Sistemi i drejtësisë është në krizë
Në një dalje për mediat, kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, ka përcjellë disa shifra shqetësuese për funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend. Me rreth 6800 vendime për vitin 2025, Sadushi ka theksuar se për çdo gjyqtar kanë qenë 429 vendime, shifra që siç tha ai “nuk përfaqësojnë një normalitet gjyqësor”. I pyetur mbi reformën në drejtësi, një ndër hartuesit e së cilës ka qenë edhe ai, Sadushi, ka theksuar se ai e mbron atë që është hartuar, por nuk ka pse të mos bëhen kritika për zbatimin.
Unë jam kritik për mënyrën e zbatimit të reformës dhe kjo lidhet me mungesën e planifikimit të qeverisë se ku duam të shkojmë...
Mungesa e gjyqtarëve është problemi themelor i sistemit të drejtësisë. Aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë, përballë 417 të parashikuar nga struktura organizative, çka do të thotë se sistemi funksionon me vetëm 73.6% të kapacitetit të tij, ose me 110 gjyqtarë më pak. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese nëse merret parasysh se deri në vitin 2028 nga Shkolla e Magjistraturës parashikohet të dalin jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj. Nëse i referohemi standardeve të CEPEJ, Shqipërisë do t’i nevojiteshin rreth 587 gjyqtarë, çka nxjerr në pah një disproporcion të thellë ndërmjet nevojave reale dhe kapaciteteve aktuale të sistemit. Ky realitet dëshmon mungesë vizioni strategjik për hyrjet e reja në sistem. Sot është domosdoshmëri të merren masa konkrete për korrigjimin e menjëhershëm të kuotave të pranimit në Shkollën e Magjistraturës. Në këtë panoramë të përgjithshme mungesash, gjykatat e apelit përbëjnë sot hallkën më kritike të sistemit gjyqësor, duke funksionuar me vetëm 55.9% të trupës gjyqësore të parashikuar, çka rrezikon seriozisht aftësinë e tyre për të përballuar volumin e çështjeve dhe për të garantuar afate të arsyeshme gjykimi”, tha Sadushi.
Kjo është sfida thelbësore e drejtësisë sot: jo thjesht të funksionojë falë përpjekjes së jashtëzakonshme të njerëzve që e mbajnë në këmbë, por të garantojë që ky funksionim të jetë i qëndrueshëm. Një sistem nuk mund të mbështetet pafundësisht te sakrifica individuale. Pa politika për njerëzit, pa investim në kapacitetet njerëzore dhe pa vizion afatmesëm, nuk ka drejtësi që reziston. Qytetari nuk pret justifikime, por kërkon funksionim të drejtë, cilësor dhe në kohë të sistemit gjyqësor
tha Sadushi.

Add new comment