“Monitor” thotë se qeveria akumulon borxhe të reja, 300 mln lekë të 2014 ngarkohen në buxhetin e 2015

Postuar në 26 Maj, 2015 23:29

“Monitor” shkruan se qeveria aktuale ka treguar një vëmendje të veçantë në evidentimin dhe shlyerjen e borxheve dhe detyrimeve të prapambetura, por ky vullnet nuk ka përjashtuar krijimin e detyrimeve të reja. Sipas shkrimit në “Monitor” në rishikimin e katërt të marrëveshjes me Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vërejtur se, Shqipëria nuk e ka përmbushur angazhimin për moskrijimin e borxheve të reja. Rezultatet e anketës tremujore për dhjetë ministritë kryesore dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve tregojnë për një akumulim prej 0.3 miliardë lekësh borxhe të reja në fund të 2014 (0.02 për qind e PBB-së). FMN sqaron se, pjesa më e madhe e borxheve të reja u akumulua nga DPT dhe Ministria e Transportit (për ndërtimin e rrugëve). Por siç referon Fondi qeveria ka pohuar se, të gjitha borxhet e akumuluara do të paguhen deri në fund të prillit 2015. Përveç kësaj, është marrë një masë shtesë nga Ministria e Financave, e cila ka nxjerrë një udhëzim ndaj ministrive të linjës ku i informon se ato të kryejnë rialokimet brenda buxheteve e tyre vetëm me lejen e Ministrisë së Ekonomisë. “Monitor” raporton se për vitin 2015, sipas njoftimeve zyrtare, Ministria e Financave ka vijuar punën për të siguruar vazhdimin e procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.