Efektet politike të thatësirës - rasti i Iranit

Çfarë mund ta rrëzojë regjimin në Iran? Vite të tëra sanksionesh kanë dështuar. As ekonomia në rënie të lirë nuk duket se e ka bërë, as shtypja fetare që çoi në protestat e hixhabit të vitit 2022 apo humbjen poshtëruese në luftën me Izraelin këtë qershor. Në secilin rast, regjimi e ka larguar kërcënimin jo duke zgjidhur problemet që e krijuan atë, por me dhunë dhe shtypje. Problemet mbeten, por edhe regjimi mbetet në këmbë. Tani, vendi dhe sundimtarët e tij po përballen me një krizë mjedisore aq të rëndë, sa është pothuajse e sigurt që kjo do të çojë në trazira ekonomike dhe sociale shumë intensive për t'u vënë nën kontroll lehtësisht nga politika e paracaktuar e burgosjeve dhe përdorimit të armës. Është thjesht e mundur që Irani të bëjë histori si rasti i parë i ndryshimeve klimatike që çojnë në ndryshimin e regjimit.
Në zemër të krizës është një thatësirë që vijon pa ndërprerje për pesë vjet, me sasi reshjesh gati 40 për qind më të ulëta nga mesatarja e saj afatgjatë. Thatësira e zgjatur ka tharë liqene dhe lumenj dhe ka përshpejtuar shterimin e rezervave të ujërave nëntokësore, të cilat tashmë po shfrytëzoheshin përtej kapaciteteve. Liqeni Urmia, më i madhi në Lindjen e Mesme, ka humbur tri të katërtat e ujit të tij dhe mund të thahet plotësisht këtë vit. Efektet e thatësirës janë përkeqësuar këtë verë nga një valë nxehtësie e krahasueshme me një cunami, e cila ka shteruar furnizimet, duke rritur kërkesën për ujë.
Një iranian që jeton me bujqësi, ose jeton në një provincë periferike të lënë pas dore nga qeveria qendrore, i ka ndier efektet e thatësirës prej kohësh. Në shumë pjesë të vendit, puset e ujit që shkojnë thellë e më thellë në tokë nuk japin asgjë tjetër përveç pluhurit. Me zhdukjen e ujërave nëntokësore, toka po zhytet në kuptimin e parë të kësaj fjale. Të korrat nuk po sjellin prodhim dhe fshatrat janë braktisur. Periodikisht, zemërimi dhe frustrimi kanë arritur në atë pikë sa njerëzit dalin në rrugë. Megjithatë, këtë verë, edhe Teherani po i ndien efektet, dhe politikisht, kjo përbën një rrezik shumë më të madh sesa thatësira në vende të largëta dhe të lëna pas dore si Baluchistani. Mes tkurrjes së madhe në dy nga rezervuarët kryesorë të ujit të Teheranit, kompania e ujit të qytetit muajin e kaluar uli presionin aq shumë sa uji nuk mund të arrijë më përtej katit të dytë të ndërtesave të banimit. Familjet që mund ta përballojnë atë mbështeten në rezervuarë privatë uji; të tjerët përdorin kova.
"Në Teheran, nëse nuk mund ta menaxhojmë dhe njerëzit nuk bashkëpunojnë në kontrollin e konsumit, nuk do të ketë ujë në diga nga shtatori ose tetori," paralajmëroi Presidenti iranian Masoud Pezeshkian. Pezeshkian anuloi planin e qeverisë për t’i shpallur të mërkurat pushim për të kursyer ujë, duke pranuar një zgjidhje me fashë, dhe urdhëroi ndërprerje 12-orëshe të furnizimit me ujë për familjet me nivele veçanërisht të larta konsumi.
Thatësirat vijnë e shkojnë, por në këtë rast, thatësira mund të mos kalojë aq shpejt ose lehtë. Kjo për shkak se ndryshimi i klimës ka luajtur një rol, dhe për më tepër është një fenomen që do të vijojë. Irani është tashmë i nxehtë dhe i thatë dhe ndër vendet më të prekshme në Lindjen e Mesme ndaj ndryshimeve klimatike. Temperatura mesatare e Iranit është rritur me 2 gradë Celsius që nga vitet 1960. Në dekadat e ardhshme, temperatura mesatare e tij parashikohet të rritet me 2.6 gradë të tjera dhe reshjet të ulen me 35 për qind. A mund të bëjë qeveria diçka për të ndryshuar, ose të paktën për të zbutur, ndonjë nga këto pasoja?
Mafia e ujit
Në të gjithë botën, rekordi edhe midis një grushti qeverish me qëllimet më të mira është në rastin më të mirë i paqëndrueshëm dhe nuk i është afruar përmbushjes së objektivave që do të stabilizonin temperaturat në rritje. Në Iran, perspektiva është edhe më e pashpresë: Regjimi jo vetëm që injoroi vite të tëra shenjash paralajmëruese për katastrofën e afërt mjedisore, por ka qenë kontribuuesi më i madh në të. Në Iran (dhe sigurisht jo vetëm atje), interesa të fuqishme janë të përkushtuara për të shkatërruar në mënyrë efektive mjedisin dhe nuk do të tërhiqen pa luftuar.
