Pensioni me Koçon shpjegon formulën “Zero probleme me gjindjen”
Po zbulohet ngadalë ngadalë se ajo fraza prolog e qeverisë së Edi Ramës : “Zero probleme me fqinjët”, është më e mençura. Ose të paktën më e vërteta për një qeverisje që po i ngjan gjysëm drejtëzës: dihet vetëm ku ka adresën nga nisi. Kjo frazë, me pretendime programore, është deviza dhe motoja, filozofi jete e kryeministrit aktual të Shqipërisë që në intervistën e parë që dha pasi mori pushtetin deklaroi se “Unë merrem me politikë sepse kam frikë nga vdekja”. Vdekja është mosndryshimi, ngrirja, apatia, pasiviteti, gjithë ai arsenal oriental që ne shqiptarët e kemi tonën dhe nuk heqim dorë kollaj. Në një kohë tjetër këto kapardisje alla frënga do na jepnin një parveny, por pse të shtojmë edhe më shumë “bisturitë, thikat, gërshërët, gjilpërat, turjelat, frezat, sharrat, daltat, çekiçët, acidet, zorrët me presion të lartë...”(http://www.gazetatema.net/web/2015/12/27/edi-rama-me-gazetaretkam-bere-n...) dhe të mos e kuptojmë këtë deklaratë për atë që është: pranim i faktit se edhe kësaj radhe Shqipëria pati fatin të kishte në krye një njeri që e urren errësirën, se e do dritën, kështu na thotë të paktën, si iluminim, në përputhje krejt të pavetëdijshme me atë sentencën poetike: “Për shqiptarët Dielli lind andej nga perëndon”. Dhe se në këtë ankth për ta çuar varkën e kalbur shqiptare në bregun tjetër të Adriatikut, frika e përmbysjes është e madhe.
Mirëpo duke parë këto dy qëndrime, njeriu, krruan pak kokën i hutuar dhe pyet veten: më fal pak, por si mundet të kërkosh sukses me zero probleme? Është ose njëra, ose tjetra. Kështu është rregulli i kësaj bote. Por 3 vite në të njëjtin furgon unaze me këtë qeveri na mësuan se ajo, ose kryeministri, ka zgjedhur alternativën “zero probleme”. Këtë na e përforcon mesazhi i sotshëm nga Vunoi në Vlorë: “Si nip nga Vunoi, jam në të drejtën time që kësaj toke t’i krijohet mundësia të rilulëzojë dhe në pleqërinë që na afrohet dhe mua, dhe Koços, dhe të tjerëve që janë të mirëpritur, të na krijohet mundësia të vijmë dhe të na krijohet hapësira aty te sheshi i vogël afër lapidarit ku pleqtë mblidhen dhe flasin për hallet e botës”.
Çfarë romance me vendin e dashur! Të kujtohen “Vitet e Vegjëlisë” dhe nis e e pranon Xhaxhin si të sinqertë kur i qante hallin vetes për fëmijërinë që i kishte mbetur i vetmi segment jete ku mëkati më i madh ishte çamarrokllëku sokaqeve. Të ngjan se frika nga vdekja ka dalë dhe se tani urtë e butë, të presim të Madhen, aty te lapidari. Bashkë me Barba Koçon që do i jenë rralluar flokët e do ketë vënë në kokë ndonjë kapele të stilit panamez , duke u ngjitur malores për te sheshi me një bastun nga ato të koleksionit. Ja pse na duhen zero probleme, që të vazhdojmë të qetë “misionin këtej detit”, të molloisim fshatin nga mëngjesi në darkë e të qetësojmë shpirtin në këtë rrapëllimë ballkanike që quhet Shqipëri. Zero probleme është në kontekstin e këtushëm një ekuacion me këtë përgjigje si zgjidhje: Unë nuk shoh probleme. Ato edhe po janë, janë problemi yt. Njësoj si kur u drejtohet gazetarëve: “Ju i fantazoni, ju i shkruani dhe pastaj na pyesni ne që duhet t’u përgjigjemi”.
Dikush në fillim mund të ketë menduar se Edi qenka stalinist: Zero probleme fare mirë mund të lexohet se “Një njeri një problem. Pa njerëz nuk ka as probleme”. Frikë e kotë. Zero probleme arrihet edhe duke qëndruar mbi piramidën e problemeve, në majë, aty ku duket një horizont krejt tjetër. Zero probleme arrihet edhe përmes një lloj joge politike që funksionon sipas parimit: qentë le të lehin, karvani shkon përpara. Zero probleme është e kollajtë dhe jo aq radikale: zero madje po ta shohësh ftohtë është edhe neutrale, ashtu pa ngjyrë dhe nuancë, pa plus dhe pa minus, është zero, por jo hiç. Kërkon vetëm pak stërvitje psikologjike dhe sforcim mendor të pranosh se te lapidari do të shkojmë të gjithë dhe menjëherë zbehen jonet negative. Po ta shohësh edhe më ftohtë del i fituar, pasi kupton se kryeministri është nihilist, si të gjithë ne, për Shqipërinë dhe të ardhmen. Se përralla e Rilindjes është si puna e asaj fishkëllimës te radha e vajgurit. Ndaj ta shtyjmë pa u grindur. Dhe nuk është pak. As për ne që e shohim cullak...këtë të vërtetë, as edhe zotërinë që po kërkon në fund vetëm një panoramë, një peizazh në detin Jon.
Shaptilografisti
Add new comment