Protesto  me art

Postuar në 20 Tetor, 2026 15:15
Ilir Muharremi

 

Dëgjomë, o student. Dëgjomë, o vajzë, o djalë, që e ke zemrën plot dhe duart e mbushura me zemërim.Ke të drejtë të jesh i zemëruar. Ke të drejtë të kërkosh, të bërtasësh, të mos heshtësh më. Askush nuk ta merr këtë të drejtë. Por dëgjo se çfarë po të them: luftën tënde mund ta fitosh vetëm me art.

Vetëm me art, sepse gurët nuk të sjellin drejtësi, të sjellin vetëm një dosje në polici dhe një titull që thotë "të dhunshëm".
Vetëm me art, sepse pushteti ka frikë nga një këngë më shumë se nga një gur. Gurin e kupton dhe e përgjigjet. Këngën nuk e kupton dot, nuk e ndalon dot, nuk e fshin dot.

Vetëm me art, sepse arti është arma që nuk i jep kurrë shkak armikut.

Merre violinën dhe luaje para Kryeministrisë, derisa muret të dëgjojnë.
Merre vallen dhe vëre këmbën në tokë me një ritëm që e dridh sheshin.
Merre penelin dhe bëje çdo mur një akuzë të bukur.
Merre heshtjen dhe bëje bori, me libra në duar dhe shirita të kuq e të zi mbi gojë.
Merre poezinë dhe lexoje me zë të lartë, ku të të dëgjojnë të gjithë.

Le ta dijë çdo student: nuk është më i fortë ai që godet, por ai që mban zemërimin dhe e shndërron në bukuri. Nuk është më i guximshëm ai që hedh gurin, por ai që qëndron i qetë përballë gjithë atij pushteti dhe thotë: unë jam këtu, dhe nuk po ik.

Gurët e ndajnë popullin: të frikësuarit rrinë në shtëpi, të vetmuarit mbeten në rrugë.
Arti e bashkon: të gjithë mund të këndojnë, të gjithë mund të vallëzojnë, të gjithë mund të mbajnë një pankartë të bukur.

Bashkohuni, studentë!
Mos ia jepni pushtetit atë që po pret: pamjen e dhunës.
Jepini atë që nuk pret: një brez që këndon, që vallëzon, që ngjyros, dhe që nuk mund të thyhet.

Sepse historia nuk i kujton gurët. Historia kujton këngët.

Prandaj le të jetë kjo thirrja jonë, nga Tirana në çdo cep të Shqipërisë:

Pa gurë. Pa dhunë. Vetëm me art, vetëm me zë, vetëm me dinjitet.

Dhe do të fitojmë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.