Konfirmohet zyrtarisht interesi për ndërtimin e kantiereve për skrap anijesh. Qeveria ofron 1 euro/kontrata për “dekonstruksion të mjeteve detare lundruese me nivele investimi mbi 500 000 000 lekë”

Duket se zhurma mediatike për kthimin e Pashalimanit në kantier për skrapin e anijeve nuk është pa gjë. Në Fletoren Zyrtare botohet një vendim i Këshillit të Ministrave, i datës 20 maj 2015, me titull: “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 54,datë 5.2.2014, të këshillit të ministrave, “për përcaktimin e kritereve, procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar”. Vendimi shton disa pika, mes të cilave edhe atë të kategorizimit të “tokave të pafrytshme” si objekt i dhënies së kontratave të sipërcituara. Por ja se çfarë shtese bëhet në kreun V, të vendimit aktual nr. 54: “Kontrata me tarifën simbolike1 euro/kontrata”, bëhen këto shtesa: a)Pas shkronjës “c”, të pikës 2, shtohen shkronjat “ç” dhe “d”, me këtë përmbajtje: “ç) veprimtari në fushën e arsimit, mediave me nivele investimi mbi 200 000 000 (dyqind milionë) lekë. d) veprimtari për konstruksion, shërbim mirë-mbajtjeje, dekonstruksion të mjeteve detare lundruese me nivele investimi mbi 500 000 000 (pesëqind milionë) lekë”. Kjo do të thotë se lidhen kontrata me tarifën simbolike 1 euro-kontrata nëse investimi në fushën e dekonstruksionit të mjeteve detare lundruese është mbi 500 milionë lekë. Ky paragraf sanksionon ftesën e qeverisë shqiptare për ndërtimin e kantiereve për skrapin e anijeve, madje me kushte avantazhuese. Dhe kjo është një qeveri që ka si trashëgimi opozitarizmin anti-mbetje. Më tej, edhe paragrafi për investimet në media dhe arsim, ngjan disi cinik, po të shohim çfarë ndodh së fundmi, por edhe nisur nga nisma e qeverisë për të shoshitur mirë situatën në sektorin universitar. Ndërkohë qeveria autorizon me një paragraf tjetër, që i shtohet pikës 14 të vendimit aktual, Ministrinë e Ekonomisë që “për pronat shtetërore, për të cilat ka përfunduar procedura e privatizimit dhe nuk janë shitur, por kanë kaluar në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si fond kompensimi fizik për ish-pronarët, kur ka kërkesa për zhvillimin e tyre nëpërmjet kryerjes së investimeve, i kryen procedurat për kalimin e një prone tjetër me vlerë të njëjtë ose më të madhe në fondin e kompensimit fizik dhe i kërkon kësaj agjencie kthimin e dokumentacionit të pronës së kërkuar dhe heqjen e saj nga lista e fondit të kompensimit fizik. Heqja nga lista e fondit të kompensimit fizik bëhet me të njëjtën formë akti, me të cilin është bërë futja në këtë fond. Në këto raste, ministria përgjegjëse për ekonominë kryen procedurat për dhënien e kësaj prone në përdorim sipas procedurave të parashikuara në këtë vendim”. Pra nëse ka interes për një fond toke të përcaktuar si fond kompensimi, ai mund të ndryshohet sërish. Çfarë ofertash ka patur aktualisht që e kanë detyruar qeverinë të bëjë këto arnime në vendimin nr. 54, i marrë vetëm një vit më parë, pra më 5 shkurt 2014?
s.z
Comments
Shpetoni gjiun e Vlores, te
Shpetoni gjiun e Vlores, te ngrihemi e ti themi stop kesaj masakre mjedisore qe pritet te ndodhe! Disa persona te papargjegjshem ne Minitrine e Mbrojtjes kujtojne se do Vonjatet do flene gjume, do ta mbrojme gjiun me gjake po te jete nevoja. Terhiquni sa nuk eshte vone, do ta bejme me keq se ne 97!
Add new comment