Disiplinë e re në komisionet parlamentare. Vetëm sot dy incidente, një me një deputet dhe tjetri me një gazetar

Postuar në 29 Prill, 2015 08:31

Në Parlament po u shtrëngohet rripi të gjithëve. Me sa duket kohët kur mund të hapje derën e komisioneve, të hyje brenda gjatë zhvillimit të mbledhjeve, që shpesh karakterizohen nga një sens humori, në mos gallate, u ka ardhur fundi. Sot u raportuan dy raste kur kryetarë të komisioneve të përhershme parlamentare kanë ngritur zërin dhe kanë marrë masa për disiplinën. Rasti parë, Komisioni i Ligjeve. Ja debati:
(Deputetët Dashamir Peza dhe Blendi Klosi vijnë në Komision gjatë kohës që po flisnin ekspertët e SIGMA-s për projektligjin e ri të Kodit të Procedurës Administrative)
Dashamir Peza: O kryetar, erdhëm ne, kur është votimi?!
Fatmir Xhafaj: Mos hajdeni fare…Të qëndronit në mbledhje të paktën, tregoni minimumin e respektit ndaj të ftuarve.
Dashamir Peza: Të ikim fare, pra
Fatmir Xhafaj: Po ik ku të duash, mos hajde fare këtu!
Dashamir Peza: Unë iki fare…
(Deputeti Dashamir Peza largohet nga salla, përplas derën)
Rasti i dytë, në Komisionin e Ekonomisë, ku kryetar është Erjon Braçe që sot nuk ka falur. Ka mbyllur derën pasi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka nisur raportimin. Një gazetar i Top-Channel është mërzitur shumë dhe i ka qëndisur një status Braçes, që replikoi si më poshtë: "Për ca tekanjozë banalë që kurrë nuk kuptuan ç’është rregulli, kur raporton Guvernatori i Bankës dhe për më tepër kur këtë nis ta bëj në orarin e lajmëruar. Nuk është etike, po fare, fare që një gazetar të vijë pas gjysmë ore dhe për më tepër të sillet vërdallë nëpër sallë, thjesht sepse dikush i ka mbushur mendjen se është më i madh se kushdo tjetër. Nuk e di nëse gazetari në redaksinë e tij shkon pasi ka filluar mbledhja, por edhe nëse e bën atje, s’ka për ta bërë në kuvend. Nëse mikrofoni dhe kamera e TCH është në sallën e mbledhjes në orar, nuk ka pse i zoti i tyre gazetar të bëjë llogje lart e poshtë rrugëve kur ka interes të bëjë punën. Përndryshe, të ndenjurat duhet t’i shkojnë pas punës, jo tangërllëkut”.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.