Historia nuk njeh përfundime kaq të thjeshta, dhe shoqëritë kanë dëshmuar aftësi të papritura për t'u ripërtërirë. Pyetja është nëse njeriu modern mund ta rikthejë lidhjen midis lirisë dhe ndërgjegjes, përpara se të kërkojë shpëtim te një autoritet ekstrem që do t'ia marrë përsëri lirinë në emër të sigurisë.
Sepse demokracia nuk rrezikohet vetëm kur pushteti ia rrëmben njeriut të drejtën për të zgjedhur, por edhe kur njeriu, duke e ruajtur atë të drejtë, humbet aftësinë për të gjykuar. Dhe nëse Titaniku amerikan rrezikon në mes të oqeanit, kjo nuk do të thotë se anijet më të vogla janë më të sigurta.
Ajsbergu nuk pyet për madhësinë e anijes

Add new comment