Ngjashëm me programin e tij bërthamor më të famshëm dhe famëkeq, Teherani krenohet jo pak me numrin e madh të digave që ka ndërtuar gjatë viteve. Por digat dhe projektet e tjera gjigante të transferimit të ujit kanë shkaktuar shkatërrime masive mjedisore, duke dëmtuar cilësinë e ujit të lumenjve, duke zbrazur rezervuarët, duke tharë liqenet dhe ligatinat. Asgjë prej këtyre nuk e shqetëson "mafian e ujit" të Iranit, një rrjet njerëzish të brendshëm të regjimit, shumë prej të cilëve janë të lidhur me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, që sidoqoftë vazhdon të ndërtojë digat. Kjo jo sepse gjërat kanë kuptim ekonomik, por sepse këto ndërmarrje gjigante janë një mënyrë e lehtë për të mbushur xhepat e tyre me fitime korruptive pa frikën e verifikimit të jashtëm.
Diga e Gotvandit të Sipërm, e cila u përfundua në vitin 2012, kap të gjitha dinamikat helmuese. Me të meta themelore nga pikëpamja inxhinierike sepse u ndërtua mbi kupola kripe, kostoja e ndërtimit të saj u dyfishua pa shpjegim gjatë jetëgjatësisë së projektit në 3.3 miliardë dollarë. Kur u përfundua, diga përfundoi duke rritur kripësinë e lumit Karun deri në atë pikë sa uji i tij nuk është më i pijshëm ose i dobishëm për bujqësi. Shkatërrimi i digës ose heqja e kripës nga uji është shumë e kushtueshme, kështu që diga dhe dëmi mbeten.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përdorur krizën mjedisore si temën më të re në menunë e tij të ndryshimit të regjimit. Në një video javën e kaluar drejtuar popullit iranian, ai tha: "Në këtë vapë brutale vere, nuk keni as ujë të pastër dhe të ftohtë për t'u dhënë fëmijëve tuaj... Kjo është përbuzje për popullin iranian. Të jetosh në këtë mënyrë nuk është e denjë. Është padrejtësi ndaj fëmijëve tuaj."
"Në momentin që vendi juaj është i lirë, ekspertët më të mirë të ujit në Izrael do të vërshojnë në çdo qytet iranian duke sjellë teknologji dhe njohuri të përparuara," shtoi Netanyahu.
Mesazhi i tij nuk ka gjasa të luajë ndonjë rol në nxitjen e revolucionit në Iran. Por ekspertët kanë paralajmëruar se në të gjithë botën, ndryshimi i klimës do të çojë në migrim masiv, luftëra dhe lloje të tjera konkurrence për burimet, si dhe trazira politike. Duke pasur parasysh ashpërsinë e problemit dhe paaftësinë e qeverisë për t'u përballur me të, Irani duket një kandidat për ndryshimin e regjimit që mund të ndodhë në të ardhmen e afërt.
Nuk mund të mos spekulosh nëse imagjinon si mund të bëhet kjo. Ndoshta protesta masive do të shpërthejnë përsëri, por një skenar më i mundshëm është që qeveria të humbasë kontrollin efektiv të vendit për shkak të migrimit masiv dhe trazirave civile, jo kundër regjimit, por në garë për ujë, energji elektrike dhe nevoja të tjera. Nëse ndodh kjo, mjetet standarde të regjimit me masa shtypëse mund të mos funksionojnë dhe Irani do të bëhet një shtet i dështuar. Në këto kohë të vështira, izraelitët mund të gjejnë pak ngushëllim duke ditur se, ndryshe nga Irani, e zgjidhën krizën e ujit duke u bërë një lider botëror në ruajtjen dhe shkripëzimin e tij. Irani mund të mësojë një ose dy gjëra një ditë, megjithëse duke pasur parasysh politikën, ajo ditë është shumë larg dhe ndoshta shumë larg për të bërë ndryshimin.
Por edhe nëse zgjidhet, ky problem na lë përballë kërcënimit shumë më të madh të ndryshimeve klimatike. Ashtu si Irani, edhe Izraeli është i destinuar të ndiejë barrën e ngrohjes globale. Shërbimi Meteorologjik i Izraelit paralajmëroi muajin e kaluar se vendi mund të shohë valë të nxehti që arrijnë 50 gradë Celsius (122 gradë Fahrenheit) ose më shumë në shumë rajone deri në vitin 2100. Ai parashikon më shumë reshje të papritura dhe të dendura që mund të shkaktojnë përmbytje nga intensiteti më i lartë i reshjeve edhe ndërsa reshjet në përgjithësi ulen.
Politikisht, teknologjikisht dhe ekonomikisht, Izraeli duket të jetë më i aftë se Irani për t'u përballur me këto sfida të mëdha, por askush nuk duhet të imagjinojë se ato do të jenë në gjendje të adresohen me zgjidhje si shkripëzimi. Zgjidhja e vërtetë, sigurisht, është të përmbyset ose të paktën të vonohet rritja e temperaturave, por duket se pjesa tjetër e botës është njësoj si Irani: i ka shenjat paralajmëruese para syve dhe kthen kokën nga ana tjetër.
Burimi: Haaretz
Përkthimi për ResPublica: Gazmira Sokoli
Add new comment