Shqipëri- Greqi, marrëveshje bashkëpunimi për luftën ndaj krimit ndërkufitar. Çako: Policia nuk ka as gjuhë, as shtet

Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako është takuar të premten në Janinë me homologun e tij grek, Dimitros Tsaknakis. Ky i fundit shprehu vendosmërinë e shtetit grek për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe marrëdhëniet dypalëshe. Çako tha se policinë nuk e dallon dhe e ndan as gjuha apo shtetësia. Palët ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit për parandalimin e migracionit ilegal dhe luftës ndaj krimit ndërkufitar. Pikë tjetër ishte dhe rritja dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e krimit të organizuar, trafikut të drogave dhe trafikimit të qënieve njerëzore. Gjithashtu u ra dakord për rritjen e shkëmbimit të i informacioneve për personat në kërkim, krimet e rënda dhe aktet teroriste. E fundit, u ra dakord për zhvillimin e operacioneve të përbashkëta me policinë greke në fushën e trafiqeve të paligjshme, si dhe të punohet për finalizimin sa më shpejt të Draft-Marrëveshjes me Greqinë për ngritjen dhe funksionimin e Qendrës së Përbashkët të Bashkëpunimit Policor në Kakavijë.
Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, mësohet se në takim marrin pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm Për Krimin e Organizuar e Krimet e Rënda, Ardian Çipa, Drejtori i Përgjithshëm Për Kufirin, Genc Merepeza, Drejtori i Qarkut Gjirokastër, Kastriot Skënderaj dhe Drejtori i Kufirit te Korçës, Dashamir Spaho. Nga pala greke pjesëmarrës në takim janë homologet përkatës.
Add new comment