Blindohet Tirana "nacionaliste", më shumë se 1300 policë për vizitën e Vuçiç në Tiranë

Postuar në 26 Maj, 2015 14:18

Vizita e kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç në Tiranë është e një rëndësie politike dhe historike për marrëdhëniet mes dy vendeve, kjo sepse është hera e parë një një kryeministër i Serbisë viziton shtetin shqiptar. Përtej këtij konteksti, nga kjo vizitë nuk pritet ndonjë zhvillim që ka të bëjë me bashkëpunimin apo raportet e dy vendeve. Kjo për faktin se është një vizitë që lidhet me mbajtjen në Tiranë të Forumit Ekonomik të Vienës dhe samitin e kryeministrave të rajonit. Një rrugë e dy punë për kryeministrin Vuçic që në nivel biletaral nuk pritet të thotë më shumë nga sa tha në Beograd. Edhe kryeministri Rama përveç ndonjë batute të re, të menduar posaçërisht për këtë vizitë nuk ka lënë të nënkuptohet për një axhendë që mund të ketë avancuar mes dy vendeve. Ajo që duket e ngjashme me vizitën e Ramës në Beograd është angazhimi i mijëra forcave të policisë për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës së kryeministrit serb në Tiranë. 1 mijë e 300 forca policie që do të blindojnë Tiranën. Drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit, Altin Qato tha se do të angazhohen forcat lëvizëse operacionale, nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë 160 punonjës policie dhe nga forcat Renea 80 punonjës policie. Nga Drejtoria e Qarkut të Tiranës do të angazhohen 850 punonjës policie, nga shqiponjat, policia e përgjithshme, policia rrugore, hetimi i krimit si dhe nga operacionet speciale. Në total 1090 policë nga Tirana dhe 220 nga Durrësi. Përveç angazhimit të kaq shumë forcave thuajse të gjitha rrugët e Tiranës do të jenë të bllokuara. Kuptohet që Vuçiç nuk është shumë i mirëpritur në Tiranë, por këtë sikur kërkon ta përforcojë edhe më shumë plani ekstrem i masave të sigurisë, hartuar nga policia dhe Ministria e Brendshme. Në këtë kuptim e gjithë kjo simetri e përgatitjeve për vizitën e Vuçiç në Tiranë dhe mobilizim i policisë jep kuptim një paraleleje dhe ngjashmërie të nacionalizmit serb dhe atij shqiptar. A është vërtet  kështu apo Shqipëria dhe shqiptarët duhet të prezantohen si nacionalistë të vijës së parë në kuadër të qasjes zero probleme me fqinjët. Kjo bie ndesh edhe me fjalën e urtë se “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Një nga udhëheqësit e huaj që deri më tani e ka thënë publikisht se në Shqipëri ndihet si në shtëpinë e tij ishte presidenti turk Rexhep Taip Erdogan  pak ditë më parë gjatë vizitës në Tiranë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.