Feritit i ikën goja

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha mund të quhet edhe si ministri i Yryshit. Apo Yxhymit. Në kuptimin që me të marrë detyrën aktuale ia nisi pa të ndalur daljeve publike, deklaratave, intervistave, në të cilat asnjëherë nuk harron të vlerësojë rolin vizionar të kryeministrit Edi Rama.
Zoti Hoxha që ka heshtur publikisht për 30 vjet, befas ka dalë nga kjo abstinencë dhe me kredencialet e sajuara si “diplomat i rrallë” është vërsulur në një lloj PR të zhurmshëm në vetë të parë në kuadër të të cilit u përgjigjet pyetjeve pa u artikuluar ende dhe në mënyrën si do ai vetë.
Parë kështu, z. Hoxha është një person me ekuilibër të paqëndrueshëm: nga heshtja 30 vjeçare në logorenë e papërmbajtshme. Por së fundmi ka edhe diçka tjetër. Pak javë më parë doli në dritë një aspekt karakterial i Hoxhës, kur atij në parlament iu evidentua sesi dërgonte e-mail gazetave në kohën kur negocionte marrëveshjen e detit me Greqinë. Feriti nuk foli atë kohë. Vazhdoi logorenë e arritjeve dhe mëditjen e lumtur të venerimit të Edit që sheh sesi ministri i tij i Jashtëm, llangoset vetë duke u kthyer në një debitor të bindur edhe më shumë nga sa është me përkufizim.
Zoti Hoxha ka shkuar më tej me një incident që cenon shumëçka tashmë, teksa citohet se ka quajtur idiotë shqiptarët e skenës politike në Maqedoninë e Veriut. Çështja është kaluar në shqyrtim politik në Tiranë dhe në Shkupt. Ministria e Jashtme ka reaguar, por Feriti vetë jo. Ende.
Sigurisht që kush jeton në këtë vend, i di mirë klishetë që qarkullojnë. Vetëm se z. Hoxha ka huqin se lë gjurmë të shkruara në email dhe mesazhe. Kështu që stigma e tij është e provuar.
Ajo që nuk po duket gjëkundi është reagimi i këtij individi për të cilin ata që e njohin e përshkruajnë në mënyrë konsensuale si njeri pa shtyllë kurrizore dhe servil. Por për këto karakterizime nuk ka gjë të shkuar, kështu që do marrë me rezervë. Ndërkohë që për Idiotët e Feritit ka një diskutim. Për të cilin ai duhet të flasë qoftë edhe pse tani që e nisi karrierën politike me logore nuk i shkon roli i memecit.
s.zaimi

Add new comment