Sipas “Monitor” kompanitë publike kanë zbrazur depozitat pa afat për të “mbushur buxhetin”

Postuar në 06 Maj, 2015 02:30

“Monitor” shkruan se depozitat e transferueshme të kompanive publike (shtetërore) jo financiare kanë regjistruar një rënie të fortë në muajin mars të këtij viti, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Ky zë ka regjistruar një rënie me 20% apo me 1.7 miliardë lekë (12 milionë euro), për të zbritur në 7.4 miliardë lekë. Sipas “Monitor”, në depozita të transferueshme mbahen gati gjysma e totalit të depozitave të kompanive shtetërore, që ishin gjithsej 15.6 miliardë lekë në fund të muajit mars 2015. Në total, depozitat e kompanive publike rane me 12% në mars, në krahasim me një muaj më parë, tkurrja më e madhe mujore që nga fillimi i vitit 2014. “Monitor” shkruan se burimeve e tij thanë për se një nga arsyet e kësaj uljeje të fortë mund të lidhet me “presionin” e administratës tatimore për të derdhur më shumë tatim fitimi në buxhet. Vetëm OSHEE mësohet se ka derdhur rreth 600 mln lekë. Për periudhën janar-shkurt të ardhurat në buxhet nga tatim fitimi ishin 2.05 miliardë lekë, me një rënie prej 13% me bazë vjetore për dy mujorin, si rrjedhojë e dy faktorëve, problemet me sistemin e ri online (sidomos në janar, ku ky zë ra me 60%) dhe fakti që tatim fitimi paguhet një herë në tre muaj. Për tremujorin rezultati u përmbys. Për peridhën janar-mars të ardhurat nga ky zë u rritën ndjeshëm me 38% në 8.6 miliardë lekë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Krahas periudhës së plotë tremujore, kontributi i kompanive shtetërore u vlerësua si një nga arsyet kryesore që kthyen tendencën. KESH dhe OSHEE ishin dy kompanitë që u “fajësuan” nga financat për mosrealizimin e planin për mbledhjen e tatim fitimit vitin e kaluar, çka bëri që plani i tyre të rishikohej me ulje në shtator të vitit të kaluar. (Në 2013-n këto dy kompani kishin paguar rreth 1 miliardë lekë tatim fitim).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.