Protestë në Pishë Poro kundër hotelit të Kastratit dhe Kushner
Sot në Pishë Poro të Vlorës, në zonën e quajtur Hidrovori në Akërni, është zhvilluar një protestë e 100 aktivistëve të cilët kanë hedhur poshtë rrethimin e kompanisë që po ndërton dhe kanë hyrë brenda.
Në zonën në fjalë, e shpallur me ligj “Zonë e Mbrojtur” po ndërtohet një objekt shumëkatësh, përmes vendimeve të papublikuara dhe në shkelje të konventave.
Pamjet ofrojnë një shembull të radhës sesi institucionet shkelin ligjet që miratojnë vetë për interesa të ngushta dhe oportunizëm politik.
Në ballë të gërmimeve qëndrojnë fadromat e Shefqet Kastratit, i mirënjohur për akaparim masiv pronash, të drejtash, kontratash dhe shërbimesh. Kësaj radhe Kastrati nuk po del as hapur, megjithëse pas tij qëndron Kushner, dhëndri i Donald Trump. Është e paprecedentë sesi një ndërtim i tillë mbin me dhunë nga pushteti në mes të një zone që përfaqëson habitat me rëndësi për mbarë kontinentin.
Mënyra sesi po veprohet ilustron kolapsin e dialogut publik në Shqipëri dhe imponimin e pushtetit në mënyrë të drejtpërdrejtë, shenjë e qartë se shoqëria shqiptare nuk ka hyrë ende në fazë politike. Vetë fakti që shpresa për ruajtjen e zonës vjen nga Jashtë flet edhe më shumë për natyrën e dëmit që po kryehet dhe pafuqinë tonë thuajse absolute.

Add new comment