Kryqëzata mbrojtëse e Europës

Postuar në 05 Tetor, 2026 18:34

Zgjerimi i Bashkimit Europian sa vjen e ndryshon paradigmën e vet të zgjerimit duke relativizuar disi standardet për dimensionin strategjik. Për vende si Shqipëria që pretendojnë se ëndërrojnë që kanë qenë dhe janë europiane ndryshime të tilla janë shpresë objektive se dikur do të jenë me të vërtetë në mjedisin juridik dhe politik të Perëndimit.

Mbi këtë lëvizje të madhe që as mund të mendohej para disa vitesh, tani po ecet me ritme të shpejta edhe në plan zyrtar. Në një fjalë të mbajtur në Natolin të Polonisë, kreu u Këshillit të Europës, Antonio Costa, u shpreh se ndonëse çdo vend duhet të vlerësohet individualisht, “në bazë të progresit dhe arritjeve të veta”, “e ardhmja e tyre ndodhet në BE”.

Sot zgjerimi është sërish një prioritet gjeostrategjik për Europën. Aplikimi i Ukrainës për anëtarësim ka gjeneruar një dinamizëm të ri në procesin e pranimit në BE

tha ai.

Duket se kriza në Lindje dhe reminishencat e historisë për mënyrën sesi ato precipitojnë në shkatërrim të paqes kontinentale, ka nxitur Europën të shohë ndryshe. Nga ana tjetër ka një ritëm të ri të riskut që nxit psikologjinë e zgjerimit si kordon sanitar. Kreu i shërbimeve gjermane të sigurisë, Martin Jäger, ka deklaruar në Parlament se Gjermania rrezikon një konflikt të armatosur me Rusinë si rrjedhojë e asaj që ai e quajti “luftë hije” e Kremlinit në Europë. Sipas tij, kjo përpjekje destabilizues lidhet me nevojën e Putin për të gjunjëzuar këtë vit Ukrainën si pasojë e presionit të brendshëm.

Duhet të presim sulme nga Rusia të një graviteti dhe brutaliteti që nuk e kemi parë më herët

tha ai pak ditë pasi u njoftua viizta e fshehtë e kancelarit Merz në Kiev.

Siç mund të shihet presioni rus në Ukrainë po analizohet në Bruksel dhe në Perëndim si pjesë e një përballjeje afatgjatë dhe strategjike me Rusinë që sa vjen e ravijëzohet si pararojë e Kinës në konfliktin me Perëndimin.

Në këtë suazë merr rol procesi i zgjerimit si vendimmarrje strategjike, që shkon në analogji me të gjitha qasjet e fuqive të mëdha në konfliktet e mëparëshme. Megjithatë na duhet të vëmë në dukje se anëtarësimi ynë në BE si emergjencë sigurie e tjetërkujt shtron disa probleme thelbësore.

Së pari miratimi ynë i çdo lloj anëtarësimi tradhëton një nevojë të madhe për të dorëzuar sovranitetin juridik tek të huajt. Kjo është parë sidomos me suksesin dhe konensusin që ka SPAK. Me dorëzimin e sovranitetit juridik kuptojmë se në Shqipëri ka pushuar së ekzistuari ndërgjegja politike për sovraiteti shtetëror dhe politik për shkak se shteti shqiptar konsiderohet I dështuar nga një pjesë e madhe e shoqërisë.

Së dyti, imbarkimi në BE i vendeve si Shqipëria, duke injoruar rëndësinë e deritanishme të standardeve, i jep një goditje të madhe shpresës se dikur Shqipëria do të mund të kthehej një vend normal ku së paku funksionon një drejtësi civile dhe penale që i jep funksionalitet shtetit.

Së treti, koninktura e sigurisë që është krijuar në raport me atë që na dëshmon dhe thotë sot politika, krijon premisat e një manipulimi historiografik të nesërm për shkaqet dhe arsyet e suksesit eventual të të ashtuquajturit projekt europian të Shqipërisë, nisur nga nevoja e madhe dhe jetike e ep politikës për ta instrumentalizuar atë.

Së katërti, a është ky proces zgjerimi cedim ndaj kërkesës për pastrim të territorit nga korrupsioni? Me mënyrën sesi Brukseli lejoi që të emetohej termi stabilokraci për Ballkanin Perëndimor, është e arsyeshme të dyshohet se ata që u pasuruan dhe vodhën këto vite të ripërdoren për nevoja të reja në kushtet e tanishme. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe pas Luftës II Botërore.

Së fundmi, të mësuar me një Europë që vetëm jep dhe ushqen ëndrrat, përballja dhe hyrja në një Europë që kërkon dhe imponon disipilinë mund të rezultojë diçka dramatike për kulturën politike shqiptare nëse nuk do të shoqërohet ky proces me rotacion elitash. Le të mendojmë për një çast vetëm për arsimin dhe arsimimin për të kuptuar se si është raporti ynë sot me zhvillimin.

Historia po përsërit veten me shfaqjen e kësaj kryqëzate mbrojtëse në shekullin e 21-të. Po e përsërit jo vetëm për mënyrën si na erdhi në derë shansi europian, por edhe sesi ne e trajtuam atë. Kush ka pasion historinë mund të gjejë në këtë që shohim sot një analogji me shekullin e 15-të: mitizuar shumëçka, por me gjasë realiteti social do të ketë qenë po kaq dramatik sa atëherë. Ka diçka regresive në raportin tonë me Perëndimin që nuk e lë të ndodhë kurorzëimin e predikuar. Ka një alienim psikologjik, një ndjesi izolacionizmi që e bën qenien tonë të huaj për këdo.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.