Vuçiç për “Associated Press”: Serbia e gatshme të zvogëlojë varësinë nga gazi rus, me rëndësi të madhe janë marrëdhëniet e mira me SHBA-në

Sipas Agjensisë Telegrafike të Lajmeve, Serbia do t’i pranojë kërkesat amerikane për zvogëlimin e varësisë nga gazi rus dhe për t’iu bashkuar projektit për ndërtimin e gazsjellësit nga Azerbajxhani për në Evropë, që mbështetet nga Uashingtoni, deklaroi kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç. “Në emër të sigurisë së saj energjetike, Serbia është e gatshme t’i diversifikojë burimet e gazit, çka është e rëndësishme edhe për miqtë tanë amerikanë”, deklaroi Vuçiç për agjencinë “Associated Press”, të cilës i referohet ATSH. SHBA-ja është angazhuar për ndërtimin e gazsjellësit nga Azerbajxhani në Evropë, përmes territorit turk dhe kërkon që vendet ballkanike të orientohen drejt këtij sistemi alternativ për transportimin e gazit, në vend që të shpresojnë për projektin rus “Turkish Stream”. Perëndimi akuzon Rusinë se shfrytëzon gazin si instrument për përforcimin e ndikimit politik mbi vende si Serbia. Ajo vlerëson se kjo deklaratë e Vuçiçit paraqet një “kthesë të madhe” në politikën e Serbisë, që shquhet si aleate tradicionale e Rusisë dhe që nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të krizës në Ukrainë. Në lidhje me deklaratat e disa përfaqësuesve perëndimorë se Serbia duhet të vendosë se në cilin drejtim do të shkojë, drejt Evropës apo drejt Rusisë, Vuçiçi thotë se “nuk bëhet fjalë për kurrfarë balancimi”. “Qëllimi ynë strategjik është rruga drejt BE-së dhe në fuqimisht qëndrojmë në këtë rrugë. Por, nga ana tjetër dëshirojmë t’i ruajmë marrëdhëniet e mira me Rusinë. Këtu nuk ka asgjë të keqe”, shton kryeministri serb. Sipas Vuçiçit, për Serbinë me rëndësi të madhe janë marrëdhëniet e mira me SHBA-në. “Uashingtoni është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne dhe ne shpresojmë se ai do ta mbështesë rrugën tonë evropiane dhe reformat ekonomike”, tha Vuçiç, i cili në fillim të qershorit do të vizitojë SHBA-në.
Add new comment