Nikolliç njofton platformën e re për Kosovën, pas festës së 1 Majit. Qëndrimi: Një Kosovë me autonomi esenciale në kuadër të Serbisë

Radio “Evropa e Lirë” thotë se presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolliç, ka paralajmëruar se në fillim të muajit maj do ta paraqes platformën e re shtetërore për Kosovën. Ai ka theksuar se askush nga Bashkimi Evropian nuk ia ka parashtruar si kusht Serbisë njohjen e Kosovës, por kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, siç ka thënë ai “gjithçka thyhet në Kosovë”. Sipas tij, nga Serbia është kërkuar që të nënshkruhen marrëveshjet me Prishtinën, për të rregulluar marrëdhëniet e ndërsjella dhe siç ka thënë Nikolliç “Gjermania nuk do të heqë dorë nga kjo” dhe tashmë ky është mendimi që dominon në Evropë. “Menjëherë pas festës së 1 Majit, platforma do të duhej të gjendet në tavolinën e kryeministrit. Qeveria do të tregojë nëse ky plan është i realizueshëm ose jo. Më pas, ministrat do të vendosin formalisht se a do ta dërgojnë në Kuvendin e Serbisë atë propozim apo propozimin e ndryshuar”, ka theksuar Nikolliç. Ai ka shtuar se qëndrimi i Kosovës është se ajo është e pavarur dhe se e kanë mbështetjen e vendeve që e kanë njohur, ndërkohë që qëndrimi i Serbisë është një Kosovë me autonomi esenciale në kuadër të Serbisë. Me qëndrime të tilla të kundërta, sipas tij, nuk duket në horizont një marrëveshje përfundimtare, raporton radio “Evropa e Lirë”.
Add new comment