Vetëm varrezat mbetën pa u rijetëzuar!

Pak ditë më parë u njoftua nga ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, zbatimi i një projekti për kullat e veriut të Shqipërisë.
Projekti përfshin GIZ Albania dhe mëton të “transformojë përmes rijetëzimit” kullat në veri nga të cilat deri më tani janë inventarizuar 523 në qarqet Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës.
Fokus do të jetë restaurimi, funksionalizimi dhe integrimi i kullave në rrjetin turistik kombëtar,-shkruan gazeta “Tema”.
Mjafton kjo fjali dhe përvoja e deritanishme me trashëgiminë që të kuptosh se kullave në Veri do t’u hidhet sipër fustani I modernitetit për të shndërruar historinë e tyre në një lloj muzeu i lithosit parak shqiptar.
Për restaurimin ka një kartë ndërkombëtare të miratuar herët dhe duhet thënë se ndërhyrja në objekte të kësaj natyre kanë sjellë probleme të shumta. Kullat i përgjigjeshin një strukture ekonomike dhe sociale që nuk ekziston më, por në çdo rast ato ngjajnë pak me masseritë në jugin e Italisë që janë objekte të preferueshme turizmi. Me dallimin se ato nuk kanë humbur funksionin e tyre dhe as marrëdhënien arkitektonike me realitetin urban përqark. Ato janë “gjëra të gjalla” që nuk rilindin pasi kanë vdekur. Pasi kështu ato nuk janë më ajo çfarë kanë qenë.
Për ta kuptuar se marrëdhënia me “sendet” është e animuar dhe jo e ngurtësuar, pra është unike, do të mjaftonte të lexohej mbyllja e librit “Kukulla” të Ismail Kadaresë, testamenti i tij letrar dhe njerëzor kur ai flet për vizitën në shtëpinë e resturuar – rijetëzuar, transformuar – në Gjirokastër. Gjithë ai shndërrim, ai rinim i karkasës së vjetër e bën njeriun të arratiset dhe të ndihet i humbur përfundimisht në këtë botë, pasi i kanë marrë edhe erën e shtëpisë. Edhe kthinat e kujtimeve të një jete, të zërave, bisedave.
Si mundet të duash kaq pak jetën në këtë vend? Si mundet të mos kuptohet njëherë të vetme se edhe gjërat kanë fiziologjinë e tyre që lidhet me vijueshmërinë e jetës, kujtimeve, se edhe ato individualizohen nga njerëzit që i kanë krijuar dhe poseduar? Si mundet me kaq lehtësi të operohet kujtesa e një shoqërie në emër të disa projekteve kaq mekanike dhe eroduese?
Nuk do çuditeshim ndonjë herë që me këtë mendje të propozohet edhe ndonjë projekt për rijetësimin e varreve dhe varrezave, si e si për të na treguar se e bukura pulson dhe transhendon, duke mos pyetur as për lotët, as për udhët e marra aq herë, as edhe për myshkun e kohës mbi gure të moçëm e të heshtur që i bëjnë hije me dinjitet edhe ngrehinës më vanitoze të kohës sonë.
s.zaimi

Add new comment